Kantina Duka – Shije shqiptare që udhëton botën

Reklamë

LAJMI I FUNDIT:

Post Top Ad

Your Ad Spot

Tuesday, July 8, 2025

Përplasja e fundit mes Muskut dhe Trumpit mund ta përfundojë përgjithmonë sagën e MAGA-s

Nëse marrëdhënia midis njeriut më të pasur në botë dhe njeriut më të fuqishëm në botë mund të quhet një “bromancë”, atëherë ata – dhe, për pasojë, edhe ne të tjerët – po kalojnë fazën e “ish-partneri/ja që flirton me dikë tjetër vetëm për t’u inatosur ai/ajo”.

 


Elon Musku, duke përplasur derën kur doli, projektligjin “e madh dhe të bukur” të Donald Trumpit, për të cilin presidenti ndihet aq krenar, ka thënë se “projektligj masiv, skandaloz, plot me shpenzime të Kongresit, është neveri e gërditshme. Turp për ata që votuan për të: e dini që keni gabuar. E dini.”

 

 

Trumpi, duke hapur dritaren dhe duke bërtitur nëpër rrugë, përgjigjet me zë të lartë se miku i tij i ngushtë është “çmendur fare”! Musku tërhiqet, duke murmuritur diçka për dosjet Epstein.

 

Tani, pak më vonë, historia jonë e dashurisë ka avancuar dhe Musku ka gjetur një mënyrë të re për ta lënduar Trumpin – një parti të re politike që mund të rrezikojë kontrollin e pasigurt të Trumpit mbi Kongresin në zgjedhjet afatmesme të vitit të ardhshëm dhe të paralizojë kështu presidencën e tij. Partia “Amerika”, e mbështetur nga fonde pothuajse të pakufizuara, do të jetë nën kontrollin e Muskut dhe do të përqendrohet në disa pak vende të Senatit dhe distrikte të Kongresit të mbajtura nga republikanët/MAGA [Make America Great Again], që mund të ndikojnë në ekuilibrin e fuqisë ligjvënëse, duke e larguar partinë nga politikat fiskale shkatërrimtare – siç e quan Musk – dhe ta rikthejnë tek ideali i humbur i konservatorizmit fiskal.

 

Musku pretendon se demokratët dhe republikanët janë në thelb të njëjtë – gjë që do të jetë lajm i ri për ata demokratë të cilët Trumpi i ka kërcënuar me burg – dhe se vetëm Partia Amerika mund ta shpëtojë Shtetet e Bashkuara. Trumpi përgjigjet me arrogancë duke deklaruar: “Mendoj se është qesharake të krijosh një parti të tretë”, duke shtuar: “Krijimi i një partie të tretë vetëm sa shton konfuzionin”; “Jam i pikëlluar teksa shoh se Elon Musku ka dalë plotësisht jashtë kontrollit, duke u kthyer – në pesë javët e fundit – në një katastrofë hekurudhore”. Është e mundur që Musku të financojë një kandidat presidencial në vitin 2028 dhe t’i japë – një herë e përgjithmonë – fund sagës MAGA.

 

Në këtë pikë, gjithçka që mund të thuhet është: “Duhet të jetë dashuri”.

 

Duhet ta pyesim Elonin: çfarë ndodhi me premtimin tënd për t’u larguar nga politika dhe për t’u përqendruar te bizneset e tua, veçanërisht te Tesl , ku lidhja toksike me Trumpin ka dëmtuar rëndë shitjet, veçanërisht në Evropë, ku disa i kanë pagëzuar makinat e tij si “autosvastika” [Swasticars]? Por, jo – as përkushtimi ndaj punës nuk e ka ndihmuar Muskun të përballojë dhimbjen e ndarjes.

 

Ashtu si adoleshentë të rritur e të llastuar, siç janë realisht këta dy burra, duket se hakmarrja obsesive është ajo që i motivon në çdo veprim. Ata nuk do të çlirohen kurrë nga kjo marrëdhënie, edhe nëse Trumpi e deporton Muskun dhe Musku ia ndërpret qeverisë amerikane qasjen në satelitët dhe kapsulën “SpaceX Dragon”, nga e cila varet misioni i Stacionit Ndërkombëtar Hapësinor.

 

Është si të shohësh një çift teksa shkatërron sendet më të çmuara të njëri-tjetrit, për të parë kush lëndon më shumë, ndërkohë që sillen sikur nuk u intereson fare. Kur Trumpi e anuloi mandatin për makinat elektrike (EV) – që ka ndihmuar aq shumë Tesla-n për të dalë në pah – Musk thotë se nuk i intereson, se vetëm dëshiron të përfitojë nga ai projektligj i madh i bukur. Trumpi thotë se nuk ka nevojë për ndihmën e Muskut për të fituar zgjedhjet, edhe pse më parë e kishte mbuluar me lëvdata. Asgjë nga kjo, siç e dinë të dashuruarit, nuk është e arsyeshme.

 

Çfarë do të ndodhë? Është e pamundur të jepet përgjigja për këtë dyshe. Të dy janë tërhequr nga pozicioni kur kërcënimet bëhen tepër të ashpra, duke lënë të kuptohet një pajtim – por, vetëm për të rifilluar armiqësitë. Do të mendoje se do të mbushen mend, derisa e kupton se ata nuk duan të mbushen mend. Dhe, askush nuk mund t’i detyrojë për këtë. Madje as njëri-tjetrin.

No comments:

Post a Comment

Post Top Ad

Your Ad Spot