Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka lëshuar një paralajmërim për "egoizmin" mes udhëheqësve europianë, pasi një përplasje diplomatike e ashpër shpërtheu mes saj dhe presidentit francez Emmanuel Macron.
Përplasja nisi të premten gjatë
samitit të Komunitetit Politik Europian në Shqipëri.
Gjatë këtij samiti, Meloni nuk
u ftua të marrë pjesë në një telefonatë të përbashkët me Donald Trump-in.
Ajo u tha gazetarëve italianë
se ishte përjashtuar për shkak të refuzimit të saj për të dërguar trupa në
Ukrainë, si pjesë e një "koalicioni të të gatshmëve" që ishte
propozuar.
Presidenti Macron, i cili ishte
në telefonatë së bashku me kryeministrin britanik Keir Starmer, presidentin
polak Donald Tusk dhe kancelarin gjerman Friedrich Merz, akuzoi Melonin për
përhapje të dezinformatave.
"Diskutimi ishte për një
armëpushim, të mos përhapim informacione të rreme. Ka mjaftueshëm nga ato që
vijnë nga Rusia," tha presidenti francez.
Meloni u takua me kancelarin
Merz në Romë, një ditë përpara inaugurimit të Papës Leon XIV, në një përpjekje
për të zbutur tensionet.
Megjithatë, pas takimit ajo u
bëri thirrje të gjithë liderëve të "lënë mënjanë egoizmin" dhe të përqendrohen
në ndërtimin e një fronti të bashkuar për një marrëveshje paqeje që nuk
nënkupton dorëzimin e Ukrainës.
Mediat italiane e përshkruan
mungesën e kryeministres nga telefonata në samitin e Shqipërisë si një
përjashtim të qëllimshëm, duke sugjeruar se Macron nuk kishte dëshiruar
pjesëmarrjen e saj.
Të shtunën, Meloni tha për
gazetarët se Italia është e gatshme të bashkohet me çdo format ndërkombëtar që
synon t'i japë fund luftës, por paralajmëroi kundër përçarjeve brenda
Perëndimit.
"Uniteti perëndimor ka
qenë forca jonë më e madhe që nga fillimi i pushtimit rus," tha ajo.
"Në një moment kaq delikat, është e rëndësishme të lëmë mënjanë çdo dallim
personal që mund ta minojë atë unitet."
Në takimin në Romë, kancelari
Merz tha: "Nuk duhet të lejojmë që të përçahemi."
Ai shtoi: "Do të zhvilloj
bisedime në BE gjatë ditëve në vijim dhe do të përfshij Italinë në të gjitha
përpjekjet tona për të zgjidhur këtë konflikt."
Raportet mes Melonit dhe
Macron-it janë prej kohësh të ftohta. Meloni është kapur edhe nga kamerat duke
rrotulluar sytë pasi i ka dhënë dorën presidentit francez në takime të
mëparshme.
Kryeministrja italiane ka qenë
një mbështetëse e fortë e Ukrainës dhe ka ndërtuar gjithashtu marrëdhënie
personale të afërta me Donald Trumpin. Por ajo ka qenë shumë kritike ndaj
planeve për të dërguar trupa në Ukrainë si paqeruajtës për të monitoruar një
armëpushim të përhershëm.
Prej disa ditësh, Meloni është
nën presion të madh nga opozita dhe kritikët në Itali, të cilët thonë se ajo po
anashkalohet nga udhëheqësit europianë. (The Telegraph)
No comments:
Post a Comment