Në emisionin “N’xhiro me Syçin”, piktori dhe balonisti Zamir Mati rrëfen historinë e pasionit të tij për balonat dhe mënyrën si kjo dashuri e vogëlishme u shndërrua në një traditë të madhe në Tiranë.
“Balonat janë pasioni im që në vogëli,” thotë Mati, duke
kujtuar kohën kur në Durrës, pranë baltave dhe kantierit detar, ai mësoi të
luante me to. “Babai na i bënte balonat shumë bukur dhe dilnin fluturonin,”
shpjegon ai duke treguar ndikimin e familjes në këtë pasion.
Mati tregon se e nisi vetë këtë aktivitet kur vajza e tij
ishte vetëm tre vjeçe: “Një ditë thashë, po bëj dhe unë atë që më bënte babai i
madh. Bëra një balon dhe shkova te fusha e aviacionit. U turën kalamajt e
lagjes dhe u bë një grup i vogël çunash e gocash.” Megjithëse balonat
shkatërroheshin shpejt nga loja, kjo nuk i ndaloi të krijonin një traditë të
re.
“Një vit përgatita një seri balonash dhe ftova disa miq të mi,
mes tyre edhe inxhinier Gent Çelon,” rrëfen Mati. “U organizua dita e parë e
përbashkët dhe u bë si festë kombëtare. Ishte një ditë e mrekullueshme, me
dritë që i jepte jetë dhe optimizëm Tiranës.”
Ai kujton gjithashtu sfidat e fillimit: “Kur bëra ato 20
balonat e para, s’i dija t’i bëja aq mirë sa sot, por shtëpia u mbush me to.
Babai im dhe nëna ime nuk mërziteshin, përkundrazi prisnin të vinte darka që të
provoja balonat në rrugën e Durrësit.”
Falë mbështetjes së drejtuesve të qytetit dhe pallatit të
pionerëve, festa u bë tradicionale. “Fillova të mendoj si ta organizoj më mirë,
dhe drejtuesit kryesorë të qytetit më ndihmuan shumë,” thotë Mati. “Tani çdo
vit të gjithë vijnë me balonat e veta dhe kjo është bërë një festë e madhe.”
Moderatori Ilir Demalia vlerëson iniciativën e Mati: “Është e
jashtëzakonshme se si një pasion i vogël mund të kthehet në një ngjarje që
bashkon komunitetin dhe i jep jetë qytetit.”
No comments:
Post a Comment