Sot po zhvillohen homazhet në
nder të regjisorit të shquar shqiptar Dhimitër Anagnosti.
Familjarë, kolegë apo qytetarë
kanë mbërritur në Hollin e Teatrit të Operës dhe Baletit.
Homazhet pritet të zhvillohen
deri në orën 13:00.
Regjisori i shquar shqiptar
Dhimitër Anagnosti mbylli sytë përgjithmonë një ditë më parë në moshën
89-vjeçare.
Kush ishte Dhimitër Anagnosti?
Dhimitër Anagnosti lindi në
Vuno më 23 janar 1936 është një nga regjisorët shqiptarë më të rëndësishëm të
shekullit XX.
Shkollën fillore e kreu në
fshatin e lindjes dhe shkollën unike dhe të mesme të përgjithshme i kreu në
Vlorë. Më 1954 – 1960 ndoqi Institutin Kinematografik “VGIK” të Moskës, ku u
diplomua për kinooperator.
Së bashku me Viktor Gjikën
xhiruan si punë diplome filmin “Njeriu kurrë nuk vdes”, një ekranizim i
tregimit të Ernest Heminguejt, i cili u vlerësua me Çmimin e Parë në Festivalin
Botëror të Shkollave Kinematografike, që u zhvillua në Holandë më 1961.
Filloi punë si operator në
Kinostudion “Shqipëria e re” në 1961, me filmin “Debatik” (1961) e më pas me
filmin “Toka jonë” (1964). Xhiroi edhe të parin film dokumentar me ngjyra
“Gurët dekorativë”.
Filmin e parë si regjisor e
realizoi në vitin 1966, së bashku me Viktor Gjikën, “Komisari i dritës” dhe një
vit më vonë i vetëm si regjisor filmin “Dueli i heshtur”.
Në karrierën e tij 40-vjeçare
ka realizuar 14 filma artistikë, 10 filma dokumentarë, ka fituar mjaft çmime në
konkurse të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare. Është autor i 15 skenarëve dhe
pothuajse në të gjithë filmat e tij skenarin e ka shkruar vetë.
Anagnosti ishte njeriu i
mendimit të lirë, këmbëngulës në mbrojtjen e pikëpamjeve të tij, me një kurajë
qytetare, e cila e ka vënë shpesh në shënjestër të mediokërve.
Për cilësitë e tij të rralla
artistike, si dhe për veprat e tij dinjitoze është nderuar me titullin “Artist
i Popullit”, 1987 dhe me kupën e karrierës në Festivalin e 10të Filmit
Shqiptar. Viti 1991 e gjen të impenjuar në lëvizjen demokratike për pluralizmin
në Shqipëri, motiv për të cilin zgjidhet edhe deputet i Partisë Demokratike në
Kuvendin e Shqipërisë (1991-1996). Në 12 prill 1992 u emërua ministër i
Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, post të cilin e mbajti deri në 4 dhjetor 1994,
ku dha dorëheqjen.
Anagnosti ishte ideator dhe
kryetar i Fondacionit për Artin dhe Kulturën “Fan Noli”, duke mbështetur
intelektualët më aktivë, duke u impenjuar në forcimin e kulturës shqiptare në
vend e në botë.
Në vitin 2001 shkroi, dhe vuri
në skenë në Teatrin Kombëtar dramën e vetme “Nata e trokitjeve në xham”. Ndërsa
në vitin 2005 korri sukses me filmin e tij më të fundit “Gjoleka, djali i
Abazit”, film i nderuar me dy çmime ndërkombëtare në Itali.
Anagnosti ishte i martuar me
aktoren e mirënjohur të skenës dhe ekranit shqiptar, “Artisten e Merituar” Roza
Anagnosti.
No comments:
Post a Comment