Gazetari Ilir Demalia solli në vëmendje 100-vjetorin e flotës detare shqiptare, por edhe të vërtetat historike të fshehura apo të shtrembëruara gjatë dekadave.
“Është dita e tyre dhe i uroj më të mirat. Të shtojnë
aktivitetin, të shtojnë anijet,” tha
Demalia, por menjëherë shtoi me skepticizëm: “Çështja e ditës së saj është pak
e dyshimtë”.
Duke e lidhur diskutimin me historinë personale, Demalia
përmendi Admiral Abdi Matin, babain e të ftuarit, si një figurë kyçe në
historinë e flotës shqiptare. “Ai ka qenë në krye të flotës në një kohë krize
botërore,” tha ai.
Zamir Mati ndau disa fakte të rëndësishme, duke u bazuar në
dokumente historike. Ai sqaroi se qeveria e Mbretit Zog kishte nënshkruar dy
marrëveshje të fshehta me Italinë në vitet 1925 dhe 1926, që ia hiqnin
Shqipërisë të drejtën e mbrojtjes së bregdetit. “Italia merrte përsipër
mbrojtjen dhe vendoste flotën e saj luftarake në territorin shqiptar,” tha
Mati.
Sipas tij, anijet shqiptare të asaj kohe, të njohura si
"Elko", kishin vetëm funksion kundër kontrabandës dhe jo luftarak.
“Një nga oficerët e ekuipazhit ishte doganier. Anijet shërbenin për financat,
jo për luftë,” sqaroi ai.
Mati theksoi se në vitin 1933, me vendim të komandës ushtarake
të Zogut, këto anije dolën jashtë përdorimit. “Kishim një tokë marinarësh me 38
veta, por pa anije. Historia duhet treguar ashtu siç është, jo siç na
leverdis,” përfundoi ai.
“Ne e kemi bërë historinë në çorap,” shtoi Demalia, duke
reflektuar për mënyrën se si janë trajtuar faktet historike në Shqipëri.
No comments:
Post a Comment