Zyra e presidentit të Malit të Zi ka bërë të ditur se zëvendëskryeministri Nik Gjeloshaj i ka dërguar një mori kërcënimesh dhe mesazhesh të papërshtatshme presidentit, Jakov Millatoviq, menjëherë pasi është bërë publike se kreu i shtetit e ka kthyer Ligjin për tatimin mbi pasurinë e paluajtshme në Kuvend për rishqyrtim.
Në mbrëmjen e 1 gushtit, kabineti i Millatoviqit e ka thirrur
kryeministrin Millojko Spajiq që menjëherë ta shkarkojë Gjeloshajn, dhe që
gjithçka është raportuar te drejtori i Policisë.
Zyra e presidentit vlerëson se arsyeja për kërcënime ka të
bëjë me disa konteste në gjykatë që i ka Komuna e Tuzit me kompaninë
“Plantacionet e 13 korrikut”, lidhur me llogaritjen (e paligjshme) të taksës së
pasurisë së paluajtshme mbi tokën bujqësore.
“Për këto konteste ka mospajtime rreth llogaritjes së
paligjshme të taksës vjetore në pronë të paluajtshme që Komuna e Tuzit e ka
arkëtuar përmes ngrirjes së llogarive. Kompania Plantacionet është detyruar të
kërkojë drejtësi dhe kthimin e fondeve përmes gjykatave. Këto procedura
zvarriten me vite dhe të gjitha vendimet që janë marrë nga Gjykata
Administrative për apelet e kompanisë, tashmë kanë qenë në të mirë të saj”,
është thënë në deklaratë.
Sipas kabinetit të Millatoviqit, “rolin kryesor në atë proces
e ka pasur zëvendëskryeministri aktual, atëherë kryetar i Komunës së Tuzit, Nik
Gjeloshaj, kundër të cilit kompania Plantacionet ka ngritur kallëzim penal para
Zyrës së Kryeprokurorit Special të Shtetit”.
Mospajtimet në mes të Komunës së Tuzit dhe kompanisë
Plantacionet kanë vazhduar me vite.
Me krijimin e Komunës së Tuzit, një pjesë e mirë e tokave të
kompanisë kanë rënë nën territorin e qeverisjes lokale.
Gjeloshaj është përgjigjur përmes një deklarate, duke thënë se
Millatoviq është duke tentuar t’i përdorë akuzat për të tërhequr vëmendjen nga
tema kryesore, e ajo është që presidenti ka refuzuar të nënshkruajë Ligjin për
tatimin mbi pasurinë e paluajtshme.
Ai ka pretenduar se Millatoviq ka refuzuar të nënshkruajë
ligjin për shkak të “lidhjeve të tij si kumbari me Nebojsha Vuksanoviqin,
ish-presidentin e Bordit të Drejtorëve të kompanisë Plantacionet, me qëllim
përfitimin personal për vete dhe për të”.
Nebojsha Vuksanoviq është ish-anëtar i Partisë Popullore
Socialiste.
Presidenca e Malit të Zi ka thënë se ai nuk është kumbara e
Millatoviqit dhe që është angazhuar si ndihmës në zyrën e presidentit.
Millatoviq është thënë ta ketë kthyer ligjin në Kuvend për
shkak të, siç ka pretenduar ai, shkeljeve kushtetuese në dokument, paqartësive
ligjore dhe mundësisë që 22.000 fermerë t’i humbasin lehtësimet tatimore.
Në disa mesazhe që janë publikuar nga Millatoviq në platformën
X – dikur Twitter – ai i ka thënë Gjeloshajt se nuk do të dorëzohet ndaj
presionit kur bëhet fjalë për Kushtetutën, dhe që do të respektojë ligjin dhe
interesat e qytetarëve dhe shtetit.
Gjeloshaj, në anën tjetër, ka shkruar: “Nuk duhej të ishe
futur në këtë punë dhe të prisje një reagim nga shqiptarët në të gjitha nivelet
dhe kudo që kemi ndikim”.
Në vazhdimin e bisedës, ai i ka thënë Millatoviqit: “Do ta
marrësh përgjigjen që meriton”./REL
No comments:
Post a Comment