Nga Ilir Demalia
Në shkrimin e tij të fundit mbi situatën në Theth dhe vendimet e qeverisë për ndërhyrje në ndërtimet pa leje, Alfred Lela, zëdhënës i Sali Berishës, e ka përdorur këtë ngjarje si një platformë për të ringjallur ndasi fetare dhe krahinore që i përkasin një epoke të errët të historisë shqiptare. Kjo qasje nuk është thjesht spekulative – ajo është e qëllimshme, nxitëse dhe jashtëzakonisht e rrezikshme për kohezionin social të vendit.
Shqipëria, ndryshe nga shumë
vende të Ballkanit, ka mbijetuar mbi themelet e një bashkëjetese të rrallë
ndërfetare dhe ndërkrahinore. Ndërsa ka pasur periudha të errëta, shqiptarët
kanë ditur të ruajnë një vetëdije kombëtare që e ka vendosur përkatësinë etnike
dhe gjuhësore mbi ndasitë e tjera. Kjo është një vlerë që nuk duhet minuar në
emër të një beteje politike apo për të mbrojtur interesat e një politikani të
përballur me izolim ndërkombëtar dhe një vendim të formës së prerë nga
drejtësia.
Të krahasosh rezistencën e
shqiptarëve katolikë në vitet 1945-1948 ndaj komunizmit me rezultatin e
zgjedhjeve të 2023 apo 2025, është një abuzim historik dhe një banalizim i
sakrificës së atyre që u ngritën kundër diktaturës. Thethi nuk është një “rrip
i Biblës”, as Shkodra nuk është “tokë e shenjtë e së djathtës”. Këto janë
qytete dhe fshatra të Shqipërisë, me qytetarë që mendojnë, votojnë, e jetojnë
të lirë, ashtu si çdo shqiptar tjetër, pavarësisht fesë apo krahinës.
Më e rrezikshme është nënteksti
i thirrjes për përplasje: “Të vijë fundi që të vijë zgjidhja” – kjo nuk është
analizë politike, por thirrje e fshehur për destabilizim. E kemi provuar
“fundin” në vitin 1997, me gjak, me djegie, me plaçkitje, me shkatërrim të
institucioneve. A është kjo ajo që kërkon sot Sali Berisha, përmes Alfred
Lelës? Të ndizet Shqipëria, që të shpëtojë ai personalisht?
Nuk ka asgjë më të keqe për një
komb të vogël sesa të përdorë plagët e historisë për përfitim politik. Nuk
është hera e parë që Berisha dhe njerëzit pranë tij e bëjnë këtë: në vitin
1997, ai i shpalli jugun “armik”, duke përçarë vendin në veri dhe jug. Sot, me
të njëjtin stil, kërkon të ndajë shqiptarët në të krishterë dhe myslimanë, në
“Theth besnik” dhe “Theth tradhtar”.
Por Shqipëria e vitit 2025 nuk
është ajo e ’45-s apo e ’97-s. Shqiptarët nuk kanë më oreks për luftra të
vjetra, për përçarje të reja apo për politika që nxisin urrejtje. Sot qytetarët
duan shtet, drejtësi, barazi dhe zhvillim. Ato që ndodhin në Theth duhet të
trajtohen me ligj, jo me ndjeshmëri krahinore apo fetare. Nëse ka abuzime, le
të ndëshkohen. Por në emër të ligjit, jo të hakmarrjes politike.
Shqiptarët janë lodhur nga
politikanë që ndërtojnë kulla mbi djegie, tensione dhe retorikë të rrezikshme.
Është koha të refuzojmë ata që i fryjnë erës së përçarjes dhe të qëndrojmë të
bashkuar për një Shqipëri më të drejtë, më moderne dhe më të qytetëruar.
⸻
Në këtë moment vendimtar për
vendin, gjuha që përdor Alfred Lela nuk është thjesht e papërgjegjshme – ajo
është anti-kombëtare. Dhe kjo nuk është thjesht çështje bindjeje politike.
Është çështje morali dhe përgjegjësie.
No comments:
Post a Comment