Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, paralajmëroi tarifa prej 35 për qind për importet nga Serbia dhe 30 për qind për importet nga Bosnje dhe Hercegovina.
Tarifat e reja për dy vendet e Ballkanit Perëndimor, si edhe
ato për një sërë vendesh të tjera do të hyjnë në fuqi më 1 gusht.
Ato janë më të ulëta sesa ato që Trump i paralajmëroi në prill
– 37% për mallrat nga Serbia dhe 35% për ato nga Bosnje dhe Hercegovina.
Megjithatë, zbatimi i këtyre të fundit u shty për 90 ditë.
Trump i paralajmëroi tarifat e reja në letrat drejtuar
udhëheqësve të vendeve – në rastin e Serbisë, presidentit Aleksandar Vuçiç,
ndërsa në rastin e Bosnje dhe Hercegovinës kryetares aktuale të presidencës,
Zhelka Cvijanoviç.
Këto letra janë të njëjta, përveç ndryshimeve në normat
doganore që i vendosen secilit shtet veç e veç.
Letra e Trumpit fillon duke thënë se është “nder i madh” për
të që dërgon një letër, e cila tregon rëndësinë dhe përkushtimin e SHBA-së për
marrëdhëniet tregtare me atë shtet.
Ai shton se SHBA-ja ka pranuar ta vazhdojë bashkëpunimin
tregtar me vendin në fjalë, pavarësisht “deficitit të konsiderueshëm tregtar”
që SHBA-ja ka me të.
Sipas tij, norma e deklaruar e tarifës – 30 për qind për
Bosnje dhe Hercegovinën dhe 35 për qind për Serbinë – është shumë më e ulët se
ajo që nevojitet për të eliminuar pabarazitë dhe deficitin tregtar.
Trump, gjithashtu, kërcënon se do t’i rrisë tarifat nëse
vendet hakmerren, duke vendosur tarifa shtesë për importet nga SHBA-ja.
Trump njoftoi të hënën në rrjetin e tij social, Truth Social,
vendosjen e tarifave të reja doganore për një sërë shtetesh.
Për Japoninë, Korenë e Jugut, Malajzinë dhe Kazakistanin
parashikohen tarifa prej 25%; për Afrikën e Jugut 30%; për Indonezinë 32%; për
Bangladeshin 35%; për Kamboxhën dhe Tajlandën 36%, dhe për Laosin e Mianmarin
40%.
Në fillim të prillit, Trump vendosi tarifë 10% për importet
nga Kosova.
Masë të ngjashme, atëkohë, vendosi edhe për importet nga
Shqipëria, kurse për ato nga Serbia ishte 37%, nga Bosnje dhe Hercegovina 35%
dhe nga Maqedonia e Veriut 33%.
Ekspertët vlerësuan se tarifat amerikane do të kenë shumë
ndikim në Kosovë, për shkak të varësisë së madhe nga importet.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha atëkohë se zyra e saj
ka bërë gati një ligj që do të mundësonte heqjen e tarifave prej 10% ndaj
mallrave të importuara nga SHBA-ja, por se për miratimin e kësaj mase duhet
fillimisht të konstituohet Kuvendi i ri./ REL
No comments:
Post a Comment