Gazetari Ben Andoni shpalosi një sërë reflektimesh për situatën në Lindjen e Mesme, duke e cilësuar gjendjen në Gaza si “në shkallën e një gjenocidi” dhe duke akuzuar Perëndimin për standarde të dyfishta në raport me demokracinë.
“Po ndodhin masakra, po vriten fëmijë, po zhduken familje të
tëra. Dhe këto trauma do mbeten përjetë në ndërgjegjen e këtyre brezave,” u
shpreh Andoni. Ai vuri në dukje se dhuna ekstreme po e rrënjos urrejtjen
patologjike tek fëmijët palestinezë, duke krijuar një cikël të pafund dhune.
Sipas Andonit, ndërsa Irani, Hezbollahu dhe Houthit vijojnë të
jenë faktorë destabilizues, është e çuditshme mënyra si po sillet Arabia
Saudite. “Ata kanë bërë krime si vrasja e gazetarit në Turqi, por Perëndimi s’u
kërkon llogari. Demokracia aty është e pashkelur vetëm për interesin ekonomik,”
tha ai me ironi të hidhur.
Përsa i përket Katarit, Andoni e vlerësoi si një vend të vogël
me ndikim të madh diplomatik: “Ka arritur të ruajë pozicion institucional në
krizë, duke negociuar pa hedhur benzinë në zjarr.”
Në vijim, ai shtoi se Shtetet e Bashkuara po përpiqen të
çlirojnë Izraelin nga barrat diplomatike, por nuk po arrijnë ta ndalojnë nga
veprimet brutale. “Izraeli ka dalë jashtë kontrollit dhe ka shkelur çdo
marrëveshje për zgjidhjen me dy shtete. Gaza, Bregu Perëndimor dhe lartësitë
Golan janë kthyer në xhepa të izoluar mjerimi,” shtoi Andoni, duke kujtuar
vizitat e tij në ato territore.
No comments:
Post a Comment