Nga Denis Dyrnjaja
Liria dixhitale ka krijuar hapësira pa fund për informim e
denoncim. Dhe në gazetari parimi më i pashpirt, kur e mendon në aspektin human,
i shndërruar edhe si një lloj slogani është “lajmi i keq, është lajm i mirë”.
Pra nëse publikon me video, foto apo përshkruan me fjalë një tablo tragjike ose
dramatike, merr vëmendje maksimale, ndryshe nga sa do të merrte një paraqitje
apo parashtrim i një gjendjeje suksesi, triumfi apo tabloje normale në rastet e
zakonshme.
Yshtja për famë, klikime, vëmendje, por jo rrallë herë edhe
për përfitime të një karakteri abuziv,që në kushte të tjera njihet apo
konsiderohet edhe si gjobëvënie, shtyn individë apo subjekte të ndryshme
informuese të abuzojnë në mënyrë ekstreme, gati dhe kriminale, duke
përgjithësuar situata të ndryshme, përmes detajesh të izoluara, apo shkëputura
nga situata e përgjithshme. Kjo ndodh kryesisht me rastet e shëndetit dhe në
mënyrë specifike, objektiv të këtyre raportimeve kryesisht kritike, janë
ambientet spitalore apo ato të kujdesit shëndetësor.
Nëse verën me kujdes denoncimet më të shpeshta, që lidhen
pikërisht me ndjeshmërinë më të madhe shpirtërore dhe emocionale të publikut,
lidhen veçanërisht me të sëmurët tumoralë, pra me Spitalin Onkologjik dhe
Pediatrinë e cila trajton shëndetin e fëmijëve në QSUT.
Kapen detaje të shkëputura, apo raportohen e komentohen
ngjarje episodike, duke i përgjithësuar dhe nxirë të gjithë situatën në tërësi.
Në mënyrë të vazhdueshme objekt i gjuetisë për famë është shndërruar spitali
Onkogjjik ku trajtohen të sëmurët me kancer.
Unë sot kam zgjedhur të flas në vetë të parë, sepse kam një
eksperiencë personale me nënën time. Dhe po flas me përgjegjësi të plotë që
kushtet në spitalin Onkogjjik nuk janë ato qe paraqiten në mënyrë selektive.
Nuk janë kushte luksi, por janë brenda standardeve të nevojshme për
hospitalizim. Emphatia e stafit? Në spital ajo dhe kur është mw shumicë duket e
pamjaftueshme, sidomos në të tilla specifika.
A do duhej të kishim kushte më të mira spitalore? Sigurisht që
po! A duhet modernizuar struktura e aparaturave apo plotësuar e shtuar me
teknologji të re? Absolutisht që po! A ka raste fatale ku njerëzit humbin
betejën me sëmundjen më të rëndë që sfidon njerëzimin? Absolutisht që po e
Shqipëria nuk bën përjashtim nga bota.
Stive Jobs miliarderi që shpiku Apple nuk ia doli dot të mundë
kancerin, jo se nuk kishte para apo spitale, por se beteja me këtë sëmundje nuk
njeh gjithnjë triumfin. Pra kjo është një sëmundje që nuk pyet për status
social, fuqi njerëzore apo financiare.
Por sigurisht nuk është vetëm fatale. Janë me miliona jetët e
shpëtuara në botë. Me dhjetëra mijëra në Shqipëri ndër vite. Psh ne nuk flasim
asnjëherë sa raste trajtohen me sukses e jetë shpëtohen në atë Spital
Onkologjik që toksikët dhe “kancerogjenët” e rrjeteve sociale që helmojnë
publikun e kanë kthyer në target klikimesh. Nuk flasim për përkushtimin e atij
personeli që edhe në kushte të vështira sikurse pretendojnë këta spekulantë
bëjnë mrekulli.
Unë kam parë mrekulli me sytë e mi. Kam parë lot gëzimi të
familjarëve dhe buzëqeshjet e rraskapitshme te mjekëve që ia dalin shpesh me
sukses të ngadhnojnë mbi vdekjen. E di shumë mirë çdo të thotë një jetë apo
shpresë e humbur. E kam përjetuar këputjen e gjunjëve, kur mjeku të njofton për
diagnozën e konfirmuar nga biopsia se është kancer i kësaj apo asaj grade. E
dinë të gjithë ata që përballen me këtë sëmundje dhe familjarët e tyre këtë
ndjesi dhe çfarë beteje i pret. Është rraskapitëse njësoj si të jesh në luftë.
Por ky teatri i shtirur deri në fëlliqësi me tone dramatike
dhe histerike dhe veçanërisht me detaje të shkëputura apo informacione të
paprovuara, që nuk shërben për asgjë dhe askujt, duhen denoncuar, njëlloj
sikurse duhet denoncuar çdo neglizhencë apo papërgjegjshmëri mjekësore që ndodh
jo vetëm në Onkologjik, por në çdo dhomë mjeku apo pacienti.
Ka ca kufij të shenjtë, të padukshëm e të pashkruar mbi të
cilët nuk duhet abuzuar e shkelur. Këta kufij lidhen me jetën dhe çdo përpjekje
për ta minuar atë me vrer dhe zeherr, ku jo rrallë përfshihen meskinitete
personale brenda stafeve mjekësore apo interesa klanesh që në mënyrë kapilare
si kanceri shpërndahen nga korridoret e spitaleve deri në seli partish
politike.
Nëse vëreni raste abuzimi apo mospërfilljeje, përcillni ato në
institucione dhe nëse ndjeheni të padëgjuar, të shpërfillur apo të anashkaluar,
atëherë bërtisni fort kudo në publik, në media në rrugë, në portale e rrjete
sociale. Por mos u bëni më konkurrent se kanceri, sepse po sëmurim me këtë
negativitet populist një shoqëri të tërë.
Nëse do ta ndihmosh kancerin krijo sa më shumë toksicitet.
Këtë po bëjnë me sukses shumë individë e personazhe për vëmendje në mediat
sociale, kur ndërkohë nesër mund t’i përballë jeta pikërisht me dyert e këtyre
spitaleve dhe këtyre mjekëve qe shajnë sot në mënyrë individuale.
Mos e harroni kurrë karmën sidomos juve qe helmatisni
shoqërinë pashpirtësisht.
No comments:
Post a Comment