Nga Adrian Thano
Botuar në DITA
Kur mediat dhe pushteti flirtojnë e vërteta bëhet e paqartë.
Dhe kur publiku e kupton këtë lojë, humbet besimin. Jo vetëm te media, por te e
gjithë ideja e të vërtetës. Atëherë, nuk mbetet asgjë për të mbrojtur. As
demokracia, as liria, as ndershmëria.
Një shoqëri me media të kapura është si një shtëpi me dritare
të mbyllura: mban erë të rëndë haleje.
Por mediat nuk janë muret ku qëndrojnë, as kabllot që i lidhin
me antenat. Nuk janë as logot në fasada dhe as frekuencat që mbartin sinjalin.
Gazetaria e lirë është më shumë se kaq. Ajo është ide, guxim,
zë kritik, mendim i pavarur. Dhe kjo nuk mund të mbyllet me dry, as të
ndërpritet me rrjedhën e energjisë elektrike.
Po të ishte gazetaria një zyrë, do të mbyllej me çelës. Po të
ishte një kompjuter, do të fikej. Po të ishte një ndërtesë, do të shembej. Por
nuk është. Gazetaria është qëndrim. Dhe qëndrimi nuk shembet. Të vërtetën nuk e
zë betoni. As mendimin e lirë nuk e kufizon dot një kontratë qiraje.
Ndaj në çdo kohë, edhe kur godinat rrëzohen, media e lirë rri
në këmbë — atje ku është një mendje që shkruan apo transmeton pa frikë dhe një
shikues ose lexues që e ndjek pa iluzione.
Për sa kohë ekziston kjo lidhje, gazetaria do të mbijetojë.
Me ose pa godinë.
Aq më pak shtetërore. Që vjen e shkon nga lëvizja e gishtit
apo sevdaja e atyre që media duhet t’i mbajë në shënjestër.
—-
Marrë nga rubrika “Këndi i Kryeredaktorit” që botohet në
gazetën DITA, versioni print, në pikat e
shitjes së shtypit në gjithë vendin. Karikatura shoqëruese, nga Medi Belortaja
No comments:
Post a Comment