Kryeministri Edi Rama, njëherazi kryetar i Partisë Socialiste, në një takim me deputetët e Partisë Socialiste, në Pallatin e Brigadave, pas fitores në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, deklaroi se mandati i katërt qeverisës është një përgjegjësi historike për të vijuar transformimin e vendit dhe për ta çuar Shqipërinë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian brenda kësaj dekade.
“Urime dhe falenderime njëkohësisht! Urime të gjithëve bashkë
për fitoren e arritur bashkërisht dhe faleminderit gjithkujt ndër ju për vlerën
e shtuar që solli secili dhe secila këtu, në këtë arritje historike për Partinë
Socialiste”, u shpreh Rama.
Sipas tij, Partia Socialiste nuk është një qëllim në vetvete,
por një mjet për të realizuar qëllimet e zhvillimit dhe përmirësimit të vendit.
“As fitorja në zgjedhje nuk është qëllim në vetvete, por për
të arritur qëllimet duhet të fitosh zgjedhjet. Fitoret nuk na duhen për të
mundur të tjerët, nuk është sport edhe pse ngjan shumë me sportin. Fitoret na
duhen për të përmbushur misionin historik që kemi, për të ndryshuar përgjithnjë
Shqipërinë, duke zhvilluar ekonominë, garantuar drejtësinë, përmirësuar arsimin
dhe shëndetësinë, forcuar sigurinë, rritur reputacionin ndërkombëtar të atdheut
tonë dhe bërë histori me anëtarësimin e vendit tonë në Bashkimin Europian
brenda kësaj dekade”, theksoi Rama.
Rama theksoi nevojën për vetëkorrigjim të thellë brenda
partisë.
“Përsëri këtë herë po akoma më shumë se çdo herë, me ende më
shumë thellësi e vendosmëri do ta nisim nga vetja për ta ndarë mendjen si duhet
mbi disa gjëra që duhen parë ndryshe, duhen kuptuar ndryshe dhe duhen bërë
ndryshe, në nivelin e udhëheqjes së partisë, grupit parlamentar padyshim dhe
kur flas për nivelin e udhëheqjes kam parasysh pikërisht këtë grup udhëheqësish
që është këtu”, u shpreh Rama.
Ai kërkoi mirëkuptim të plotë brenda forcës politike, për të
siguruar edhe qytetarët shqiptarë, si dhe partnerët europianë, se mandati i
katërt do të përdoret si një “fuqi vetëkorrigjuese” për të garantuar progres
dhe anëtarësim të vendit në BE.
“Jemi ngjitur aq lart sa askush nuk e ka besuar dhe duke u
përpjekur të reflektoj për pse-në dhe si-në e kësaj ngjitjeje, unë besoj se mbi
të gjitha, kjo ka ndodhur sepse kemi arritur të nxjerrim më shumë nga vetja pas
çdo fitoreje. Ne e dimë si një dhe një bëjnë dy, se sa më shumë të
vetëkorrigjohemi ne, aq më shumë do të përmirësohet Shqipëria dhe përfitojnë
shqiptarët dhe do të garantohet anëtarësimi në BE brenda kësaj dekade”, tha
Rama.
Ai kujtoi se për Partinë Socialiste, çdo moment ka qenë i
ndërlidhur me fatin e vendit.
“Unë bashkë me disa të tjerë këtu, gjithmonë e më pak në fakt
nga koha e vjetër, siç do të thoshte Lasgushi, e kemi parë këtë familje të
madhe në errësirë dhe në dritë, në dëshpërim dhe në plotëbesim, përtokë dhe në
fluturim. Sa më mirë ka qenë kjo parti aq më mirë ka qenë për Shqipërinë,
ndërsa kur kjo parti nuk ka qenë mirë, as Shqipëria nuk ka qenë mirë. Dhe sa më
jo mirë ka qenë kjo parti, aq më jo mirë ka qenë për Shqipërinë. Kjo është
historia e të gjitha viteve të ekzistencës së PS-së”, deklaroi Rama.
No comments:
Post a Comment