Gjiri i Gramës, i ndodhur në Gadishullin e Karaburunit, është një nga plazhet më spektakolare të jugut të Shqipërisë, një perlë që tërheq çdo vit mijëra turistë vendas dhe të huaj.
Gjiri i Gramës, i fshehur në vijëzimin bregdetar të
Karaburunit, është kthyer një ndër destinacionet e preferuara nga turistët
vendas dhe të huaj në bregdetin e jugut të Shqipërisë.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau në
rrjete sociale pamje nga ky gji, i cili mund të rroket përmes shtigjeve
këmbësore apo nga deti.
Gjiri i Gramës gjendet në rrëzën e shpatit perëndimor të malit
Rrëza e Kanalit, në perëndim të qytezës së Orikumit (Vlorës).
Gjiri detar futet disa qindra metra në tokë, ku formon një
bregdet shkëmbor me foleza. Aty ka dhe disa shpella nënujore.
Peizazhi natyror është shumë tërheqës për çdo vizitor. Ky gji
është përdorur shumë për mbrojtjen e anijeve nga stuhitë detare.
Gjithashtu ai është përdorur gjatë në Antikitet si gurore.
Gurorja e Gramës është mjaft e njohur që në lashtësi.
Detarët që strehonin aty anijet, punëtorët që nxirrnin blloqe
shkëmborë që përdoreshin për ndërtim në qytetet ilire e më gjerë, kanë gdhendur
edhe emrat në faqet shkëmbore e shumë të dhëna të tjera që bëjnë kureshtar
vizitorin.
Ndaj dhe shpesh shpella që ndodhet aty emërtohet si “Shpella e
shkrimeve”. Arkeologët i kanë studiuar dhe kanë shkruar për këto dokumente
historike të gdhendura në shkëmb.
Vlerat e këtij monumenti natyror janë shkencore, historike,
kulturore e turistike. Por sot ky gji i bukur detar shfrytëzohet si një plazh i
vogël e intim. Drejt tij shkohet me rrugë tokësore, por edhe detare.
Shfrytëzohet nga aventurierët e ujit dhe të shpellave.
No comments:
Post a Comment