Nga Dijana TOSKA
Na kanë lodhur me krenarinë
tonë të lashtësisë.
Çdo krizë politike e morale e
përballojmë me një fjali të vetme: “Jemi një ndër popujt më të lashtë në botë!”
Ne lindëm bashkë me diellin,
tokën, Evën e Adamin i dhamë botës alfabetin, pastaj i rrezistuam të gjitha
furtunave historike ngase ishim trima legjendarë, pastaj na doli se gjatë
studimit të evoluimit të specieve dhe njerëzimit në përgjithësi në ADN tona,
informacioni gjenetik (te një pjesë e jona) na veçon për Kurvëri.
Prandaj, sot “të jesh kurvë”
nuk është më ofendim, është strategji.
Është formulë për mbijetesë
politike, për karrierë multiinstitucionale e shvaleraj mediatik.
Kur i shet idealet për një
karrige, kur i ndërron bindjet si çorapet e bardha sipas sondazheve, kur
nënshkruan marrëveshje e nuk i respekton kurrë, kur ligjet trajtohen si oferta,
e drejtësia si monopol, kur postet kalkulohen me monedha brenda një martese
qeveritare, atëherë nuk je më politikan.
Je kurvë me mandat.
Sot, nuk ka më ideologji,
bindje, program apo profesionalizëm e meritokraci.
Sot, ka treg, ka klientë dhe ka
çmime, varësisht nga aftësia për tu shitur.
Dhe kush nuk e shet veten,
mbetet jashtë tregut, pa çmim, pa vlerë dhe mbetet kërkushi.
Ata që dikur bërtisnin në
protesta, sot bëjnë pazare në zyrë.
Ata që dikur ishin “opozitë e
moralit”, sot janë seks politik me rrotacion.
Të gjithë kanë nga një dosje,
nga një bombë, nga një partner të fshehtë në koalicion e jashtë tijë, hynë
bashkë e mandej përçahen e shajnë njëri tjetrin, ama kurvërinë institucionale e
mbulojnë para kamerave televizive me buzëqeshje false.
Dhe qeshin me zë të lartë kur i
pyet kush se cili është çmimi i shërbimeve të tyre në një shtëpi publike me
emrin Shtet.
Dhe ne, populli i lashtë
pellazgo-ilir, nuk reagojmë, kemi bërë kompromis me moralin duke e pranuar
kurvërinë si kulturë shtetërore. Por, edhe nëse ndodhë të reagojmë e protesojmë,
këtë nuk e bëjmë pse udhëhiqemi nga idealet etike e qytetare, por pse ende
mundohemi t’i mbrojmë standardet false që na i imponon kjo kurvëri politike. Si
klientë të rregullt, të përdorur e të heshtur në vazhdimësi kemi paguar çmimin
më të shtrejtë, herë me djersën e ballit e diku edhe me ate të shpinës pa
kërkuar hesape e as kusur.
Në këtë bordello moderne që
quhet qeverisje demokratike, ne kemi mbetur të vjetër, jo të mençur.
Kurvëria na është bërë pjesë e
mendësisë!
No comments:
Post a Comment