Nga Mero Baze
Prokuroria ka komunikuar sot
akuzat për Erion Veliajn, Ajola Xoxën dhe i ka shtrirë më tej akuzat ndaj
gjashtë biznesmenëve, në përpjekje për të justifikuar arrestimin paraprak të
tij dhe linçimin në qeli.
Të gjashtë biznesmenët janë nën
akuza të ndryshme, kryesisht për korrupsion aktiv, pastrim parash apo fitime të
padeklaruara, meqë kanë bashkëpunuar me fondacionin kulturor të Ajola Xoxës si
sponsorë.
Ndërkohë, në shtëpinë e hetimit
është futur i gjithë rrethi familjar dhe fisi i Ajola Xoxës — që nga babai i
vdekur, nëna, xhaxhai, tezja, kushdo që mund të lidhet.
Ky zgjerim i rrethit jo vetëm
për hetime, por edhe për marrje të pandehurish, është një përpjekje për të
justifikuar në opinion zbulimin e një grupi “armiqësor” të rrezikshëm. Në të
vërtetë, është një formë torturimi psikologjik e social ndaj të akuzuarve, duke
i futur në konflikt me gjithë fisin dhe miqtë e tyre, vetëm sepse nuk faktohen
dot akuzat për korrupsion.
Disa biznesmenë janë nën akuzë
thjesht sepse kanë dhënë donacione; të tjerë sepse i kanë shitur banesë; të
tjerë sepse i kanë dhënë zyrë me qira. Pra, janë në një farë mënyre nën akuzë
pse njohin Ajola Xoxën, pse e kanë kushëri apo pse e kanë vajzë.
Kjo formë e torturës familjare,
fisnore apo shoqërore, e përdorur si mjet nënshtrimi për të kapur të pandehurin
kryesor, është në fakt radiografia më e saktë e një prokurorie të politizuar
dhe të fokusuar jo te vepra penale, por te emri i personit që ka vendosur të
dënojë.
Shtrirja e akuzës te
biznesmenët që kanë dhënë donacione për një OJQ që bënte shfaqje në Operan e
Tiranës, apo te gjithë rrethit familjar, është thjesht një skemë torture për të
poshtëruar dhe vendosur në pozitë të vështirë sociale — gati mbijetese — të
akuzuarin kryesor, për të cilin nuk mund të lidhen dot faktet me veprën penale.
Të favorizuar dhe nga sjelljet
politike të shumicës në pushtet, që po përpiqet të mbushë me të drejtë
boshllëkun që ka lënë Veliaj në Tiranë me katër ministra, dhe padyshim të
inkurajuar nën zë nga disa ndërlidhës të tyre me pushtetin që kontrollon
drejtësinë brenda PS-së, kjo skemë po merr përmasa edhe më viktimizuese për
Veliajn dhe rrethin e tij shoqëror dhe familjar.
Tani që nuk gjejnë dot asnjë
fakt pse Erion Veliaj duhet të mbahet 7 muaj në burg pa akuzë, dhe të ruhet
sikur është Bin Ladeni, kemi përballë një listë me gjashtë biznesmenë të
akuzuar dhe gjithë rrethin familjar të tij dhe të gruas nën hetim — vetëm që të
krijohet ideja se “ku ka zë, nuk është pa gjë”.
Kjo skemë shantazhi dhe
presioni mbi gjashtë biznesmenë dhe rrethin e tyre familjar tani do të
zhvendoset te gjyqtarët e GJKKO-së, që të “ruajnë nderin” e prokurorëve. E
vetmja shpresë që kjo histori të zbardhet mbetet kalimi në Gjykatën e Apelit
dhe më tej në Strasburg.
Deri atëherë, këta prokurorë do
të vazhdojnë të forcojnë hijen e rëndë të një pushteti jashtë kontrollit dhe
jashtë çdo standardi të lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, ku jo vetëm
që të heqin të drejtën për t’u mbrojtur, por për shkak tënd vuan i gjithë fisi
dhe rrethi yt shoqëror — njësoj si në kohën e Arianit Çelës, ku prioritet ishte
biografia dhe jo faji.
Por edhe atëherë, deri te motra
dhe vëllai shkonte. Tek dajat, tezet dhe shokët... vetëm këta po e çojnë.
No comments:
Post a Comment