Në emisionin “N’xhiro me Syçin”, gazetari dhe analisti Ben Andoni u ndal tek një prej temave më të debatueshme të shoqërisë shqiptare: elitat dhe roli i tyre në zhvillimin apo stagnimin e vendit. Biseda e zhvilluar me Ilir Demaliajn dhe Ben Andonit vë në qendër një analizë të thelluar historike dhe sociologjike mbi figurat elitare shqiptare, nga periudha e Rilindjes deri në ditët e sotme.
Ilir Demalia hapi diskutimin duke theksuar se Shqipëria
historikisht ka pasur vetëm dy periudha me elita të vërteta: ajo e Rilindjes
Kombëtare dhe ajo e viteve '30, ku figura si Luigj Gurakuqi, Fan Noli e At
Gjergj Fishta dhanë kontribut të jashtëzakonshëm në ndërtimin e shtetit dhe
identitetit kombëtar. “Nëse krahasojmë parlamentin e vitit 1924 me atë të
sotmin, gjendja është alarmante”, – u shpreh Demalia, duke i cilësuar elitat
aktuale si jo të denja për emrin që mbajnë.
Sipas tij, me ardhjen e regjimit komunist, elitat shqiptare
kaluan nga përfaqësues të dijes dhe shërbimit publik, në individë që i shërbyen
të keqes dhe interesit personal. “Nuk ka elitë kur mungon përgjegjësia sociale
dhe mendimi kritik. Nuk mund të quhet elitë dikush vetëm pse ka mbaruar disa
shkolla. Elita bëhet përmes kontributit në shoqëri”, – theksoi ai, duke marrë
si shembull pikërisht kontributin e Ben Andonit në fushën publike.
Ndërkohë Ben Andoni thotë se nuk mjafton arsimimi apo titujt
për t’u quajtur elitë, por kontributi real në shoqëri, mendimi kritik dhe
qëndrimi ndaj pushtetit janë ato që e përcaktojnë këtë rol. Në analizën e tij
përmes letrave të intelektualëve shqiptarë ndër vite, Andoni vëren një mungesë
të thellë besimi mes individëve dhe paaftësi për përballje të ndershme, çka
sipas tij e ka penguar krijimin e një elite të qëndrueshme në vend.
No comments:
Post a Comment