Në një intervistë ekskluzive për emisionin “N’xhiro me
Syçin”, gazetari Ilir Demalia zhvilloi një bisedë të thellë dhe kritike me
ish-Presidentin e Republikës, Alfred Moisiu. Në qendër të diskutimit ishte
procesi i transformimit të ushtrisë shqiptare pas viteve ‘90, roli i
institucioneve dhe përgjegjësitë e paadresuara që, sipas Moisiut, e çuan
sistemin ushtarak drejt shkatërrimit.
Ish-presidenti e cilësoi atë që ndodhi me ushtrinë shqiptare si një “krim”, duke theksuar se nuk bëhej fjalë më për një gabim, por për një veprim me pasoja të rënda kombëtare. Ai shtoi se “gabimi kaloi në krim” dhe se pandëshkueshmëria është një plagë që ka dëmtuar rëndë shtetin shqiptar.
Moisiu ngriti shqetësimin se shefi i Shtabit të
Përgjithshëm, si figura më e lartë ushtarake, nuk mund të jetë thjesht një
zbatues urdhrash nga ministri i Mbrojtjes, por një këshilltar i rëndësishëm për
presidentin e Republikës, siç përcakton edhe Kushtetuta. Ai kritikoi mënyrën se
si janë marrë vendimet strategjike dhe e quajti të papranueshme që drejtimi i
ushtrisë t’i lihej njerëzve pa eksperiencë ushtarake, duke përmendur raste kur
gazetarë janë vendosur në poste kyçe. Në fund, Moisiu bëri thirrje për
riorganizimin e institucioneve të sigurisë dhe kthimin e profesionalizmit në
strukturat ushtarake, për të shmangur rreziqe të përsëritura në të ardhmen.
No comments:
Post a Comment