Në emisionin “N’xhiro me Syçin”, një produksion i gazetarit Ilir Demalia, i ftuar këtë javë ishte ish-Presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu. Me një karrierë të gjatë si ushtarak dhe drejtues i lartë shtetëror, Moisiu dha një intervistë me tone kritike dhe vizionare për të ardhmen e sigurisë kombëtare të Shqipërisë dhe shqiptarëve në rajon.
Duke folur për situatën aktuale të
mbrojtjes në vend, Moisiu theksoi se Shqipëria duhet të ketë një strategji
serioze dhe afatgjatë në bashkëpunim të ngushtë me Kosovën. “Duhet të kemi një
strategji kombëtare për mbrojtjen e kombit si një i vetëm, edhe pse jemi dy
shtete,” u shpreh ai.
Moisiu theksoi se marrëveshjet me shtete si
Kroacia dhe Austria janë hapa pozitivë, por jo të mjaftueshëm. Sipas tij, vendi
ynë ka nevojë për një strategji të mirëfilltë, të mbështetur në përvojë
profesionale dhe bashkëpunim të qëndrueshëm me Kosovën në fushën e sigurisë dhe
mbrojtjes.
“Është koha të mendojmë për mbrojtjen
kombëtare jo vetëm përmes ushtrisë, por përmes një platforme strategjike që
mbështetet te përvoja, vullneti politik dhe vizioni afatgjatë,” u shpreh
ish-Presidenti.
Në intervistën me Demalian, Moisiu kritikoi gjithashtu faktin që institucionet shqiptare shpesh nuk i konsultojnë figurat me përvojë, si ish-presidentë, ish-ministra apo drejtues ushtarakë. “Askush nuk më ka thirrur për këshilla. Ndërkohë që në shumë vende përvoja vlerësohet, këtu lihet pas dore. Kjo tregon mungesë vullneti dhe ndoshta edhe një kompleks inferioriteti,” tha ai. Sipas Moisiut, shteti nuk ndërtohet me improvizime, por “tullë pas tulle”, duke respektuar përvojën dhe dijen.
No comments:
Post a Comment