Kantina Duka – Shije shqiptare që udhëton botën

Reklamë

LAJMI I FUNDIT:

Post Top Ad

Your Ad Spot

Thursday, June 26, 2025

Ardian Kastrati: Nuk ngatërrohet Islami me regjimin e sotshëm të Iranit

 Po i shoh në rrjete sociale disa nga Kosova që i dalin kundër SHBA-së duke i dalë në mbrojtje Iranit.



O shqiptarë të Kosovës, Irani i sotshëm nuk është liria jonë, – është fundi ynë!

A e kemi harruar kaq shpejt vitin 1999?

Kur Kosova digjej, fëmijët vdisnin nën tytat serbe e gratë na dhunoheshin, ishte Amerika, ishin Forcat Ajrore të NATO-s, ishte Izraeli që lobonte për intervenim humanitar për me nxjerrë Kosovën nga errësira. Ndërsa, ambasadori palestinez në Beograd e përkrahte Millosheviçin e sot Irani i shet mijëra dronë Vuçiçit.

Disa nga ne, që dikur i puthnim tanket amerikane në vitin 1999, sot shpesh e ngatërrojmë lirinë me regjime si ai i Iranit shiit – një pushtet që përçan botën myslimane dhe eksporton terrorizëm.

Irani i AJETOLLAH KHOMEINIT nuk është fe – është tirani!

Po e ngatërrojmë Islamin me regjimin e Iranit. Ai regjim është eksportuesi më i madh i terrorizmit global, duke përdorur milicitë si Hezbollah, Hamas, Houthi – njësoj siç përdorte Millosheviçi Arkanin për të shuar Kosovën.

Tirania e Teheranit të sotshëm, me ideologji të ngjashme të regjimeve ballkanike të viteve '90, nuk është alternativë për ne shqiptarët – as fetarisht, as shpirtërisht, as politikisht, as historikisht.

Shqiptari i vërtetë nuk mbështet shtypësin – as kur ai flet në emër të Zotit!

Populli iranian vetë po ngrihet kundër regjimit të vet. Gratë e Iranit burgosen për flokë të pambuluara. Studentët atje përndiqen pse shkruajnë poezi. Dhe ne – që s’e lexojmë as historinë, nuk pyesim çfarë feje është kjo?

Në emër të fesë, Teherani i Mullaheve përdhos çdo gjë për ta mirëmbajtur aparatin shtypës të një teokracie fashiste.

Mos të tregohemi të pashpirt ndaj gjakut të dëshmorëve, duke lavdëruar mullahët!

Kujtimi i Jasharëve, Haradinajve e i gjithë atyre që ranë për liri nën flamurin kuqezi nuk pajtohet me ndonjë entuziazëm ndaj Iranit të sotshëm – një regjim që urren gjithçka që përfaqëson sot Kosova: pluralizmin, sekularizmin, barazinë gjinore, aleancën me Perëndimin dhe lirinë individuale.

Kush jemi ne sot, nëse qajmë për Teheranin, ndërsa dje i falnim jetën Perëndimit?

Sot shpesh shfaqemi të humbur – me mjekra të stilit mesjetar, duke shpërndarë propagandë iraniane, mallkuar Izraelin dhe lavdëruar Hamasin që vret civilë e përdor fëmijë si mburoja njerëzore.

Po pse e harrojmë atë që ishte arma jonë më e fortë: besimin në lirinë e njeriut, jo në diktaturën që fshihet pas simboleve fetare?

Shqiptaria nuk ndërtohet mbi doktrinën e Teheranit – por mbi gjakun e dëshmorëve të UÇK-së!

Nëse nuk mësojmë të dallojmë midis besimit të pastër dhe ideologjive totalitare, atëherë jemi duke rrezikuar vetë qenien tonë si komb.

Nëse Iranit të sotshëm i japim zemrën tonë – nesër ndoshta do të justifikonim edhe Millosheviçin, mjafton të vishej ai me rroba fetare dhe ta përmendte fjalën “Zot”.

Mirëpo, duke qenë kundër Iranit dhe Hamasit nuk do të thotë të mbështesim vrasjen e civilëve në Gaza.

Po ndodh një tragjedi e tmerrshme ndaj civilëve në Gaza – por nuk mund ta harrojmë se kjo luftë nisi kur Irani, i frikësuar nga paqja që po afrohej mes Izraelit dhe botës arabe pas Marrëveshjeve Abrahamike, urdhëroi Hamasin të sulmojë.

Ishte provokim i qëllimshëm për të djegur çdo shpresë për paqe. Dhe tani, vuajnë civilët palestinezë, hebrenj e të gjithë.

Po, ne duhet të qëndrojmë me drejtësinë dhe me viktimat – por jo me terrorin e Iranit të sotshëm.

Paqja e vërtetë ndërtohet mbi liri, jo mbi ideologji.

No comments:

Post a Comment

Post Top Ad

Your Ad Spot