Marrë nga Gazeta Tema
As katër muaj pas zgjedhjeve të 11 majit, Sali Berisha nuk jep ende një përgjigje të qartë për koston e kontratës me amerikanin Chris LaCivita, strategun që PD e angazhoi për të “sjellë fitoren”, por që përfundoi me një tjetër humbje.
Para SPAK, ku u paraqit një
ditë më parë për çështjen “Partizani”, kreu i opozitës u shmang pyetjeve të
gazetarëve për shifrën e kripur që LaCivita i ka kushtuar partisë. Ai u mjaftua
të theksonte se vetë nuk kishte paguar asnjë qindarkë nga xhepi i tij, sepse si
kryetar fushatën ia kishte mbuluar PD-ja. Sipas tij, deputetët ishin ata që
kishin deklaruar shpenzimet personale, ndërsa në rastin e tij, gjithçka ishte
mbajtur nga partia.
Deklarata e Berishës la të
kuptohet se përgjegjësia për transparencën i takon vetëm forcës politike. Por,
kur gazetarët e pyetën sërish për shifrën e kontratës, ai u përgjigj se
aktualisht KQZ u ka kërkuar vetëm deputetëve të plotësojnë formularët e
deklarimit.
Megjithatë, shuma e paguar nuk
mund të mbetet mister pafundësisht. Ligji e detyron PD-në ta bëjë publike në
KQZ brenda 60 ditëve nga vendimi përfundimtar i Kolegjit Zgjedhor mbi
rezultatin e 11 majit. Dhe ndonëse partia ka paralajmëruar se do të ankimojë
certifikimin e Komisionit Rregullator, transparenca mbi kontratën LaCivita
është një barrë që Berisha nuk do ta shmangë dot.
Pyetja që mbetet hapur është: a
do të mësojmë ndonjëherë sa i kushtoi realisht PD-së eksperimenti i radhës me
një strateg amerikan, apo Berisha do të vazhdojë ta mbajë fshehur faturën?
No comments:
Post a Comment