Kantina Duka – Shije shqiptare që udhëton botën

Reklamë

LAJMI I FUNDIT:

Post Top Ad

Your Ad Spot

Wednesday, June 25, 2025

Lufta në Lindjen e Mesme hyn në një fazë të re

 Për të nisur një luftë mjafton vetëm një palë, por se për ta përfunduar atë nevojiten të gjitha palët e përfshira. Në këtë krizë të fundit të Lindjes së Mesme, iniciativa ka kaluar nga Izraeli te SHBA-ja dhe tani tek Irani, i cili tani duhet të vendosë nëse sulmi i SHBA-së është fillimi i fundit apo fundi i fillimit.

 


Nga Richard N. Haass

 

Tashmë ndodhemi në fazën e tretë të krizës aktuale në Lindjen e Mesme. Në dy fazat e mëparshme, iniciativa ishte fillimisht në duart e Izraelit dhe më pas të Shteteve të Bashkuara. Tani ajo i ka kaluar Iranit.

 

Për ta përmbledhur: Në fazën e parë, Izraeli, i shqetësuar se Irani i ishte afruar ndjeshëm zhvillimit të armëve bërthamore, sulmoi objektiva ushtarake iraniane, instalacione bërthamore dhe figura lidershipi. Qeveria izraelite, më e kujdesshme pas sulmit të Hamasit më 7 tetor, nuk ishte më e kufizuar nga frika e hakmarrjes nga aleatët iranianë që ajo i kishte dëmtuar, apo nga aftësia mbrojtëse e vetë Iranit, të cilën Izraeli e kishte dobësuar gjithashtu.

 

Faza e dytë e luftës u iniciua nga SHBA-ja, e cila goditi tre instalacione që ishin qendrore për programin bërthamor të Iranit. Bombarduesit B-2 hodhën disa bomba të mëdha “bunker buster” (shkatërruese të strehimeve nëntokësore) mbi kompleksin e pasurimit të uraniumit në Fordow dhe Natanz, ndërsa nëndetëset amerikane lëshuan raketa Tomahaëk ndaj objektit bërthamor në Isfahan.

 

Për të dyja palët, Izraelin dhe SHBA-në, kjo ishte një luftë e zgjedhur: ekzistonin edhe mundësi të tjera. Për më tepër, sulmet ishin parandaluese, në kuptimin që një shpërthim bërthamor iranian ishte një kërcënim në rritje, jo një kërcënim i afërt. Është më pak e qartë pse SHBA-ja veproi pikërisht në atë moment, përveç faktit se diplomacia dukej e pafrytshme dhe se kishte një mundësi për ta kryer misionin me rrezik minimal për forcat amerikane. Megjithatë, si Izraeli ashtu edhe SHBA-ja e kishin humbur durimin me Iranin, i cili po pasuronte uranium në nivele që kishin kuptim vetëm nëse synimi ishte zhvillimi i armëve bërthamore, jo prodhimi i energjisë elektrike.

 

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se sulmet që kishte urdhëruar ishin një sukses spektakolar ushtarak dhe se tre objektet iraniane ishin “shkatërruar plotësisht.” Kjo ende nuk është vërtetuar. Vlerësimi i dëmit nga bombardimet në rrethana të tilla kërkon kohë dhe është po aq art sa edhe shkencë.

 

Më e rëndësishmja është se, ndonëse sulmi mund të ketë arritur të shkatërrojë tre objektet e përzgjedhura, ai dështoi në kuptimin më të gjerë për të eliminuar përpjekjet e Iranit për të zhvilluar armë bërthamore. Në fakt, kjo është pothuajse e sigurt, pasi Irani ka pasur kohë të mjaftueshme për ta zhvendosur uraniumin e pasuruar, centrifugat e avancuara dhe teknologjinë tjetër të lidhur me bombën në vende të shumta që për momentin mbeten të panjohura.

 

Çfarë duhet të presim atëherë nga Irani? Po shkruhet shumë për opsionet hakmarrëse të Iranit. Irani mund të zhvillojë luftë kibernetike kundër objektivave në SHBA ose në mbarë botën. Mund të ndërmarrë veprime të ndryshme terroriste kundër civilëve, bizneseve dhe ambasadave amerikane. Mund të sulmojë rreth 40,000 trupa amerikane në Lindjen e Mesme, si dhe infrastrukturën energjetike të fqinjëve të tij arabë. Mund të ndërhyjë më tej në transportin detar në rrugët ujore lokale, qoftë drejtpërdrejt ose përmes një përfaqësuesi si Huthët e Jemenit.

 

Por nuk është e qartë nëse Irani do të bëjë ndonjë nga këto tani. “Sulmi” ndaj bazës amerikane në Katar sinjalizoi se Irani dëshiron të shmangë përshkallëzimin e mëtejshëm dhe ekspozimin ndaj më shumë sulmeve që synojnë ekonominë e tij dhe udhëheqësit e tij ushtarakë dhe politikë. Si rezultat, Irani ka të ngjarë të përqendrohet në mbështetjen e regjimit brenda vendit, për të siguruar mbijetesën e tij.

 

Me kalimin e kohës, Irani gjithashtu mund të pritet të përpiqet të rindërtojë programin e tij të armëve bërthamore, pasi shumë atje do të gjykojnë se sulmet izraelite dhe amerikane nuk do të kishin ndodhur kurrë nëse Irani do të kishte një pengesë bërthamore. Diplomacia nuk ka gjasa ta pengojë Iranin të ketë sukses, që do të thotë se, me ose pa një armëpushim, sulmet e Izraelit ose të SHBA-së mund të jenë të nevojshme sa herë që dhe kudo që zbulohet se Irani po kryen punë të lidhura me armët bërthamore.

 

Ky realitet do t’i bëjë shumë njerëz të argumentojnë se vetëm një ndryshim i regjimit do ta parandalojë shfaqjen përfundimtare të një Irani të armatosur me armë bërthamore, një zhvillim që do të përbënte një kërcënim ekzistencial për Izraelin dhe do të bënte që  më shumë vende në rajon të blinin armë bërthamore. Nuk është çudi që ne tashmë po dëgjojmë thirrje për ndryshim regjimi nga disa në Izrael dhe në SHBA.

 

Por ndryshimi i regjimit është më i lehtë të thuhet sesa të bëhet. Ai priret të ndodhë kur ka një opozitë të brendshme të fortë dhe të organizuar, një regjim në rënie ose një fuqi të jashtme të gatshme dhe të aftë të rrëzojë lidershipin, të pushtojë vendin dhe të vendosë një pasardhës. Asnjë nga këto kushte nuk ekziston në Iran. E gjithë kjo do të thotë se ata që janë jashtë vendit do të bënin mirë ta bazonin politikën ndaj Iranit në supozimin se qeveria aktuale ose diçka e ngjashme me të do të jetë në pushtet për të ardhmen e parashikueshme.

 

Është një e vërtetë e njohur se për të nisur një luftë mjafton vetëm një palë, por se për ta përfunduar atë nevojiten të gjitha palët e përfshira. Në këtë krizë të Lindjes së Mesme, iniciativa tani është në duart e Iranit. Vetëm sundimtarët e tij mund të vendosin nëse sulmi i SHBA-së është fillimi i fundit apo fundi i fillimit. Është e vështirë të ekzagjerohet se sa varet nga përgjigjja e tyre.

No comments:

Post a Comment

Post Top Ad

Your Ad Spot