Në një episod të veçantë të emisionit “N’xhiro me Syçin”, gazetari dhe publicisti Ilir Demalia ftoi artistin e njohur Osman Mula, për të sjellë një frymëmarrje ndryshe nga temat politike që dominojnë ekranet shqiptare.
“Kjo është një periudhë pushimesh, parlamenti është mbyllur,
njerëzit janë lodhur nga retorika politike. Ndaj vendosa që herë pas here të
sjell në studio figura të artit, kulturës dhe sportit, që kanë kontribuar për
Shqipërinë, por nuk janë vlerësuar sa duhet,”
u shpreh Demalia në hapje të emisionit.
Ai prezantoi Osman Mulën si një artist multidimensional:
muzikant virtuoz, kompozitor me çmime në festivale, regjisor dokumentarësh dhe
së fundmi edhe piktor. Demalia tha se një prej pikturave të tij e ka të varur
në murin e shtëpisë në Boston.
“Më futët në emocionet e viteve ’70”
I ftuari e nisi bisedën me nostalgji:
“Duke parë titullin ‘N’xhiro me Syçin’, më erdhën emocionet e
viteve ’70, kur bënim gjirën para Hotel Dajtit. Aty flitej për gjithçka, ishte
vitrinë, ishte reklama, ishte kontakti,”
tha Mula, duke theksuar rolin e gjirimeve urbane në jetën kulturore të
kryeqytetit.
“Më kujtove gjithçka nga ajo kohë. Dhe e them sinqerisht, ky
emision ka një titull shumë të qëlluar,”
vijoi ai.
“Nuk jam besimtar, por më ka frymëzuar kleri katolik”
Osman Mula rrëfeu lidhjen e tij me Shkodrën dhe kulturën
oksidentale të qytetit:
“Jam me origjinë nga Gjakova, por i lindur në Shkodër. Edhe
pse më vonë kam jetuar në Tiranë, Shkodra mbetet një dobësi dhe nostalgji për
mua. Më ka lidhur sidomos kleri katolik, jo si besim, por si frymë, si
qytetërim perëndimor.”
“Elitat e sotme nuk kanë shërbyer kurrë shoqërisë”
Duke folur për mungesën e elitave intelektuale sot, Mula
kritikoi ashpër zhdukjen e modelit të elitës që shërben dhe frymëzon shoqërinë:
“Ne nuk kemi pasur elita të vërteta pas viteve ’30, kur kemi
pasur figura si Fishta apo Petro Marko. Sot përdoret fjalë ‘elitë’ pa kuptim,
por ata që quhen kështu sot, nuk i kanë shërbyer askujt, madje kanë qenë kundër
çdo zëri kritik.”
Demalia ndërhyri duke vënë në pah faktin që këto figura janë
ose injoruar, ose janë masakruar nga sistemi, ndërsa Mula përmendi edhe një
fakt historik:
“Në Kongresin e Manastirit, ishte pikërisht Fishta ai që
propozoi bashkimin e dy gërmave për të ndërtuar alfabetin latin. Sot ky fakt as
nuk përmendet, sepse përkon me lidhjen tonë me Perëndimin.”
Shkodra si qytet që krijoi kulturë
Në një pjesë të veçantë të emisionit, Osman Mula foli me
pasion për ndikimin e Shkodrës në formimin e tij dhe të shumë brezave:
“Shkodra ishte qyteti që ndërtoi vetë elitën e saj kulturore.
Një qytet port, me lidhje të forta me Austrinë, Kroacinë, Italinë. Familjet
shkodrane importonin kulturë dhe eksportonin punë. U ngritën institucione, u
hapën shkolla, teatër, orkestra simfonike, sporte të ndryshme, madje edhe
vaterpolo. Kishte njerëz që e morën qytetin për dore.”
Ai përmendi edhe figura si Frederik Shiroka, i cili kishte
lënë emër në Austri si një nga mjekët më të zotë të kohës.
No comments:
Post a Comment