Rusia tani “po prodhon tre herë më shumë municion brenda tre muajsh sesa e gjithë NATO-ja gjatë një viti”, deklaroi së fundi sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, për New York Times.
Radio Evropa e Lirë (REL) dhe Conflict Intelligence Team
(CIT), analizuan prodhimin e armëve ruse dhe perëndimore për të vlerësuar nëse
Rusia vërtet ka një epërsi kaq të madhe të prodhimit ndaj Shteteve të Bashkuara
dhe aleatëve të tij – dhe në cilat kategori armësh – artileri, municion, tanke,
aeroplanë, raketa, dronë dhe mbrojtje ajrore – secila palë ka epërsi.
Fakt apo ekzagjerim? Prodhimi i municioneve për artileri të
NATO-s dhe Rusisë
Nuk është hera e parë që Rutte pretendon se Rusia po e
tejkalon NATO-n sa i përket prodhimit të artilerisë. Në prill, gjatë një
interviste për CBS, ai tha se Rusia “po prodhon katër herë më shumë municion
sesa e gjithë NATO-ja prodhon për një vit”.
Zyrtarët ukrainas dhe perëndimorë vlerësojnë se Rusia kishte
prodhuar rreth 2-2.3 milionë municione për artileri më 2024, një rritje
krahasuar me rreth 1.25 milionë të prodhuara më 2022, teksa Moska po investon
shumë në zgjerimin e kapaciteteve të saj prodhuese.
Ndërkaq, SHBA-ja planifikon të rrisë prodhimin e predhave
155-milimetërshe në 1.2 milion në vit deri në fund të vitit 2025, teksa Evropa
prodhon pothuajse të njëjtin numër – vetëm në fabrikën Rheinmetall në Gjermani
planifikohen të prodhohen deri në 700.000 në vit – sipas vlerësimeve
konservatore.
Prodhimi aktual në SHBA i predhave është 40.000 në muaj, apo
pak më pak se gjysmë milioni në vit, që do të thotë se në total, SHBA-ja dhe
BE-ja kanë prodhuar rreth 1.7 milion predha këtë vit.
Për të prodhuar tri herë më shumë brenda tre muajve, ashtu siç
tha Rutte, fabrikat e Rusisë do të duhej të prodhonin një sasi masive prej 20.5
milionë predhash këtë vit.
Sipas analizës së CIT-it, zgjerimet e fabrikave në Bijsk,
Kazan dhe vende të tjera mund t’i lejojnë Rusisë të prodhojë rreth 4 milionë
predha 152-milimetrëshe dhe 122-milimetrëshe në vit.
Predhat kanë nevojë për armë
Rusia vazhdon të mbështetet shumë në rezervat e saj të
sistemeve të artilerisë të epokës sovjetike për predhat që prodhon, ndërsa
numri i obusëve që ka prodhuar ka rënë nga rreth 12.000 më 2022 në mbi 6.000 në
mesin e vitit 2024. Sipas analistëve të CIT-it, Rusia prodhon më pak se 100
obusë vetëlëvizës në vit të llojeve Msta-S, Giatsint-K dhe Malva.
NATO ka epërsi të qartë në këtë aspekt: Franca planifikon të
prodhojë 144 sisteme të artilerisë CAESAR në vitin 2025, ndërsa Polonia do të
dyfishojë prodhimin e AHS Krab në 100 njësi në vit. Sllovakia pritet të
prodhojë 40 obusë Zuzana, ndërsa SHBA-ja prodhon çdo vit 216 tuba topash për
armët M777.
Armët e rënda
Një aspekt ku Rusia me gjasë ka epërsi janë tanket.
Sikurse artileria, shumica e prodhimit të saj të tankeve vjen
nga riparimi dhe modernizimi i tankeve sovjetike që ka në stoqe. Kjo përbën
shumicën e rreth 1.500 tankeve që, sipas Christopher Cavoli, ish-komandant i
lartë i NATO-s për Evropën, pritet që Rusia t’ia japë ushtrisë së saj më 2025.
Megjithatë, Rusia ka rritur ndjeshëm prodhimin “nga e para” të
tankut të saj modern T-90M, duke prodhuar rreth 280 në vit.
Shumica e shteteve në Evropë, ndërkaq, prodhojnë shumë pak
tanke. Franca nuk ka prodhuar asnjë tank Leclerc që më shumë se një dekadë,
ndërsa Britania ka porositur 148 tanke të reja Challenger 3, që pritet t’i
dorëzohen deri në vitin 2030. Gjermania bën përjashtim, pasi prodhon 50 tanke
Leopard 2A8 në vit.
SHBA-ja 109 tanke M1A2 Abrams në vit – ushtria thotë se kjo
shifër mund të rritet deri në 420 nëse është e nevojshme – dhe po ashtu
modernizon deri në 200 modele më të vjetra.
Epërsia ajrore
Përderisa Rusia prodhon më shumë tanke, SHBA-ja dhe BE-ja ia
kalojnë të paktën për katër herë Moskës sa i përket prodhimit të aeroplanëve
luftarakë. Rusia vlerësohet se mund të prodhojë 50-60 aeroplanë luftarakë në
vit, përfshirë aeroplanë që mund të përdoren për qëllime të ndryshme sikurse
Su-57 dhe bombardues strategjikë sikurse Tu-160M2. Pavarësisht sanksioneve,
shteti po prodhon më shumë aeroplanë se para se të niste pushtimin e Ukrainës –
në vitin 2018, ushtria ruse kishte pranuar vetëm 36 aeroplanë të rinj
luftarakë.
Megjithatë, prodhimi i NATO-s është shumë më i lartë. Kompania
amerikane Lockheed Martin do të dorëzojë mbi 170 aeroplanë luftarakë F-35 këtë
vit, përveç dhjetëra aeroplanëve Rafale (Franca), Eurofighter Typhoon
(konsorciumi evropian) dhe Gripen (Suedia) që prodhohen nga vendet e BE-së dhe
aleatët e tjerë të NATO-s.
Mbrojtja ajrore
Teksa Rusia lëshon breshëri raketash në Ukrainë, dhe dronët
ukrainas godasin thellë brenda Rusisë, prodhimi i sistemeve të mbrojtjes ajrore
është vendosur në qendër të vëmendjes.
Sipas Military Balance, një vlerësim vjetor i kapaciteteve
ushtarake në mbarë botën, kishte 248 bateri S-400 në vitin 2024 dhe ka shtuar
edhe 18 të tjera në vitin 2025, që nënkupton një kapacitet prodhimi prej rreth
36 sistemesh në vit. Prodhimi i sistemeve të tjera, si Tor, Buk dhe Pantsir,
është më i vështirë për t’u vlerësuar, për shkak të mungesës së të dhënave.
Raytheon prodhon rreth 12 sisteme të mbrojtjes nga raketat
Patriot në vit, ndërsa kompania gjermane Diehl planifikon të prodhojë tetë
sisteme IRIS-T në vitin 2025, si dhe 800 deri në 1.000 raketa për to çdo vit.
NATO gjithashtu prodhon sistemin NASAMS, i zhvilluar nga Norvegjia dhe SHBA-ja,
i cili mund të përdorë raketat AIM-120 AMRAAM ose AIM-9X. SHBA-ja prodhon 1.200
përkatësisht 2.500 njësi të secilës raketë në vit.
Megjithatë, mungesa e të dhënave të plota e bën të vështirë të
përcaktohet qartë se sa sisteme dhe raketa të mbrojtjes ajrore prodhojnë të dy
palët. Ajo që është e qartë është se, me Ukrainën dhe Rusinë që vazhdojnë të
pësojnë goditje nga dronë të thjeshtë, normat aktuale të prodhimit nuk
mjaftojnë për t’i mbrojtur në mënyrë efektive nga një prej tipareve më të reja
dhe të qëndrueshme të kësaj lufte: dronët goditës të prodhuar në masë dhe me
kosto të ulët.
Lufta e dronëve
Sipas Ukrainës, Rusia prodhon çdo muaj afër 5.000 dronë me
rreze të gjatë veprimi të llojeve të ndryshme, apo 60.000 në vit. Këtu
përfshihen dronët sulmues Geran-2 (versioni rus i dronëve Shahed të Iranit) dhe
Gerbera, një dron që nuk ka municion dhe përdoret si dron mashtrues me qëllim
që të mbingarkojë sistemet ukrainase të mbrojtjes ajrore.
NATO-ja aktualisht nuk prodhon asnjë dron të krahasueshëm me
këta dronë të lirë kamikazë, ndërkaq SHBA-ja ka zgjedhur që të përdorë
fluturake pa pilot shumë më të kushtueshëm, sikurse Reaper dhe Global Hawk.
Rusia po ashtu prodhon mbi 200 raketa lundruese dhe balistike
në muaj, sipas agjencisë së inteligjencës ushtarake të Ukrainës, duke bërë që
prodhimi vjetor të arrijë nga 2.400 deri në 3.000 raketa. SHBA-ja, ndërkaq,
vlerësohet se prodhon 700 raketa lundruese të llojit JASSM dhe 500 raketa
balistike ATACMS në vit.
Kjo bën që Rusia të ketë epërsi sa i përket dronëve kamikazë
dhe lundrues.
Në rast të një lufte mes Rusisë dhe NATO-s, mbrojtja ajrore e
NATO-s do të ishte në një pozicion më të mirë për të neutralizuar kërcënimin
nga dronët, krahasuar me mbrojtjen ajrore të Ukrainës, e cila ka vuajtur nga
mungesa e aeroplanëve luftarakë që nga fillimi i pushtimit, thanë analistët nga
CIT.
Teksa Rusia ka përparësi në prodhimin e raketave, mbrojtja e
saj ajrore, që shpesh ka vështirësi edhe kundër dronëve të thjeshtë ukrainas,
ka gjasa të ketë probleme serioze për të mbrojtur hapësirën ajrore të vendit
nga raketat e NATO-s./REL


No comments:
Post a Comment