Rama, i cili mbush 60 vjeç në korrik, e bazoi fushatën e tij zgjedhore mbi premtimin se do të shtynte përpara procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Ai tani beson se negociatat do
të përmbyllen deri në vitin 2027 dhe se “brenda vitit 2030 do të jemi anëtarë
të BE-së”. Shqipëria, e cila iu bashkua NATO-s në vitin 2009, është kandidate
për anëtarësim prej më shumë se një dekade.
“E gjithë qasja ndaj procesit
ka ndryshuar në mënyrë dramatike,” tha ai.
“Tani ata [BE-ja] janë shumë të
etur për të ecur përpara … Me agresionin rus gjithçka ndryshoi, kështu që, në
njëfarë mënyre, edhe Vladimir Putin e bëri këtë – e bëri Evropën shumë më të
interesuar për t’u bashkuar.”
Ai sheh një efekt të ngjashëm
mbi BE-në edhe nga banori i ri i Shtëpisë së Bardhë dhe është “100% i bindur që
fitorja e Donald Trump është një gjë e mirë për Evropën.” Rama tha se fitorja e
Trump e tronditi Evropën nga përgjumja e saj dhe solli “një shpirt shqetësues”
që botës i duhej.
“Mendoj se kur Trump thotë se
Zoti e shpëtoi sepse kishte një plan për Amerikën, ai thotë vetëm gjysmën e së
vërtetës. Zoti e shpëtoi sepse kishte një plan edhe për Evropën – për ta zgjuar
atë,” u shpreh Rama.
Më vonë këtë vit, kryeministri
shqiptar – dikur piktor – do të nisë një tur falënderimi nëpër komunitetet e
diasporës që, për herë të parë, patën mundësinë të votonin në zgjedhjet e
muajit të kaluar, duke ndihmuar në sigurimin e një fitoreje të thellë. Më shumë
se 500 mijë shqiptarë etnikë besohet se jetojnë vetëm në Greqi.
Shpresa e Ramës është që t’i
tërheqë ata të kthehen në vendlindje:
“Sepse tani pagat tona janë
shumë afër me ato në Greqi – dhe këtu është shtëpia.”
Por kreu i Partisë Socialiste,
i gjatë 2.01 metra dhe ish-basketbollist në rini, ka edhe kritikët e tij.
Akuza për korrupsion në
shoqërinë shqiptare janë të përhapura. Po ashtu edhe akuzat për autoritarizëm
në rritje – Rama do të jetë udhëheqësi më jetëgjatë në Shqipëri që nga
diktatori brutal Enver Hoxha – ndonëse admiruesit dhe zyrtarë të BE-së në
Bruksel i quajnë këto akuza të pakuptimta.
Një ish-ministër i BE-së u
shpreh: “Edi është më i madh se vetë jeta. Problemi i tij është se ai është
shumë i madh për vendin e tij – dhe nuk po i referohem vetëm shtatlartësisë.”
Nëse Shqipëria ia del të
anëtarësohet në BE, Rama tha se do të ishte “momenti i duhur dhe më i
mrekullueshëm për të dorëzuar stafetën.”
Do të ishte një arritje
personale, por gjithashtu do të “ndihmonte Evropën të bëhej më pak e mërzitshme
dhe më e ndritshme.”
No comments:
Post a Comment