Nga Baton Haxhiu:
Turpi nuk është më barrë, por metodë.
Poshtërimi nuk është më aksident, por strategji pushteti.
Sot Dimal Basha doli në një ceremoni për
nderimin e të zhdukurve.
Pamja ishte e rëndë, sepse aty ku pritej
përulje dhe heshtje, shfaqej kryetari i Kuvendit që ka firmosur një tekst ku
UÇK-ja quhet milici e drogës.
Ky është mbytja morale e një shoqërie që
shikon përballë saj një njeri të komprometuar dhe e duron.
Sepse kur turpi dhe poshtërsia bëhet
pjesë e ritualit shtetëror, ai nuk zhduket, por kthehet në normalitet.
Por kjo histori nuk është vetëm poshtërim
moral, është edhe poshtërim akademik.
Dimal Basha ka pranuar të jetë nënshkrues
i një punimi që e kriminalizon UÇK-në jo sepse e ka analizuar e kuptuar atë
tekst, por sepse nuk ka pasur fuqinë intelektuale për ta bërë.
Ai ka dashur vetëm të duket, të ketë
emrin në një shkrim ndërkombëtar, pa e ditur çfarë pasojash mbartte nënshkrimi
i tij.
Dhe sepse nuk ka pasur dije e aftësi të
shkruajë vetë, është përdorur si dekor nga autorja tjetër.
Në vend që të mbrojë një të vërtetë
historike, ai pranoi të japë emrin e tij si huazim, që teksti të poshtëronte
UÇK-në dhe ai vetë të shfaqej si studiues.
Ky është poshtërimi i dyfishtë, sepse nuk
është vetëm faji i nënshkruesit, por edhe turpi i atij që nuk e kuptoi as çfarë
nënshkroi.
Kështu shfaqet në sy të publikut jo si
mendje që prodhon dije, por si figurë që kërkon të ushqehet me dritën e të
tjerëve.
Ai nuk ka ofruar mendim, por vetëm emër.
Nuk ka lënë gjurmë akademike, por vetëm
njollë morale.
Dhe në këtë akt, UÇK-ja u poshtërua
qëllimisht, ndërsa ai u përdor për të blerë një dukje të rreme, një lavdi që
nuk i përkiste.
Ky është poshtërimi më i madh i tij, dhe
ndoshta më i tmerrshmi për shoqërinë.
Sepse një njeri që nuk kuptoi çfarë
nënshkroi si studiues, sot udhëheq një institucion që duhet të mishërojë dijen
dhe mençurinë e një kombi.
Por edhe më e rëndë është se ky skandal
nuk po arsyetohet vetëm nga ai vetë, por edhe nga ata që e mbështesin.
Vetëvendosja dhe anëtarët e saj vazhdojnë
të thonë nuk e ka shkruar ai, sikur kjo të ishte mbrojtje.
Në të vërtetë është dënim, sepse pranojnë
publikisht se kanë zgjedhur në krye të Kuvendit një njeri që firmos pa kuptuar.
Dhe kjo nuk është më vetëm poshtërim i
UÇK-së, është edhe poshtërim i institucioneve.
Vetëvendosja e ka vendosur Dimal Bashën
në krye të Kuvendit për ta turpëruar UÇK-në më shumë se çdo propagandë serbe.
Albin Kurti e di mirë se arma më e fortë
kundër kujtesës së luftës nuk është as Beogradi dhe as Moska, por një
bashkëautor që ka firmosur se ajo është milici e drogës dhe që sot mban vulën e
shtetit të dalë nga gjaku i saj.
Por më e rënda është se PDK, partia që
lindi mbi gjakun e asaj lufte, e ka votuar këtë njeri vetëm pse ai dha një
premtim publik të kotë.
Dhe me atë votë ajo nuk ka turpëruar
vetëm vetveten, por edhe çdo dëshmor që e ka bërë të mundur ekzistencën e saj,
duke e kthyer mbrojtjen e UÇK-së në monedhë pazari për pushtet.
Sa më shumë e arsyetojnë, aq më i rëndë
bëhet skandali.
Sepse nuk kemi më të bëjmë vetëm me një
bashkëautor që ka nënshkruar një tekst kriminalizues, por me një pushtet që po
zgjedh ta normalizojë kriminalizimin e UÇK-së.
Dhe kjo është pika më e ulët ku mund të
bjerë një politikë që dikur premtonte drejtësi.
Dhe këtu nuk është më fjala për një
parti, por për një njeri.
Albin Kurti po e instalon poshtrimin dhe
poshtërsinë si mënyrë jetese në qeverisje.
Ai po e mëson shoqërinë të pranojë se
turpi nuk është barrë, por metodë, dhe se poshtërimi nuk është aksident, por
strategji pushteti.
No comments:
Post a Comment