Nga Denis Dyrnjaja
Çfarë kuptimi ka heshtja për News 24?!
Ka një debat për qasjen dhe reagimin brenda ambientit
mediatik, në lidhje me marrjen nën kontroll të ambienteve ku ka ushtruar për
vite me radhë aktivitetin televizioni News 24. Në morinë e trimave për lirinë e
fjalës dhe kundër censurës, pikasa një oponent të frustruar publik, që përdor
shpesh fyerjen si argument.
Psh nëpërmjet shqetësimit për cënimin e lirisë së fjalës dhe
qëndrimit editorial, që ka mbajtur News 24, polemisti i kalçifikuar në
frustrim, vëren me shqetësim, se përse mediat e tjera nuk e raportuan situatën
që po ndodh me News 24?
Përgjigjja besoj se është e thjeshtë. Të gjithë këtu e dinë se
kush janë të gjithë. Pra lufta ime, nuk është lufta jote dhe anasjellas. Dhe
këtu nuk po flitet për luftë që lidhet me lirinë e fjalës, të mendimit apo
linjës editoriale. Këtu po flitet për luftë interesash.
Përsa kohë të gjithë e dinë që marrëdhënia e përplasjes mes
institucioneve të shtetit me News 24 fsheh një ndërveprim të prishur mes
pronarit të kësaj medieje dhe kryeministrit, ministrave etj, atëherë askush nga
mediat e tjera nuk do të futet ne këtë mes, pasi kjo nuk është një aferë e tyre
dhe këtu nuk bëhet fjalë për liri a censurë, por thjeshtë për teka, llastime,
megalomani e delirancë për përfitime.
A janë më të ndershëm ata që mbajnë pronësitë e mediave të
tjera në Shqipëri? Kjo është një temë që ha diskutim rast pas rasti. Por e
sigurt është se nëse do të bëhej fjalë për censurë apo dhunë ndaj News 24 dhe
lirisë editoriale apo fjalës se lirë, çdo media do reagonte e do raportonte pa
asnjë droje. Në mos media tradicionale, do vlonin mediat e rrjeteve sociale.
Por kur është fjala për raporte interesash okulte të prishura
atëherë asnjë media tjetër, e çdo lloji nuk do të merrte përsipër nje rrisk qe
si takon, sepse nuk është as betejë morale, as etike kur bëhet fjalë për
marrëveshje që kanë funksionuar deri në një farë kohe për të dyja palët dhe
pastaj janë kthyer ne raporte toksike.
Por ndërkohë qeveria ka bërë një autogol të madh me çështjen e
News 24. Ministria e Ekonomisë në tentativë për të treguar se problemi qëndon
te shkelja e kontratës në mënyrë të njëanshme nga Fokus Grup, me pronar z Irfan
Hysenbelliu, që nuk ka paguar qiranë për vite me radhë, nxori në pah
mosveprimin dhe tolerancën e saj në shkelje të ligjit si një favor klientelist
për një subjekt të caktuar sikurse është subjekti në fjalë, qoftë kjo dhe një
media.
Atëherë pyetjet logjike që lindin janë: kush mban përgjegjësi
përse është toleruar për vite me radhë kjo shmangie detyrimi për pagimin e
qirasë së ambienteve shtetërore të News 24 që arrin në një faturë të papaguar
mbi 2 ml euro? A është bërë ky favorizim për të përfituar mbështetjen e medias
në fjalë në mënyra të ndryshme? Nëse është bërë në një rast, kush na siguron se
nuk është vepruar edhe në raste të tjera me interesa të marrëdhenieve
media-pushtet duke krijuar precedentë abuzues? Përse prokuroria nuk nis një
procedim penal për të hetuar një seri abuzimesh dhe shmangie të detyrimeve ndaj
shtetit?
Nëse do ishte çështje censure dhe shqetësimi për linjën
editoriale, qeveria kishte mënyra të tjera represioni. Të gjen në shkelje e të
heq licensën, të penalizon me gjoba për shkelje që mund të gjenden pa fund jo
vetëm në News 24, por në çdo media. Pra do kishte ndërhyrje gjithfarësh, që
direkt apo indirekt do lidheshin me censurën, por përfundimi i kontratës së
ambienteve, kur me vendim gjykate është provuar se nuk janë shlyer detyrimet
kontaktuale, tregon se kjo është mirëfilli një çështje tërësisht administrative.
A mban brenda inate personale mes Edi Ramës dhe Irfan Hysenbelliut? Këtë mund
ta mendojmë apo përfytyrojmë, por dot nuk e provojmë.
Ndaj në rastin konkret vetëm për censurë nuk bëhet fjalë dhe
pse një grup njerëzish ulin nivelin personal të inteligjencës për ta trajtuar
si të tillë. Për stafin e News 24 duhet patur mirëkuptim maksimal, sepse ata
janë në një pozitë të tillë ku duhet të mbajnë këtë linjë të imponuar qoftë dhe
instinktivisht, në këtë histori të errët marrëdhëniesh e interesash, të
punëdhënësit të tyre.
Ndërsa për mungesën e lirisë së fjalës dhe censurën
personalisht, mendoj se ajo jo vetëm nuk ekziston, por është me tepri. Është
problem tjetër që ne ose e keqpërdorim ose nuk dimë ta përdorim si duhet. Në
media ka vend për ata që janë idealistë dhe për ata që janë konformistë, por
edhe për shumicën që janë oportunistë. Të gjithëve na sheh, lexon e vlerëson
publiku.
Kush do të shitet e të blihet e bën. Dhe ka qëlluar që si për
çudi dhe ironi, moralin dhe mbrojtjen e dinjitetit e bëjnë ata/ato që kanë
prostituuar më shumë profesionalisht duke u hedhur sa në një preh pushteti në
një tjetër, me servilizëm, shërbëtorllëk apo pseudoidealizëm, varësisht nga sa
u është ofruar buxheti i shpërblimit.
Për ta mbyllur nëse vërtetë drejtuesit e News 24 besojnë se
marrja e ambienteve të qiramarra është një akt censure, po u sjell ndërmend një
zgjidhje që i ndjeri Dritan Hoxha, njeriu që televizionin e krijoi për pasion,
jo për përfitime e presion tha dikur kur ishte në përplasje të hapur me çdo
lloj pushteti qoftë kur kryeministër ishte Fatos Nano dhe më pas Sali Berisha.
Nuk ka shans njeri të mbyllë Top Channel. Edhe po s'më lanë të transmetoj në
Shqipëri, do transmetoj me satelit dhe një autobus me regji nga Mali i zi. Dhe
asnjë pushtet nuk ia doli ta gjunjëzojë përsa kohë nuk e shtriu kurrë dorën të
merrte qoftë edhe një lek nga paratë publike, siç bënë gjithë këto vide
individë të tjerë apo grupe të tjera mediatike.
Nëse do pavarësi, fute dorën në xhepin tënd dhe jo të shtetit
dhe askush nuk ka as guxim e as moral të të dalë përballë!
No comments:
Post a Comment