Kryetari i arrestuar i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka reaguar pas vendimit të djeshëm të Gjykatës së Lartë, e cila vendosi të lërë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj tij.
Në një deklaratë të shpërndarë për mediat, Veliaj e cilëson
vendimin si “jashtëzakonisht zhgënjyes”, ndërsa thekson se sot duhej të ishte
më pranë rikthimit në familje.
“Vendimi i Gjykatës së Lartë është jashtëzakonisht zhgënjyes.
Sot, unë duhet të isha një hap më pranë kthimit në shtëpi, pranë familjes sime.
Por, në vend të kësaj, ndodhem i burgosur dhe në izolim në IEVP Durrës, në
pamundësi për t’u takuar me këshilluesit e mi ligjorë ndërkombëtarë apo për të
pasur informacionin e nevojshëm për të mbrojtur veten”, shprehet Veliaj.
Ai shton se nuk do të heqë dorë nga përpjekjet ligjore, me
qëllim që të rifillojë detyrën si kryetar i Bashkisë së Tiranës.
“Unë do të vijoj të ndjek të gjitha rrugët ligjore në mënyrë
që t’i shërbej përsëri Tiranës”, përfundon deklarata.
Deklarata e Veliajt vjen mes shqetësimeve të ngritura edhe nga
avokatët e tij ndërkombëtarë, të cilët e konsiderojnë mbajtjen e tij në burg si
të padrejtë dhe në kundërshtim me të drejtat ndërkombëtare.
No comments:
Post a Comment