Kantina Duka – Shije shqiptare që udhëton botën

Reklamë

LAJMI I FUNDIT:

Post Top Ad

Your Ad Spot

Saturday, August 23, 2025

'Mulnokëzimi' i PD-së, e vetmja rrugë për karrierë në shtator

 Nga Simon Hadaj

 


Partia Demokratike ndodhet sot në një prej momenteve më të vështira të saj historike. Ajo ka humbur prej kohësh magnetizmin që dikur tërhiqte intelektualë, profesionistë dhe figura të respektuara të jetës publike. Shkaku nuk lidhet vetëm me humbjet elektorale apo me kthimin e Sali Berishës, por edhe me profilin e njerëzve që përfaqësojnë sot drejtimin e opozitës. Më tipiku sigurisht që është Mul Noka.

 

Noka është një figurë që për vite me radhë ka qëndruar në politikë pa arritur asnjëherë të artikulojë një vizion, një ide apo një projekt që të krijojë besim. Ai përfaqëson më shumë stilin e reagimit impulsiv sesa atë të mendimit politik. Kjo e bën atë një simbol të mediokritetit brenda PD-së, jo si individ i vetëm, por si kulturë politike që është ngulitur në këtë parti.

 

Në vend që PD të tërheqë njerëz normalë, profesionistë apo personalitete të kulturës, ajo sot refuzon çdo profil që shfaq pavarësi mendimi. Njerëzit e arsyeshëm dhe me integritet nuk afrohen më, sepse shohin se standardi i promovimit politik është ulur aq shumë, saqë kriteri kryesor është besnikëria e verbër ndaj Berishës dhe retorika boshe kundër “armiqve politikë”. Në këtë logjikë, të jesh “si Muli” është më e vlefshme sesa të jesh normal.

 

Një deputete aktuale e PD-së, në një bisedë private më tregonte dikur se: “Edhe Oerd Bylykbashi po më duket si Muli kur flet për Berishën dhe non-gratën.” Kjo fjali, në fakt, tregon se modeli i Nokës nuk është thjesht rastësi, por është shndërruar në tipar të përgjithshëm në PD-në e sotme.

 

Ky “mulnokëzim” i politikës ka pasoja më të mëdha sesa duket. Ai largon çdo njeri të arsyeshëm që do të kontribuonte, e shkëput PD-në nga normaliteti shoqëror dhe e lë të izoluar në një habitat të ngritur mbi baltën, ku britmat e rrugës zëvendësojnë debatet e arsyeshme dhe ku besnikëria ndaj liderit zëvendëson çdo meritë tjetër.

 

Në këtë kuptim, opozita që kemi sot nuk është një alternativë reale politike, por një reflektim i krizës së saj të brendshme. Një opozitë në duart e Mulit që shërben si modeli i vetëm për të bërë karrierë në atë parti, është një opozitë e shndërruar në karikaturë të vetvetes, një strukturë që dikur mbante shpresa, e sot mban vetëm etalonin e mediokritetit.

 

Ndaj edhe ata që duan të bëjnë karrierë në PD në shtator, ose të 'mulnokëzohen' ose të qëndrojnë në radhë kur t'u vijë vakti. Nëse do t'u vijë ndonjëherë.

No comments:

Post a Comment

Post Top Ad

Your Ad Spot