Superstrada Tiranë-Durrës do të kthehet në një austostradë të kategorisë A, duke shtuar korsitë e lëvizjes për një lehtësim të ndjeshëm të trafikut.
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamjet nga kantieri i
superstradës Tiranë-Durrës, ndërsa tha se punimet janë drejt përfundimit për
korsitë e reja të lëvizjes.
Rama po ashtu njoftoi se paralelisht ka nisur puna edhe për
rindërtimin e korsive të vjetra.
Dhe në këtë drejtim, për të garantuar vijimin normal të
punimeve, është realizuar devijimi i qarkullimit të mjeteve nëpërmjet zgjerimit
të ri pranë mbikalimit të Kasharit, aksi rrugor që të çon drejt Aeroportit
Ndërkombëtar “Nënë Tereza”.
Devijimi është i pajisur me sinjalistikë të përkohshme, të
vendosur në përputhje me standardet e sigurisë rrugore, me qëllim orientimin
dhe mbrojtjen e përdoruesve të rrugës.
Punimet për zgjerimin e trupit të rrugës me nga dy korsi në
secilën anë, ku njëra korsi do të shërbejë për emergjencat, duke e bërë
superstradën, në përfundim të punimeve, me nga katër korsi në secilin drejtim,
nisën vitin e shkuar.
Superstrada Tiranë – Durrës (e njohur në vend që prej viteve
’90 si “Autostrada”) fillon nga Mbikalimi i Kamzës deri tek Ura e Dajlanit. Ajo
është një nga arteriet kryesore dhe më të rëndësishme të vendit, e cila lidh dy
qendrat më të mëdha administrative, industriale, kulturore dhe turistike të
Shqipërisë, si dhe korridoret Veri-Jug dhe Lindje-Perëndim.
Me mbarimin e punimeve, limiti i shpejtësisë për makinat që do
të përshkojnë këtë segment do të jetë 130 km në orë.
Volumi i trafikut në këtë aks përgjatë muajve të verës shkon
nga 90 000 deri 120 000 makina në 24 orë.
No comments:
Post a Comment