Nga Ilir Demalia
Dje, teksa po shfletoja kanalet
televizive siç shfletohet një gazetë e stërvjetruar që mblidhinin bukën për punë në kohën e komunizmit, më zuri
syri Euronews Albania në emisionin NOW (TANI). Aty, në një moment më kapi
veshi një “gazetar” — ose të paktën dikë që e mban veten për të tillë.
Emrin nuk po e përmend, jo nga mirësia, por nga paaftësia për ta kujtuar mes
gjithë atyre figurave që dalin çdo ditë e që e kanë kthyer ekranin në një një
kënetë ku llomotitet e llokoçitet gjithë ditën e lume pa kuptim .
Ky zotëria në fjalë, me
vetëbesimin e një psikiatri të famshëm dhe me tonin e trashur të një gardiani
të SPAK-ut, deklaroi me plot gojën:
“Erion Veliaj është në
depresion të rëndë dhe ka pirë 30 kg raki.”
Po pra. Tridhjetë kilogramë. Jo
gramë, jo litra, por kilogramë raki. Sepse, siç duket, rakia është tashmë njësi
matëse e shëndetit mendor, dhe gazetari shqiptar ka kaluar nga roli i
informuesit në atë të diagnozuesit klinik, distileristit dhe analistit të
alkoolit të fermentuar nga rrushi.
Ky fenomen është një reflektim
tragji-komik i asaj që mund të quajmë “gazetari të bërzive (mbetjeve të rrushit
pasi është shrydhur dhe zier për raki) të rrushit” — ku rrushi nuk është më
fryti i vjeljes profesionale, por metafora më e mirë për përmbajtjen e
stërkulluar që na serviret si “analizë”. Dhe meqë ra fjala, po, rrushi bën
raki. Por jo çdo rrush bëhet gazetari, e aq më pak çdo gazetari bëhet ekspert
për rrushin, për depresionin, për politikën, për moralin dhe për çfarëdo teme
tjetër që i vjen përpara mikrofonit.
Në Shqipëri, lajmi nuk
verifikohet, lajmi ndërtohet. Analiza nuk bëhet, sajohen. Gazetari nuk pyet,
por deklaron. Ai nuk kërkon të informojë publikun, por ta trullosë. Dhe kjo
është një çorbë që ziet e stërzihet si çorbë derrash në kazanin mediatik dhe
hidhet në eter si pordhë intelektual –
sa qelb dynjanë.
Habia e vetme që na ka mbetur
është që nuk ka më habi, as kur qelbemi prej pordhëve mediatike dhe as nuk
mundohet kush të zërë hundët me dorë prej erës së qelbur të pordhëve të kazanit
mediatik. As kur dëgjojmë deklarata të tipit “Veliaj ka pirë 30 kg raki”, as
kur na analizojnë liderë politikë si të ishin pacientë klinikë. Sot gazetaria
ka rënë në dorën e opinionistëve që e ndërtojnë mendimin si një status
Facebook-u, ku lajmi është “çfarë kam dëgjuar unë nga një shok që ka parë një
tjetër që ka qenë aty”.
Mjerisht, kjo është fytyra e
një pjese të mirë të medias shqiptare. Një media që më shumë prodhon tallava
sesa informacion, ku sarkazma zë vendin e fakteve, dhe ku çdo studio televizive
është bërë një kazan rakie, ku dehja vjen jo nga alkooli, por nga arroganca,
injoranca dhe mosbesimi ndaj çdo etike profesionale.
Në këtë çorbë ku është zier
gjithçka — gazetaria, politika, shëndeti mendor, rakia dhe rrushi — një gjë
mbetet e qartë:
Ka shumë pak gazetarë dhe shumë
rrush të bërë uthull.
No comments:
Post a Comment