E tronditur nga disfata, e shushatur nga rezultati marramendës i Ramës dhe e pa përgatitur për atë çfarë do ti thotë militantëve, të cilët deri në 11 Maj i përkundi me iluzionin se ramizmit i kish ardhur fundi në Tiranë përkrah me sorosizmin në ShBA, Partia Demokratike e ka humbur Nordin.
Drejtuesit e saj janë të gatshëm të zihen në rrugë me
reporterë trushpëlarë, që përsërisin tezat e regjimit; deputetët e
saporizgjedhur kanë marrë si detyrë kryesore diskreditimin e çdo palaçoje që
përsërit refrenin e dalë boje se “nuk u vodhën votat, por humbi Berisha”; ato
pak media të kontrolluara nga opozita e shpenzojnë kohën duke i’u vërsulur
flamurtarëve të relativizimit, që predikojnë se “ka pasur parregullësi, por që
nuk prekin thelbin e rezultatit”.
I gjithë ky frustrim buron nga një paradoks: PD bërtet se
gjendemi nën diktaturë, por ende vepron sikur të ishte në demokraci. Ekzistenca
e regjimeve i merr për të mirqenë lakejtë, daullexhinjtë, tellallët, servilët.
Denoncimi dhe përqeshja e tyre ka vlerë vetëm në sisteme lirie.
Mjafton evidentimi i kësaj kontradikte të vogël, pra ai i
shpenzimit të energjisë me shtresën me të zvjerdhur të shoqërisë, për të
kuptuar kaosin ku gjendet partia kryesore e opozitës.
E gjitha kjo sjellje dëshmon për triumfin e mllefit në vend
të vënies në punë të arsyes, për dorëzimin përballë të pamundurës, si dështim
ndaj përpunimit të një qasjeje të re.
Por, këtej e tutje, PD është e dënuar të mos bëjë asgjë si
deri më tani. Pasi nuk e ka ndaluar dot Ramën, në tre sfida me radhë dhe me dy
liderë të ndryshëm përballë, ajo duhet të ndryshojë thellësisht.
Ky transformim kalon përmes dy sakrificash kryesore. Së
pari, duke i dhënë fund delirit të vetë konsideruarit si parti e madhe, po duke
vepruar këtej e tutje si parti e vogël. Së dyti, duke mbyllur fabulën e të
qenit një parti e sistemit, për t’u shndërruar në një forcë anti sistem. Le të
shpjegojemi…
Ç’do me thënë një PD, këtej e tutje, e vogël? Natyrisht,
çdokush me bonsensin minimal do të këmbëngulte se, me gjysëm milionë
mbështetësit që mori, sidomos në kushte mizorisht të pabarabarta, PD mbetet e
madhe. Ajo – me diferencë nga opozitat e
reja – është qartësisht forca kryesore antiqeveritare në vend.
Por, problemi nuk qëndron tek numrat. Ai është tek impakti
real që kanë. Tek fuqia për të influencuar përmes tyre. A nuk është raskapitur
PD-ja pa arriur të ngrejë një komision hetimor? A i’a ka dalë dot ndonjë
objektivi minimal, si psh të zhvillojë një interpelancë me kryeministrin? A e
ka shfrytëzuar dot të drejtën për të shqyrtuar në Kushtetuese përdhosjen e
mandatit nga ndonjë deputet i shumicës? A është dëgjuar, qoftë edhe ndonjëjerë
në të rrallë, për ndryshimin e ndonjë neni të vetëm të buxhetit, apo për ndonjë
rezolutë të përbashkët të parlamentit? Natyrisht jo, pasi në sisteme
autokratike influenca e opozitave është zero.
Por, mund të thotë dikush: po a nuk pati rol presioni i
gjatë i opozitës në prangosjen e Veliajt? Edhe për ata, që ndryshe nga unë nuk
shohin në këtë akt një lëvizje të urdhëruar nga lart, sërish ka një përgjigje.
Ç’vlerë pati ky arrestim? A nuk u rrit PS me numra në Tiranë edhe pa Lalin? A
vazhdojnë pagesat për inceneratorin, a përdoret po njësoj administrata e
politizuar e bashkisë, a vijojnë po të njëjtit tenderë dhe po të njëjtët
klientë? A nuk tregon kjo se Veliaj qe thjeshtë ingranazhi i zëvendësueshzm,
mungesa e të cilit nuk e pengoi dot asnjë ditë funksionimin e së njëjtës
makineri kriminale? Pra dhe te kjo “fitore e madhe” impakti i PD ka qenë zero.
Edhe në këto zgjedhje ashtu si gjatë viteve të fundit, fuqia
e saj për të ndryshuar diçka ka qenë e papërfillshme. Mundësia për të ndikuar
mbi jetën e njerëzve dhe për të transformuar rrjedhën e shoqërisë ka qenë po
ashtu e njëjtë.
Ajo është sot një opozitë e tredhur përballë një qeverie që
ka asfiksuar gjithçka përreth saj, çdo kundër pushtet dhe çdo institucion të
pavarur. PD-së i është hequr mundësia për të përmbysur pushtetin me votë. Dhe
ky është fundi i iluzionit të asaj që mund të konsiderohet si parti e madhe,
pra si një forcë që përmes betejave elektorale mund të prodhojë rotacion. Edhe
teorikisht edhe praktikisht, nën regjimin e Ramës, ky propabilitet ka rënë.
Prandaj këtej e tutje PD duhet të ndryshojë qasje dhe strategji duke u sjellë
si një parti e vogël. Duke e nisur punën nga zero. Jo duke iu drejtuar
shoqërisë me sloganin grandoman se boll të votoni një herë për mua dhe gjithçka
ndryshon, por duke u sjellë si forcat e reja që së pari reken ta ndërgjegjësojë
atë për të vërtetën e tyre.
Kjo e vërtetë është se vendi po jeton në një periudhë anti
demokratike.
Por ajo nuk hedh dot rrënjë duke gënjyer në çdo sfidë
elektorale se fitorja është pranë dhe ajo arrihet përmes votës. Duke u sjellë
kështu PD-ja, në mënyrë sa idiote po aq edhe naive, ka bërë lojën e fasadës së
regjimit. Pra, ndërsa ajo pretendon se gjërat arrihen përmes zgjedhjeve, ajo ka
pranuar indirekt ekzistencën e demokracisë.
Në këtë qasje të re nuk mund të ketë më vend për parruallat
delirante se Rama ka dhe pak ditë jetë, se Shqipëria do çlirohet pas 11 majit e
budallallëqe të tjera të ngjashme. Në vend të tyre ajo është e dënuar të flasë
për një rrugëtim të vështirë brenda një tuneli, të cilit ende nuk i shihet
fundi.
Një parti e madhe e kërkon pushtetin shpejt, një e vogël e
sheh atë si procesin e aderimit të shoqërisë drejt tezave të saj. Të parat duan
të rikthehen në institucionet ekzistuese të dytat synojnë paraprakisht
delegjitimimin e tyre.
Kjo e fundit duhet të jetë dhe sfida reale e një PD-je që
kërkon ti bëjë ristart kpmpiuterit të saj. Nëse është bindur vërtet se në
Shqipëri është vendosur narkodiktatura ajo duhet të rishikojë qëndrimin me çdo
institucion të këtij regjimi? Fjala vjen si do të jetë qasja ndaj paralamentit
të ri? A ka më kuptim që opozita të parakalojë aty me solemnitetin qesharak të
katër viteve që shkuan, e bindur se në atë sallë nuk arrin dot më asgjë? Meqë
bojkotin përfundimtar dhe djegjen e mandateve i kanë anatemuar për një kohët të
gjatë si një gafë personale të Lulzim Bashës, a nuk do të qe më mirë ti ruanin
ato pesëdhjetë vende duke u paraqitur një herë në gjashtë muaj pa qenë realisht
prezent në kuvend? A mos vallë është më efikas injorimi i këtij institucioni
sesa mbajtja gjallë e iluzionit se ajo është një arenë pluraliste, ku palët
përleshën? A i shkon më shumë për shtat idesë së mungesës se demokracisë një
sallë me karriget bosh, apo ajo ku opozita lufton por në fund përdhunohet?
E njëjta gjë vlen edhe për qëndrimet ndaj drejtësisë së re
dhe sidomos SPAK-ut? A mund të ketë më iluzione ndaj tyre kur faktet e
pakundërshtueshme dëshmojnë se pikërisht në kohën e Dumanit, Rama u bë
politikisht më i fortë se kurrë? Po, në këtë situatë të re, a kanë më kuptim
thirrjet debile të deputetëve opozitarë ndaj rivaleve të tyre se “shumë shpejt
do të përfundoni në dyert e SPAK-ut”? A duhet mbajtur më publiku i dyzuar në
këtë ëndërr mashtruese? A ka më kuptim që opozita të vijojë me denoncime në
Prokurorinë e Posaçme vetëm se kjo e fundit prangos herë pas here ndonjë
politikan të lartë si keqbërës ordiner, por nuk pengon të për asnjë çast
funksionimin e sistemit kriminal?
Këto dy shembuj, që mund të pasohen edhe nga shumë të tjerë
kanë vlerë për të treguar se PD-ja duhet ti japë fund dilemës që me gojë
denoncon diktaturën por me veprime sillet sikur jeton në një sistem lirish. Që
të bëhet e besueshme në pretendimet e saj ajo duhet të tentojë të shkallmojë
edhe atë fare pak fasadë demokratike që i ka mbetur këtij regjimi.
Pikërisht ky objektiv na çon tek pika e dytë. Nëse ajo duhet
ti jap fund të sjellurit si parti e madhe për të vepruar si e vogël, bashkë me
të, ajo duhet të hapë edhe kapitullin e shndërrimit në një forcë anti sistem.
Për gati tre dekada ajo ka qenë një nga dy kolonat e ,këtij sistemi. Ai ka edhe
fytyrën e saj. Një pjesë e madhe e superstrukturës, e institucioneve,
oligarkëve bizneseve, mediave madje pse jo dhe bandave mbajnë vulën e saj. Për
të marrë një shembull flagrant: Pavarësisht se Reforma në Drejësi degradoi në
një armë kundër opoziës, ajo as nuk mund të koncepohej as nuk mund të merrte
formë pa pasur, qoftë edhe me pahir, miratimin e PD-së.
Por sot impakti i kësaj partie tek prokurorët apo
gjykatësit, aksesi në financime nga oligarkët në raport me rivalët,
dashamirësia e televizioneve të mëdha të fuqizuar në kohën e saj dhe mbështetja
e demokratëve të fortë të Laçit apo Mamurrasit, që dikur pretendonin se mund të
rrëzonin edhe qeveritë është pothuajse zero. Atëherë ç’vlerë ka poza qesharake
e të hequrit si pjesë e sistemit kur të gjithë elementët e tij, përfshirë edhe
banditët të kanë lënë në baltë?
Ndërgjegjësimi për këtë realitet të ri do e çlironte PD-në.
Sado i dhimbshëm të duket paraprakisht, pranimi i faktit se nuk është më një
parti e sistemit, do e detyronte të shkëpuste edhe lidhjet e fundit
nostalgjike, skrupujt miqësorë dhe interesat e mbetura financiare me ish
shërbëtorët e saj që sot kanë ndryshuar padron.
Fjala vjen pse i duhet Berishës të tregohet i kujdesshëm me
disa oligarkë, që nëse dikur kanë qenë yjet e modelit të qeverisjes së tij, sot
janë shëndërruar në financuesit e armikut që e kërkon të zhdukur? Se ndoshta i
pikon ende diçka? Po a ka vlerë kjo pikë uji në oqean përpara lumejve që
derdhen tek Rama me qëllim masakrimin e opozitës?
Një shëmbull tjetër: Ç’kuptim ka toleranca ndaj një
televizioni si Klan që i shërbeu si makineri poropogande për sa kohe ishte si
kryeministër, duke prodhuar madje dhe alibi për vrasjet e 21 janarit? A ia vlen
më inercia e ruajtjes së kësaj lidhje, përballë denoncimit të besueshëm të një
sistemi mediatik të ngjashëm me Rusinë putiniane?
Eshtë koha që opozita të ndërgjegjësohet që edhe nëse nuk e
ka pasur si zgjedhje të saj është vetë sistemi ai që e ka nxjerrë atë jashtë.
Transformimi nga një model oligarkiko- pluralist tek një tjetër,
oligarkiko-autokratik kërkonte me patjetër një flijim. Dhe ky fat i qëlloi
partisë numerikisht të dytë në vend.
Prandaj, sa më shpejt që PD-ja të kthjellohet se e kanë
shtyrë përdhunshëm në pozitën e një partie anti sistem, aq më të lehtë do e
ketë ti shkëpusë vargonjtë që e mbajnë lidhur me të shkuarën. E për rrjedhojë
aq më potencial do të ketë për të qenë e besueshme në denoncimin e regjimit.
Natyrisht, ashtu sikurse çdo trup që detyrohet ti
nënshtrohet një operacioni traumatik edhe ky transformim mund të shpjerë deri
tek vdekja e pacientit. Po a ia vlen edhe ky risk, sado i lartë, për një parti
që vazhdon të na kujtojë përditë se koha e solli në skenë enkas për tu
përballur me diktaturat? A nuk e tradhëton PD-ja edhe atë pak gjë që i ka
mbetur nga miti i dikurshëm, po nuk guxoi së paku edhe njëherë?
Natyrisht që po, pasi rruga tjetër është një agoni më e gjatë,
por ama me fund të pakthyeshëm. Pikërisht për të shmangur këtë ajo duhet të
sakrifikojë detyrimish dy gjëra: së pari të vetëndjerit si parti e madhe që ka
në dorë rotacionin dhe së dyti si forcë brenda sistemit. Duke u sjellë kështu
ajo s’bën gjë tjetër veçse mban gjallë atë fasadë demokracie që Rama po
mundohet ta ruajë me thonj.
Nërsa PD-ja është e dënuar ta shkallmojë atë. Jo si deri më
tani duke luajtur me iluzionin trampist
të Shqipërisë madhështore, që përkundi si përrallë gjatë fushatës, por nëse ka
ende fuqi, duke punuar për rikthimin e një Shqipërie normale. Dhe kjo vjen duke
këputur çdo urë me këtë anormalitet.
No comments:
Post a Comment