Në Konferencën Kombëtare “Integriteti gjyqësor përballë tundimit të konformizmit: Reflektime mbi guximin moral të magjistratit”, Kryetari i Gjykatës së Lartë dhe i Këshillit Drejtues të Shkollës së Magjistraturës, Prof. Dr. Sokol Sadushi, theksoi se sfida më e madhe që përballet sot sistemi i drejtësisë nuk është vetëm korrupsioni i hapur, por konformizmi i heshtur.
Ai paralajmëroi se mosveprimi, pritja dhe shmangia e marrjes së vendimeve në kohë rrezikojnë të minojnë besimin e qytetarëve tek drejtësia. “Integriteti nuk është virtyt abstrakt – është rebelim ndaj indiferencës dhe konformizmit”, u shpreh Sadushi, duke apeluar për një kulturë të re guximi dhe përgjegjësie brenda sistemit gjyqësor.
Reagimi i plotë:
“Integriteti gjyqësor përballë tundimit të konformizmit:
Reflektime mbi guximin moral të magjistratit”
KONFERENCË KOMBËTARE
Dimensioni i integritetit në funksionin e magjistratit.
Angazhimi ndaj drejtësisë
“Integriteti gjyqësor përballë tundimit të konformizmit:
Reflektime mbi guximin moral të magjistratit”
Prof. Dr. Sokol Sadushi
Kryetar i Gjykatës së Lartë dhe Kryetar i Këshillit Drejtues
të Shkollës së Magjistraturës
Të nderuar magjistratë dhe të ftuar,
E ndjej si një detyrim profesional dhe moral që, në këtë panel
ku tema është llogaridhënia, guximi moral dhe respektimi i sundimit të ligjit,
të flas hapur dhe të mos jem konformist. Jo për të rënë në një vetëkënaqësi
institucionale, por për të ndarë me ju disa të vërteta që, edhe pse i kam
shprehur më parë, mbeten aktuale dhe kërkojnë të ritheksohen.
Sistemi ynë i drejtësisë po kalon prej vitesh një transformim
të thellë. Shqipëria po hyn gradualisht në vitin e dhjetë të përpjekjes për të
ndërtuar besimin tek drejtësia. Pavarësisht arritjeve të shumta dhe të
prekshme, sistemi i drejtësisë po ndeshet me problematika serioze. Ai po
përjeton krizën e efiçencës dhe të efektivitetit në gjykim, të shkaktuar nga
mbingarkesa dhe vonesat në dhënien e drejtësisë. E shohim çdo ditë se si
çështje jetike për individë, shtresa vulnerabël, biznese apo komunitete të ndryshme
zvarriten për vite me radhë. Pafuqia për të vendosur shpejt dhe me
profesionalizëm po i shndërron organet brenda sistemit në struktura me ndikim
të kufizuar. Dhe këtë nuk na e thonë vetëm raportet ndërkombëtare. Madje më
qartë na e thotë qytetari, qoftë edhe me heshtjen e tij.
Nga pozicioni i Kryetarit të Gjykatës së Lartë, vërej një
rrezik të heshtur që po shfaqet në organet e sistemit të drejtësisë: rënia në
rehati konformiste. Ndoshta nuk konstatohen shkelje flagrante të ligjit, por ka
më shumë heshtje, mosveprim në kohë dhe pasivitet. Nuk shfaqen haptazi ndikime
të drejtpërdrejta në sistem, por duket se ato janë zëvendësuar me presione të
heshtura, të rafinuara, por njëlloj të dëmshme. Nuk është fjala për vendime të
padrejta, por për vendime që nuk merren në kohën e duhur. Dhe ky është,
ndoshta, rreziku më i madh i kohëve tona: një drejtësia që nuk vepron në kohë;
një drejtësi që pret.
Reforma në drejtësi ka sjellë transformimin pozitiv të
sistemit duke prodhuar edhe një shtysë të domosdoshme për ndryshim dhe për
edukim. Megjithatë, sot jemi në një realitet ku ndershmëria shpesh shoqërohet
me frikë, ku integriteti ndonjëherë mbetet i izoluar, ndërsa konformizmi gjen
terren më të lehtë se guximi për të vepruar ndryshe. Prandaj, më shumë se
kurrë, kemi nevojë për një vetëdije kolektive për drejtësinë, si themel i
shtetit dhe i shoqërisë.
Është folur gjatë për ndërtimin e institucioneve të reja, për
vetingun, për pavarësinë nga politika, por më pak flitet për sprovën më të
vështirë me të cilën përballet çdo magjistrat: sprovën e ndërgjegjes. Pikërisht
këtu lind nevoja për të reflektuar mbi integritetin gjyqësor përballë tundimit
të konformizmit dhe për guximin moral për të qëndruar në anën e drejtë, atëherë
kur kjo është më e vështirë.
Korniza ligjore parashikon mekanizma për të luftuar
korrupsionin, për të shmangur mungesën e përgjegjshmërisë apo mangësitë
profesionale, por nuk parashikon mekanizëm për ta mbrojtur magjistratin nga
tundimi i konformizmit.
Për gjyqësorin modern konformizmi përfaqëson një prej sfidave
më delikate. Ai paraqet një tension të përhershëm midis përmbushjes së rolit
formalist të gjyqtarit dhe nevojës për kurajo morale e pavarësi
profesionale.
Rreziku që iu kanoset sot magjistratëve nuk vjen doemos nga
pushtetet e tjera, por nga faktorë të tjerë të rrezikshëm, ndoshta edhe për
shkak të faktit se janë të padukshëm, të heshtur, por të vendosur për të
arritur synimet e tyre. Në këtë realitet, konformizmi përpiqet të fitojë
terren. Ai është më pak i zhurmshëm se korrupsioni, por po aq i rrezikshëm sa
ai.
Konformizmi manifestohet në forma të ndryshme:
Në hezitimin për të marrë vendime që mund të prishin qetësinë
institucionale;
Në dëshirën për të mos u ekspozuar nën frikën e përballjes me
kritikë apo me ndëshkime karriere;
Në pranimin pasiv të sjelljeve jo etike të kolegëve me
arsyetime si: “kjo nuk është puna ime”, “nuk ke se ç’bën”, apo më keq, duke e
konsideruar si “çështje që nuk më takon mua”, megjithëse një sjellje a veprim i
tillë ngarkon me peshë të gjithë sistemin.
Këto janë shenja të një sistemi ku mungon guximi, dhe që pa e
kuptuar minojnë së brendshmi pavarësinë institucionale dhe individuale të
magjistratit. Konformizmi të bën të heshtësh, të shmangesh, të mosveprosh,
megjithëse e drejta shkelet. Ai krijon një sistem ku edhe magjistrati i
ndershëm, ndonjëherë, zgjedh të mos jetë i guximshëm. Prirja për të mos prishur
status quo-në, apo për të ndjekur mendimin e shumicës, thjesht sepse është më e
rehatshme, por jo e drejtë, është një nga dukuritë negative të sistemit.
Është e lehtë të themi se duam drejtësi të pavarur. Por si
përkthehet kjo në praktikë? A kemi magjistratë që guxojnë të mbrojnë të
drejtën, edhe kur ajo sfidon interesat politike, ekonomike apo rrjedhën e
zakonshme të rasteve? A kemi magjistratë që veprojnë pa frikë, pa u tunduar nga
opinioni publik, nga titujt e portaleve apo nga mënyra e reagimit të
strukturave më të larta shtetërore? Sigurisht që kemi, por a mund të themi se
ata dominojnë? Këto janë pyetje që duhet t’i bëjmë vetes.
Ndoshta përgjithësimet nuk vlejnë, por është fakt se drejtësia
përballet me presione konstante, politike, ekonomike dhe në raste jo të pakta,
edhe kriminale. Presioni nuk vjen domosdoshmërisht me kërcënim. Ai shfaqet me
oferta, me afrimitet, me rehati institucionale, ose, më rrezikshëm, përmes
ndjesisë së dorëzimit, me shprehje të tilla se “kjo nuk është puna ime”, “nuk
ia vlen”, “kjo punë nuk bëhet”, etj, etj.
Ne nuk mund ta mohojmë se presioni është real, por kjo nuk
duhet të na paralizojë. Nëse dorëzohemi, kemi humbur jo vetëm funksionin, por
edhe legjitimitetin për ta ushtruar atë. Dhe pikërisht këtu lind nevoja për
integritetin jo si virtyt abstrakt, por si akt rebelimi ndaj indiferencës dhe
konformizmit.
Integriteti nuk është vetëm mospërfshirje në korrupsion. Është
koherencë mes ligjit dhe ndërgjegjes. Magjistrati me integritet është ai që
zgjedh të mos e shkel ligjin, por ta zbatojë atë; ai që përballë një opinioni
të zhurmshëm publik, qëndron i palëkundur në bindjen se drejtësia nuk është
çështje shumice, por çështje dinjiteti personal dhe institucional.
Legjitimiteti i magjistratit buron nga pranimi prej shoqërisë
i pushtetit që ai ushtron. Ideja e pranimit të vendimit të magjistratit
mbështetet tek besimi. Qytetari, në shumicën e rasteve nuk mund të analizojë nëse vendimi është
drejtësisht i argumentuar, por ai duhet të besojë se vendimi është marrë në
mënyrë të ndershme. Pikërisht vendimmarrja është pasqyrë e vlerave të sistemit
që duhet të pasqyrojë ndershmëri intelektuale dhe guxim për të shpjeguar jo
vetëm “çfarë thotë ligji?”, por “pse e zbatojmë në këtë mënyrë?”.
Në shumë raste, vendimet janë të rregullta nga pikëpamja
formale, por nuk duhet të jenë të ngurta dhe të mbyllura ndaj realitetit
shoqëror, sepse ndarja mes vendimit dhe realitetit dëmton besimin. Duhet të
kemi vendime që flasin jo vetëm me normën ligjore, por edhe me racionalitetin
dhe me ndjeshmërinë për drejtësi. Kjo është arsyeja pse integriteti i gjyqtarit
luan rol thelbësor për të ruajtur besimin publik në drejtësi dhe përse merr
rendësi në ndërveprimin dinamik ndërmjet gjyqtarit dhe shoqërisë.
Të jesh me integritet do të thotë të mos jesh i pandjeshëm
ndaj efektit që çdo vendim ka në publik. Në çdo sallë gjyqi, në çdo akt hetimor
që kryen, në çdo vendim që merr, magjistrati përcjell një mesazh për qytetarin
dhe për vetë sistemin. Dhe ky mesazh ose ndërton besim, ose e rrënon atë.
Kjo duhet parë si një mënyrë llogaridhënie, e cila nuk është
thjeshtë një procedurë, por përgjegjësi ndaj shoqërisë. Llogaridhënia fillon
aty ku gjyqtari pyet veten, jo vetëm “a po zbatoj ligjin?”, por “a po jap
drejtësi?”. Dhe nuk ka llogaridhënie pa vetëdije. Nuk ka vetëdije pa guxim. Dhe
nuk ka guxim pa një sistem që e mbron dhe ushqen integritetin, jo vetëm në
ceremoni të tilla si kjo, por në jetën e përditshme institucionale.
Prandaj drejtësia nuk mund të qëndrojë mbi një ligj të ftohtë
apo mbi një sistem formal kompetencash. Ajo qëndron mbi karakterin e
magjistratit, mbi guximin për të thënë të vërtetën, mbi përkushtimin për të mos
heshtur kur ligji përdhoset, mbi aftësinë për të dhënë drejtësi edhe kur askush
nuk na shikon, edhe kur tundimi për të mos reaguar është i fortë.
Ne duhet të shohim në rradhë të parë nga vetja. Shpesh ndodh
që për çdo problem që lind në sistem, zgjidhja kërkohet te ndryshimi i ligjeve.
Realisht, ajo që kemi më shumë nevojë sot nuk është tendenca ekstreme për sa më
shumë ligje, por nevoja për më shumë karakter, jo më shumë institucione që nuk
ndërveprojnë, por më shumë besueshmëri, e cila vjen vetëm nga mënyra se si
veprojmë dhe nga vendimet që marrim.
Prandaj, rëndësi të veçantë merr personaliteti i magjistratit,
përgatitja akademike, aftësia në komunikim, hobet që tregojnë përfshirjen
sociale, temperamenti që shfaq në ruajtjen e qetësisë dhe përqendrimit të
nevojshëm në marrjen e vendimeve të drejta, dhe mbi të gjitha, cilësia për të
mos u pajtuar me sjellje të padrejta dhe për të qenë i pakompromis përballë
normave që shkelen.
Për t’u theksuar, integriteti nuk është thjesht atribut i
mbajtësit të funksionit, por karakteristikë thelbësore e vetë funksionit. Kjo
është arsyeja pse besimi publik i drejtohet jo vetëm individit, por funksionit
të tij si gjyqtar a prokuror. Dhe qëllimi është i njëjtë: të garantohet një
drejtësi që është e drejtë, jo vetëm formalisht, por që perceptohet si e tillë
nga qytetari. Vetëm kështu integriteti nuk do të jetë një ideal i shkëputur nga
realiteti, por një ushtrim konkret i përditshëm, që e mban gjallë besimin e
qytetarëve tek sistemi i drejtësisë. Dhe vetëm atëherë magjistrati nuk do të
jetë thjesht zbatues i ligjit në mënyrë të verbër, por garant i vlerave që
bëjnë drejtësinë legjitime, njerëzore dhe të qëndrueshme dhe që kërkon guxim,
integritet, ndërgjegje të pastër e qëndrim të palëkundur përballë presioneve të
çfarëdolloj. Këtë duhet ta tregojmë me vendimmarrje të qëndrueshme,
profesionale e të guximshme.
Këto fjalë nuk kanë për qëllim moralizimin, por nevojën e
madhe për të ndërtuar të gjithë së bashku autoritetin e funksionit të
magjistratit mbi karakterin e fortë moral e profesional që duhet treguar. Nëse
e bëjmë këtë, çdo vendim që do të marrim, pavarësisht se njëra palë do të jetë
e humbur, do të mirëpritet. Misioni ynë nuk është të kënaqim të gjithë, qoftë
palët në proces, qoftë kolegët tanë apo çdo person tjetër të interesuar. Nga Ne
pritet të shfaqim të njëjtën ndjenjë drejtësie ndaj çdokujt, në çdo situate.
Vetëm kështu mund të arrijmë të realizojmë zbatimin e drejtë të ligjit dhe
dhënien e drejtësisë.
Detyra jonë është të mos heshtim kur drejtësia vonohet, të mos
shmangemi kur e drejta kërkon zë, të mos e fshehim mungesën e guximit pas
procedurave, të mos lejojmë që ndershmëria të mbetet e izoluar dhe të mos
heshtim përballë konformizmit. Dhe më e rëndësishmja: të ndërtojmë një kulturë
të re brenda sistemit, kulturën e guximit, të refuzimit të praktikave të
gabuara, të denoncimit të presioneve, të përballjes me interesat që përpiqen të
devijojnë rrjedhën e ligjshme të proceseve. Nëse Ne nuk guxojmë ta përmbushim
këtë mision brenda sistemit, nuk mund të presim besim nga jashtë.
Vetëm kështu, integriteti nuk do të mbetet një fjalë e bukur
në një konferencë – por do të bëhet shtylla e një drejtësie që nuk heshtë dhe
nuk dorëzohet.
Ju falënderoj për vëmendjen!
Tiranë, më 30.06.2025
No comments:
Post a Comment