Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky zhvilloi të premten një bisedë telefonike me presidentin francez Emmanuel Macron, ku theksi u vendos mbi nevojat urgjente të mbrojtjes së Ukrainës, përfshirë forcimin e mbrojtjes ajrore dhe trajnimin e pilotëve ukrainas në avionët luftarakë francezë Mirage.
“Diskutuam situatën në vijën e
frontit dhe prioritetet e Ukrainës në sektorin e mbrojtjes. Jam mirënjohës ndaj
Emmanuelit për mirëkuptimin e tij strategjik dhe gatishmërinë për të na
ndihmuar pikërisht me atë që u nevojitet ushtarëve tanë”, tha Zelensky përmes
një postimi në platformën X.
Sipas tij, të dy udhëheqësit
biseduan në detaje për furnizimin me raketa për sistemet franko-italiane
kundërajrore SAMP/T, si dhe për financimin e dronëve interceptues që përdoren
për të sprapsur sulmet ajrore ruse.
Gjithashtu, u ra dakord për
trajnimin e pilotëve ukrainas në avionët Mirage, duke theksuar gatishmërinë e
Francës për të pranuar personel shtesë dhe për të zgjeruar këtë program, që do
të forcojë aftësinë operacionale të Forcave Ajrore ukrainase.
Zelensky shtoi se po përgatiten
vendime të përbashkëta me Francën dhe partnerë të tjerë në nivelin e ministrave
të mbrojtjes dhe të jashtëm për hapat e mëtejshëm që do të mbrojnë jetën e
popullit ukrainas nga sulmet ruse.
Ai gjithashtu falënderoi
Francën për kontributin në promovimin e paketës së 18-të të sanksioneve të
Bashkimit Evropian ndaj Rusisë dhe theksoi nevojën për të rritur presionin
global mbi Moskën.
No comments:
Post a Comment