Në një intervistë të dhënë për emisionin “N’xhiro me Syçin” të gazetarit Ilir Demalia, kandidati për deputet i Partisë Socialiste, Erion Braçe, hodhi akuza ndaj kandidatit të opozitës, Tomor Alizoti.
“Është një klonë,” u shpreh
Braçe, duke iu referuar Alizotit. “Hiqet herë si i djathtë, herë shkon pas
ndonjë komunisti ekstremist. Nuk ka profil, nuk ka qëndrim, është një
lavjerrës.” Braçe ironizoi edhe mbi të kaluarën dhe profesionin e Alizotit,
duke thënë: “Ky mund të ketë punuar berber, por unë mund t’i dhuroj një palë
gërshërë. Puna është nder, por këtu nuk bëhet fjalë për profesionin, por për
sjelljen publike.”
Ai kritikoi ashpër përdorimin e
konceptit të “familjes” nga Alizoti për të fituar kapital politik. “Ky koncept
i familjes është kthyer në biznes. Shikoni Donald Trump-in, sa martesa e fëmijë
ka. Apo neonazistët në Gjermani. Këto janë fasada. Këtu përdorin familjen si mbulesë
për mungesën e vlerave.” Braçe akuzoi Alizotin për përçmim ndaj të varfërve dhe
përdorim të biografisë familjare në mënyrë manipulative: “Gjyshi i tij ka qenë
bashkëpunëtor i pushtuesve italianë. Unë nuk kam dashur ta përmend, por kur ai
përçmon të varfërit, atëherë duhet t’i themi disa gjëra. Kush përçmon të pamundurit,
s’është qenie njerëzore.”
Sipas Braçes, Tomor Alizoti vuan nga një “kompleks i madh inferioriteti” dhe përpiqet ta mbulojë këtë duke sulmuar të tjerët dhe duke përdorur retorikë boshe. “Ka shumë si ky që hyjnë e dalin nga parlamenti. Janë klona, pa thellësi, pa ide.”
No comments:
Post a Comment