Nga Kreshnik Spahiu
Matteo është një mik imi italian që e kam njohur 10 vjet më
parë. Ai studionte në Berlin dhe ndër të tjera mbrojti nivelin C1 të gjuhës
gjermane.
A e dini pse e mësoi gjermanishten në nivel shumë të lartë?
Sepse ai duhej të komunikonte me turistët gjermanë që pushonin
në hotelet e prindërve të tij në Itali.
Matteo kishte tre vite që bënte trajnime dhe studime për
turizëmin.
Familja e tij kishte 70 vjet që investonin në industrinë e
turizmit dhe zotëronin pesë hotele në veri të Italisë (Riva del Garda, Jesolo,
Venecia).
Matteo kishte pasion për bioteknologjinë, por prindërit dhe
gjyshi i tij kishin insistuar që ai të shkollonte dhe të trajnohej për turizëm,
që të trashëgonte biznesin familjar.
- M’u kujtua kjo histori kur dëgjova çmenduritë e operatorëve
turistikë shqiptarë, që ankohen pse nuk kemi turizëm elitar, por të huajt vijnë
me bukë me vete.
- M’u kujtuan pronarët e hoteleve në Shqipëri, të cilët, sapo
bëjnë lekët e para të sezonit, blejnë dy Range Rover: një për djalin dhe
tjetrën për dashnoren.
- M’u kujtua Janaqi nga Piqerasi, që s’kishte zbritur kurrë në
Tiranë, por tallej me turistët gjermanë që “nuk dinë të hanë”.
- M’u kujtua Thimaqi nga Dhërmiu, që nuk guxon ti hysh në
lokal nga muzika e lartë që të çan daullen e veshit.
- M’u kujtua Taqi dhe Raqi nga Himara, që kishin shitur
hashash dhe me ato lekë hapën një hotel, por për të kursyer paratë e
arkitektit, projektin e bënë me laps mbi mbulesën e tavolinës.
- M’u kujtua Kiço nga Jala, që i trefishonte çmimet sapo i
vinin klientë kosovarë, sepse donte vetëm turistë “elitarë”, ndonse babai i tij
kishte qenë karrocier i plahrave të fshatit.
- M’u kujtua Kokëdhima që u hodh mbi xhamin e makinës së
turistëve spanjollë, sepse nuk paguanin 600 euro për një peshk të qelbur.
- Mu kujtua edhe Fiqo debili nga Ksamili që rrahu një turist
nga Tetova sepse ishte ulur mbi peshqir në breg por ky donte ta ulte me zorr në
shezllon 50 euro
- M’u kujtuan fëmijët e oligarkëve X apo Y, që çdo mbrëmje
zihen me grushta në diskotekat e Palasës.
Miku im Matteo kishte katër breza trashëgimi në biznesin
turistik, por prindërit e tij kishin vendosur që ai të studionte tre vite në
Gjermani, që djali i tyre të kishte një vizion të qartë mbi tipologjinë e
turistëve gjermanë – të cilët ishin klientët kryesorë të hoteleve të tyre.
Thjesht m’u kujtua dhe mendova se Shqipëria vërtet ka nevojë
për një Akademi — jo për barinjtë e dhive, por për “barinjtë” e hoteleve me
pesë yje, që ankohen pse nuk kanë turizëm elitar në bizneset e tyre që i
menaxhojnë si lopçarë.
No comments:
Post a Comment