Ish deputeti socialist Alket Hyseni ka përfituar të paktën 6 milionë euro nga Bankers, me fatura fiktive, pra pa kryer ndonjë punë, përmes zyrës ligjore H&A Law Firm, në pronësi të babait të tij Namik Hyseni dhe me administrator nga kunati i tij, Idajet Çelaj. Për të përfituar miliona euro në mënyrë të kindraligjshme nga Bankersi, Hyseni dyshohet se ka përdorur funksionet publike, sidomos kur drejtonte Drejtorinë për Parandalimin e Pastrimit të Parave, ndërsa si dorezë për të mos lënë gjurmë, maskë apo si levë që thyen vila, Hyseni ka përdorur babanë e tij, Namik Hysenin, të cilit ia ka turpëruar thinjat, duke e implikuar edhe në tjetërsim pronash dhe pastrim parash.
Ish doganieri i Kakavijës, Alket Hyseni, me paratë që ka
përfituar me fatura fiktive nga Bankersi dhe burime të tjera, rezulton se ka
ndërtuar pjesërisht resortin ‘Ionian Olea’ në Dhërmi, pasi dyshohet se grabiti
11 mijë metra katrorë tokë aty ku shtrihet sot resorti, gjatë kohës kur Edi
Rama e ngarkoi me detyrën e drejtuesit të task-forcës për verifikimin e
tjetërsimit të paligjshëm të pronave shtetërore (2014-2016) në jug.
Faktet tregojnë se Alket Hyseni ka përdorur gjithashtu zyrën
ligjore H&A Law Firm, për vite me radhë në pronësi të babait të tij Namik
Hyseni, për të zhvatur 11 mijë m2 prona në Dhërmi, për të hyrë në ortakëri me
Mirela Papulin si dhe për pastrimin e parave në ndërtimin e vilave. Një sërë
dokumentesh tregojnë se Hyseni ka hyrë në transaksione financiare me zyrën
ligjore H&A Law Firm, me huadhënie, blerja pasurish të paluajtshme,
shkëmbime dhe dallavere të tjera financiare, duke mundësuar pastrimin e parave që
ka përfituar në formë të kundraligjshme nga Bankers.
Fakte dhe rrethana për SPAK-un
Alket Hyseni ka përfituar 6 milionë euro nga Bankers me
faturime fiktive (sipas prokurorisë), përmes zyrës së tij ligjore H&A Law
Firm, në administrim nga kunati i tij, Idajet Çelaj. Hyseni i ka përfituar
paratë nga Bankers nga viti 2014 deri në vitin 2025 për gjoja shërbime ligjore,
pa dokumentacion, pa kryer ndonjë punë dhe madje duke përfituar edhe para nga
buxheti i shtetit me skemën e TVSH-së.
Zyra ligjore H&A Law Firm, themeluar nga babai pensionist
i Hysenit, Namik Hyseni, është lakuar edhe për implikim në zhvatje pronash në
jug të vendit, kur Hyseni udhëhoqi task-forcën e ngritur nga kryeministri Edi
Rama për të verifikuar tjetërsimin e paligjshëm të pronave shtetërore.
(Namik Hyseni, 88 vjeç)
Faktet tregojnë se zyra ligjore H&A Law Firm është
kontrolluar që nga themelimi deri më sot nga Alket Hyseni, përmes babait dhe
kunatit si administrator. Çdo vit, Bankersi kalonte qindra mijëra euro në
llogaritë e zyrës ligjore të Hysenit.
Së pari, Bankersi nuk kishte nevojë për shërbime ligjore të
jashtme, pasi kishte eskpertët e tij ligjorë, madje me pagë 5 mijë euro në
muaj.
Së dyti, hetimi i Prokurorisë së Fierit ka provuar se
farurimet mes Bankersit dhe zyrës ligjore të Alket Hysenit ishin fiktive.
Po pse Bankers i ka dhënë 6 milionë euro Alket Hysenit?
Thjeshtë kanë ndarë paratë që duhet të shkonin në buxhetin e shtetit apo pas
fshihet një histori shantazhi për të mbuluar një aferë edhe më të madhe
korruptive?
Alket Hyseni e ka nisur karrierën 25 vite më parë si doganier
në Kakavijë. Pasi kreu me ‘sukses’ detyrën e verifikimit të tjetërsimit të
paligjshëm të pronave shtetërore (2014-2016), duke tjetërsuar 11 mijë m2 për
vete, në vitin 2016 Edi Rama i besoi Alket Hysenit drejtimin e Drejtorisë së
Parandalimit të Pastrimit të Parave.
Ashtu siç shtytëzoi detyrën e parë që i caktoi Rama duke bërë
një resort për vete me Mirelën e Gon Papulit, lindin dyshime të forta se Alket
Hyseni ka shfrytëzuar edhe detyrën e dytë, këtë herë ndoshta për të siguruar
paratë për ndërtimin e resortit. Sipas burimeve, gjatë kohës kur Alket Hyseni
ka qenë në krye Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave ka siguruar
prova për pastrimin e parave nga banda e Bankers Petroleum.
Në vend të denoncimit në Prokurori, Hyseni dyshohet se ka
shantazhuar Bankersin, duke e detyrurar të hyjë në pazar. Ka dyshime të forta
se në këmbim të mbulimit të skemës së pastrimit të parave, Bankers i ka dhënë
miliona euro Alket Hysenit, një pjesë përmes sistemit bankar, me kontrata
fiktive.
Investigimi i Birn, Hyseni resort përmes zyrës ligjore që
përfitoi para nga Bankers
Dokumentet e siguruara nga BIRN tregojnë se deputeti
socialist, Alket Hyseni u bë pronar i 11 mijë metrave katrorë tokë dhe më pas
ortak në resortin turistik ‘Ionian Olea’ në Dhërmi, ndonëse konfliktet për
tokën ishin denoncuar shpesh në Prokurori dhe në task-forcën e drejtuar prej
tij.
Resorti Ionian Olea i filmuar me dron gjatën ndërtimit | Foto
nga: BIRN
Në qershor 2016, Këshilli Kombëtar i Territorit i udhëhequr
nga kryeministri Edi Rama miratoi lejen e zhvillimit për kompleksin turistik
‘Ionian Olea’ – një resort vilash dhe apartamentesh luksoze në bregdetin e
fshatit Dhërmi në bashkinë Himarë.
Leja zhvillimore e kompleksit, që shtrihet mbi katër parcela
toke bujqësore në plazhin e Drimadhesit, të regjistruara në zonën kadastrale
1481 dhe 1481-1739 është miratuar me kërkesën e zhvilluesve Mirela Papuli dhe
Artan Dumi.
Dy nga katër parcelat ku po ndërtohet resorti turistik ‘Ionian
Olea’, të cilat kanë një sipërfaqe prej 5 mijë dhe 6 mijë metrash katrorë tokë
bujqësore, janë në pronësi të zyrës ligjore ‘Hyseni & Associates’– e
regjistruar në Tiranë dhe në pronësi të babait pensionist të deputetit Alket
Hyseni.
Zyra ligjore ‘Hyseni & Associaties’ është drejtuar nga
Alket Hyseni nga viti 2006 deri në vitin 2014, kur ai u zëvendësua në
administrim nga kunati i tij, Idajet Çelaj. Nga viti 2014 deri në vitin 2016,
Hyseni udhëhoqi task-forcën e ngritur nga kryeministri Edi Rama për të
verifikuar tjetërsimin e paligjshëm të pronave shtetërore.
Dokumentet e siguruara nga BIRN tregojnë se origjina e tokës
me sipërfaqe totale 11 mijë metra katrorë, për të cilën ‘Hyseni &
Associates’ ka lidhur një kontratë sipërmarrje me zhvilluesit e resortit
‘Ionian Olea’ dhe pritet të përfitojë sipërfaqe ndërtimi me vlerë miliona euro
është e dyshimtë, ndërkohë që verifikimi i mënyrës së tjetërsimit të saj ka
qenë detyrë e task-forcës së drejtuar nga Hyseni.
“Nuk e akuzoj unë, por dokumentet,” shprehet Irini Bua nga
Dhërmiu, e cila shton se deputeti Hyseni po ndërton në mënyrë të paligjshme në
tokën e saj.
“Prona ka qenë me masë sigurie që në vitin 2015. Shit-blerjet
në pronë janë bërë pas masës së sigurisë nga gjykata. Ata e morën vesh që kjo
pronë ka probleme dhe filluan shit-blerjet e pronës,” shtoi ajo.
Kjo pronë është pjesë e një sipërfaqeje më të madhe të fituar
nëpërmjet ligjit 7501 nga familja Bua, e cila është transferuar përmes një
serie transaksionesh financiare fillimisht te shtetasit Ilia Taka dhe Arjan
Hasani dhe më vonë është shkëmbyer me deputetin Alket Hyseni për 2 apartamente
dhe 3 garazhe. Hyseni ia ka shitur tokën firmës ligjore të regjistruar në
pronësi të të atit me një çmim prej 30 milionë lekësh.
Nga kontrata e sipërmarrjes me zhvilluesit e resortit ‘Ionian
Olea’, firma ligjore “Hyseni & Associates” pritet të përfitojë minimalisht
1100 metra katrorë sipërfaqe ndërtimi në resortin turistik, e cila ka një vlerë
tregu prej 1.1 milionë euro. Në varësi të koeficentit të ndërtimit dhe vlerës
së shitjes së pronave, përfitimet mund të shkojnë në disa milionë euro.
Në një intervistë për BIRN, deputeti Hyseni i hodhi poshtë
akuzat, duke nënvizuar se prona që ai ka blerë nuk është ajo që i referohet
Znj.Bua, e cila sipas tij është nën sekuestro. Deputeti socialist shtoi më tej
se edhe pse kishte drejtuar task-forcën,
ai nuk kishte qenë në dijeni të
problemeve që toka kishte, pasi nuk e kishte blerë atë direkt nga
familja Bua.
Hyseni insistoi që pasuria e tij e konsiderueshme është vënë
me punë të ndershme.
“Unë nuk njoh asnjë prej personave që janë në konflikte për të
drejtën e pronësisë në familjen Bua. Unë i kam blerë nëpërmjet shkëmbimit një
sipërfaqe toke një biznesmeni, i cili kishte në bëshkëpronësi nëpërmjet dy
biznesmenëve të tjerë një tokë që e kishin kontraktuar me shpresën për të
ndërtuar,” tha Hyseni.
“Pra të jemi të qartë se bëhet fjalë për prona të ndryshme dhe
që janë përfituar në mënyrë totalisht të ligjshme. Ka transaksione zyrtare, kam
burime të ligjshme dhe të deklaruara , transaksione të deklaruara prej meje në
institucionet përkatëse dhe nuk ka pasur asgjë për të fshehur nga unë,” shtoi
ai.
Më shumë tokë sesa frymë
Historia e tokës që zotërohet nga zyra ligjore “Hyseni&
Associates” nis prej 7 shkurtit 1994, kur komisioni vendor i shpërndarjes së
tokës bujqësore në fshatin Dhërmi, në zbatim të ligjit 7501, ka marrë dy
vendime në favor të familjes Bua me kryefamiljare Athina Buan.
Sipas vendimit të parë me nr. 9567, Athina Bua përfiton një
sipërfaqe toke prej 44,450 metrash katrorë. Ndërkohë, me një vendim të dytë me
nr. 9597, i biri Stefo Bua përfiton një sipërfaqe prej 49,420 metrash katrorë.
Në 1 gusht të vitit 1991, trungu familjar i Athina Buas kishte
7 anëtarë, përfshi kryefamiljaren. Sipas ligjit 7501, norma e shpërndarjes së
tokës nuk duhet të ishte më shumë se 3 mijë metra katrorë për frymë.
Megjithatë, familja Bua prej 7 anëtarësh – njëri prej të
cilëve ishte larguar nga fshati në vitin 1943, arriti të përfitonte 93,870
metra katrorë tokë. Është gjithashtu e paqartë pse komisioni i shpërndarjes së
tokës ka dhënë një vendim të veçantë në emër të djalit të Athinasë, Stefo Bua –
duke qenë se ai ishte pjesë e trungut të të saj familjar.
Sipas Irini Buas, kjo sipërfaqe është shtuar për shkak të
falsifikimeve të bëra nga kunati i saj, Stefo Bua.
“Sipërfaqja e pastër, sipas të gjitha dokumenteve që i janë
kthyer familjes Bua nuk është më shumë se 50 mijë metra katrorë,” tha ajo.
“Stefo Bua nëpërmjet falsifikimeve ka shënuar 100 mijë metra katrorë,” shtoi ajo.
Tjetërsime të tilla me tokën bujqësore kanë qenë dhe arsyeja
pse në korrik të vitit 2014, qeveria e kryeministrit Edi Rama krijoi një
task-forcë për verifikimin e titujve të pronësisë, e cila udhëhoq për dy vite
nga deputeti Alket Hyseni.
Për shkak të konfliktit të trashëgimtarëve mbi testamentin e
kryefamiljares Athina Bua, e cila ndërroi jetë në vitin 1998, në Prokurorinë e
Vlorës dhe në Task- Forcën e udhëhequr nga Hyseni janë bërë disa kallëzime
penale në lidhje me pronën ku po ndërtohet resorti turistik ‘Ionian Olea.’
Irini Bua pretendon se prona ku po ngrihet resorti i është
dhënë Athina Buas dhe është regjistruar nëpërmjet falsifikimeve në emër të
Stefo Buas. Nga ana tjetër, Stefo Bua
deklaroi në një intervistë për Report TV se toka e resortit i është
dhënë direkt nga komisioni i tokës, ndërsa ajo e trashëguara nga Athina Bua
është aktualisht e bllokuar në pritje të zgjdhjes së konfliktit civil me Irinin
dhe të vëllanë Mantho Bua.
“Irini nuk asnjë pronë deri tani që flasim. Mbas ligjit 7501
mora tapi edhe nëna ime, edhe unë dhe këtu ka gabuar Irini që nuk do ta
kuptojë, sepse s’ka të bëjë prona ime me pronën e nënës,” deklaroi Stefo Bua.
Sipas Irinit, pretendimet e Stefos nuk janë të vërteta, pasi
prona e familjes Bua në zonën e quajtur ‘Megalohara’ në Dhërmi nuk është aq e
madhe sa pretendon kunati i saj.
“Ajo nuk është e vërtetë, sepse sipërfaqja prej 22 mijë
metrash në Megalohora ku është ndërtuar
resorti – dhe tashmë nuk ka pronë të
lirë, është e njëjta pronë e marrë nga vjehrra ime, Athina Bua dhe që ne jemi
trashëgimtarë,” tha Irini.
“Po të shikosh me numrin kadastral, është i njëjtë me numrin e
parcelës që janë bërë shitblerjet që ka përfituar Alket Hyseni. I kam kërkuar
Prokurorisë të hetojë dhe të masë sipërfaqen e tokës,” shtoi ajo.
Hyseni pranoi që Irini Bua dhe i shoqi, Mantho Bua kanë bërë
padi të shumta në Prokurori si pjesë e konfliktit familjar për trashëgiminë,
por shton se prona që ai ka blerë nuk është tjetërsuar në mënyrë të paligjshme.
“Pjesa që unë kam, nuk ka lidhje dhe nuk përkon aspak me atë
çfarë pretendon Irini dhe Mantho Bua, të cilët kanë bërë historikisht një sërë
kallëzimesh penale ndaj Stefo Buas, ndaj institucioneve të ndryshme dhe ndaj
blerësve, të cilat janë pushuar nga Prokuroria dhe janë lënë në fuqi dhe në
gjykatë,” tha Hyseni.
“Së fundmi kanë bërë edhe ndaj meje [kallëzim], është pushur
dhe ky kallëzim për dijeninë time,” shtoi Hyseni.
Kallëzimi fillestar është bërë nga Irini Bua në vitin 2015.
Prokuroria e Vlorës ka nisur hetime mbi
origjinën e pronës dhe i ka pushuar ato në vitin 2016. Edhe pse Prokuroria ka
arritur në përfundimin se familjes Bua i është shpërndarë më shumë tokë se
norma limit e lejuar, ajo është shprehur në vendimin e pushimit të kallëzimit
139/2016, se ‘i takon institucioneve përgjegjëse të administratës publike’ të
verifikojnë sipërfaqen e përfituar.”
Një prej këtyre institucioneve duhej të ishte dhe task-forca e
drejtuar nga Hyseni, i cili mbas një serie transaksionesh zinxhir është bërë
pronar i dy parcelave me sipërfaqe totale prej 11 metrash katrorë të familjes
Bua.
I pyetur nga BIRN, Hyseni pranoi se në jug të vendit ka pasur
vërtet shumë probleme me shpërndarjen e pronës nëpërmjet ligjit 7501, por ai
mohoi të ketë pasur dijeni për problemet me pronën e familjes Bua në periudhën
kur ka qenë në krye të task-forcës.
“Nuk kam asnjë dijeni që të jetë marrë task-forca me këtë
çështje, edhe pse na ka rezultuar që një numër i madh banorësh që nuk kanë qenë
banorë në vitin 1991 kanë përfituar tokë me ligjin 7501, pra në shkelje
flagrante të ligjit,” tha Hyseni.
“Task-forca u ngrit me synim për të verifikuar kalimin e
pasurisë nga shtetit tek privatët ndër vite, pasi u bë një masakër e vërtetë.
Qëllimet kryesore ishin vendimet e agjencisë së kthimit dhe kompensimit të
pronave, ku ishte bërë batërdi me sipërfaqe shumë të mëdha, me dokumentacion
totalisht të falsifikuar,” shtoi ai.
Zinxhiri i transaksioneve
Plani i ndërtimit të vilave në resortin ‘Ionian Olea’
Dy vendimet e shpërndarjes së tokës bujqësore të lëshura nga
komisioni i fshatit Dhërmi në emër të Athina Buas dhe Stefo Buas, janë
regjistruar në hipotekë pas një vendimi të Gjykatës së Vlorës në 29 janar 2013.
Pas regjistrimit të pronës dhe marrjes së certifikatës së
pronësisë, Stefo Bua i shet 10 mijë metra katorë tokë shtetasit Ilia Taka me
çmim 1 milionë lekë me datë 7 Prill 2015. Gjithashtu, Stefo Bua bën një
transaksion të dytë me 19 Shkurt 2016, duke i shitur 9,900 metra katrorë
shtetasit Arjan Hasani me një çmim prej 500,000 eurosh. Hasani ndërkohë ka
shitur një pjesë të kësaj sipërfaqeje me vlerë 150,000 euro në favor të
shtetasit Genti Malko.
Me 13 Prill 2016, Ilia Taka dhe Arjan Hasani lidhin dy
kontrata sipërmarrjeje për dy parcela 5 mijë dhe 6 mijë metra katrorë me
ndërtuesit Arjan Dumi dhe Mirela Papuli, të cilët po ndërtojnë resortin turstik
“Ionian Olea”.
Më vonë, Arjan Hasani dhe Ilia Taka bëjnë një shkëmbim prone
në parcelat e tyre, duke e kthyer Ilia Takën pronar të vetëm të sipërfaqes prej
11 metrash katorë që është pjesë e kontratës së sipërmarrjes së resortit
turistik.
Me 26 Janar 2017, Ilia Taka i shkëmben parcelat e tij të tokës
me deputetin Alket Hyseni dhe merr në këmbim prej tij dy apartamente dhe 3
garazhe në Sarandë me një vlerë totale prej 15.7 milionë lekësh.
“Një prej biznesmenëve, që është dhe klienti im, Arjan Hasani
më vuri në dijeni se njëri nga bashkëpunëtorët donte të shiste pronën e vet dhe
donte ta merrnim së bashku. M’u duk interesante, në një vend të lakmuar. Duke
qenë se unë kam dhe origjinë ngë bregu, jam nga Borshi, e kam pasur ëndërr që
patjetër të përfaqësohem atje … dhe nëpërmjet shkëmbimit ishte marrëveshje e
mirë për t’u përfshirë,” shpjegoi Hyseni.
“Për të kultivuar ullinj nuk isha i interesuar, për një zonë
që ishte në zhvillim isha i interesuar,” shtoi ai.
Në kohën kur Alket Hyseni hyri në biznes me Ilia Takën dhe
shkëmbeu pronën me të, ky i fundit ishte nën procedim penal për falsifikim
dokumentash nga Prokuroria e Vlorës për një sipërfaqe tjetër në fshatin Jal të
Himarës. Taka u shpall i pafajshëm nga Gjykata e Vlorës vetëm më 23 mars 2018.
“Për t’u arrestuar mund të arrestohet kushdo, por ai ka dalë i
pafajshëm, gjykata e ka shpallur të pafajshëm,” tha Hyseni. “Megjithatë ky
është një problem që nuk më përket mua, ai ishte një biznesmen dhe le të japë
llogari për problemet e tij në organet e drejtësisë. Unë mbaj përgjegjësi për
problemet e mia,” shtoi Hyseni.
Në 22 gusht 2017, Alket Hyseni ia shet tokën për 30 milionë
lekë zyrës ligjore që ai ka themeluar, ‘Hyseni & Associates’ dhe që është
në pronësinë e të atit Namik Hyseni. Një pjesë e pagesës ndaj Hysenit bëhet
duke shuar një borxh të marrë më parë ndaj sudios së tij ligjore në vitin 2015
– nga i cili patën mbetur 10.4 milionë lekë të papaguara, ndërsa pjesa tjetër
është paguar nga firma në dy këste.
Me kalimin e parcelave në pronësi të studios ligjore, kjo e
fundit bëhet dhe përfituesja e kontratës së sipërmarrjes me ndërtuesit Artan
Dumi dhe Mirela Papuli, duke përfituar dhe sipërfaqet e ndërtimit që rrjedhin
nga ndërtimi i resortit.
Irini Bua i tha BIRN se ka bërë disa padi në Prokurori ndaj
personave që ajo pretendon se kanë tjetërsuar pronën e saj.
“Çështjet civile dhe ajo e trashëgimisë janë pezulluar, pasi
janë hapur një sërë çështjesh penale. Për akuzat që unë kam ngritur ndaj Ilia
Takas, Genti Malkos dhe Arjan Hasanit, Gjykata e Apelit në Vlorë ka vendosur
rikthimin e tyre në hetim në prokurori,” tha ajo.
“Vijoj ende të ndjek proceset, pasi pa mbaruar çështjet penale
nuk mund të ketë zhvillime për çështjet civile- atë të përfitimit të së drejtës
së trashëgimisë,” shtoi Irini.
Doganieri që u bë deputet
Deputeti, Alket Hyseni, duke folur gjatë një mbledhje të
Këshillit të Legjislacionit. | Foton nga : LSA
Deputeti i Partisë Socialiste, Alket Hyseni ëshë diplomuar si
jurist në Universitetin e Tiranës në vitin 1999 dhe në vitin 2002 ka marrë
licencën e avokatit. Karriera e tij në administratën publike ka filluar si
përgjegjës turni në doganën e Kakavijës në mars të vitit 2000 dhe në vitin 2004
ai është transferuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave në Tiranë.
Në vitin 2006, ai themeloi studion ligjoren ‘Hyseni &
Associates’ të cilën e ka drejtuar deri në vitin 2014. Në vitin 2014 deri në
vitin 2016 ai ka drejtuar task-forcën ‘ Për verifikimin e ligjshmërinë e
mënyrës së tjetërsmit të pronave të paluajtshme shtetërore,’ dhe në vitin 2016
u emërua si Drejtor i Përgjithshëm i Drejtorisë së Parandalimit dhe Pastrimit
të Parave, në Ministrinë e Financave. Hyseni u zgjodh deputet si pjesë e listës
së Partisë Socialiste në Vlorë në zgjedhjet e 25 qershorit 2017.
Pasuria e Hysenit nga viti 2000, kur ishte një përgjegjës
turni në Kakavijë deri sa u u zgjodh deputet ka regjistruar një rritje
eksponenciale. Në qoftëse në deklarimin e parë periodik të bërë nga zoti Hyseni
në vitin 2003 ai kishte vetëm 1.2 milionë lekë asete, në deklarimin e fundit
deputeti socialist ka regjistruar një pasuri prej 174 milionë lekësh. Diferenca
midis dy shifrave përbën një rritje pasuri prej 136.8 herë në 14 vite.
BIRN analizoi deklarata e pasurisë të bërë nga deputeti
socalist pranë Inspektoriatit të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë dhe
Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Pjesa më e madhe e pasurisë së deputetit
Hyseni është e investuar në pasuri të paluajtshme, të cilat në vitin 2017 kapin
një vlerë prej 110 milionë lekësh. Kjo kategori asetesh ndiqet nga likuditetet
në banka me 38.3 milionë lekë dhe likuditete cash prej 1.3 milionë lekësh.
Shumica e kësaj pasurie është vënë gjatë periudhës 2006 –
2016, kur zoti Hyseni ka udhëhequr studion ligjore “Hyseni & Associates”.
Sipas deklarimieve të pasurisë në ILDKPKI, gjatë kësaj periudhe e ka shtuar
pasurinë me 170.1 milionë lekë. Nga ky shtim marramëndës pasurie Hyseni ka
specifikuar të ardhura në vlerë 48.3 milionë lekë, të cilat vijnë nga pagat nga
funksioni dhe firma ligjore, të ardhurat e bashkëshortes dhe fitimet neto nga
shit-blerja e pasurive të paluajtshme. Pjese tjetër e deklaruar si shtesë
asetesh prej 134.7 milionë lekë në vitet 2006 -2016 është me burime të
paspecifikuara, të shprehuara në deklaratat e pasurisë si të ardhura nga ‘puna,
biznesi, emigracioni dhe kursime familjare.”
Nga analiza e rritjes së pasurisë bruto të Z. Hyseni, rezulton
se nga viti 2006 deri 2016 pasuria është rritur mesatarisht me 17 milionë në
vit. Për të justifikuar këtë normë të rritjes së pasurisë, duhet që burimi
financiar (të ardhurat neto) të ketë qenë mesatarisht 1,4 milionë lekë në muaj,
pa llogaritur shpenzimet e jetesës.
Hyseni i tha BIRN që pasuria e tij ishte rrjedhojë e punës që
në moshë të njomë dhe çdo të ardhur e ka deklaruar konform ligjit.
“Biznesi deklaron të ardhurat në Tatime dhe unë mund t’u them
se nga biznesi im kam të ardhura në rendin e 2 miliardë lekëve dhe mbi 800
milionë lekë janë taksë dhe tatime. Nuk ka një studio të dytë që të ketë qenë
kaq korrekte,” tha Hyseni.
“Unë kam punuar fort që 18 vjeç – unë, im atë dhe familja ime
jetojmë mirë, nuk e mbajmë veten për të pasur. Kemi filluar të ndërtojmë
bizneset tona dhe nuk ka qenë ky biznesi i vetëm në jetën time. Puna që kam
bërë më ka dhënë emër dhe ka ndikuar indirekt edhe në biznesin e avokatisë dhe
unë jam krenar për këtë. Nuk kam asgjë për të fshehur,” përfundoi Hyseni.









No comments:
Post a Comment