Konflikti në Lindjen e Mesme ka hyrë në ditën e 693-të, me zhvillime të reja që kanë tronditur rajonin dhe opinionin ndërkombëtar.
Sipas disa mediave, Ahmed
Ghaleb Al-Rahwi, kryeministri i qeverisë së rebelëve Huthi në Jemen, është
vrarë të enjten në një sulm ajror izraelit në kryeqytetin Sana’a.
Lajmi është raportuar fillimisht
nga gazeta jemenase “Aden Al-Rad”, sipas burimeve të cituara nga portali
izraelit Ynet. Sulmi, që synonte një banesë në një zonë të banuar, ka pasur në
shënjestër Al-Rahwi dhe zyrtarë të tjerë të lartë të lëvizjes Huthi, të cilët
raportohet se ndodheshin aty në momentin e bastisjes.
Ndërkohë, tensionet mbeten të
larta edhe brenda Izraelit. Familjet e pengjeve izraelite që mbahen në Rripin e
Gazës kanë njoftuar një protestë masive më 3 shtator përpara rezidencës zyrtare
të kryeministrit Benjamin Netanyahu në Jerusalem. Ato kërkojnë arritjen e një
marrëveshjeje për lirimin e menjëhershëm të të afërmve të tyre.
Protestat janë përballur me
kundërshtimin e ministrit të Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben Gvir, i cili ka
shprehur dëshirën për t’i ndaluar ato në rrugë dhe në ambiente fetare si
sinagogat. Në anën tjetër, Ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Saar, ka
deklaruar prerë se “nuk do të ketë plan” për krijimin e një shteti palestinez,
duke forcuar qëndrimin e qeverisë izraelite ndaj kërkesave ndërkombëtare për
zgjidhje me dy shtete.
Presioni ndaj Izraelit po
rritet edhe në arenën ndërkombëtare. Në një letër të përbashkët drejtuar
Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Kaja
Kallas, Suedia dhe Holanda kanë kërkuar ndërmarrjen e masave konkrete kundër
Izraelit për shkelje të të drejtave të njeriut.
Situata mbetet e paqëndrueshme,
me konflikte që përfshijnë jo vetëm Gazën, por edhe zona të tjera të Lindjes së
Mesme, si Jemeni, ku përplasjet po përhapen përtej kufijve tradicionalë të
luftës.
No comments:
Post a Comment