Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se ka nominuar presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, për Çmimin Nobel për Paqe.
Më 7 korrik, Netanyahu takoi Trumpin në Shtëpinë e Bardhë, ku
tha se i ka treguar letrën që i ka dërguar komitetit që ndan çmimin
prestigjioz.
“Ai po ndërton paqe ndërkohë që ne flasim, në një vend… në një
rajon pas tjetrit”, tha Netanyahu gjatë një darke me Trumpin në Shtëpinë e
Bardhë.
Gjatë viteve, Trump është nominuar disa herë për Çmimin Nobel
për Paqe nga mbështetës dhe ligjvënës të ndryshëm dhe nuk e ka fshehur
zhgënjimin e tij që nuk ka fituar.
Ai është ankuar hapur se është anashkaluar nga Komiteti
Norvegjez i Çmimit Nobel për rolin e tij ndërmjetësues në konfliktet midis
Indisë dhe Pakistanit, si dhe Kosovës dhe Serbisë.
Në vitin 2020, derisa Trump ka shërbyer në mandatin e parë
presidencial, ai ka dëshmuar nënshkrimin e një marrëveshjeje mes Kosovës dhe
Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike.
Muajin e kaluar, Trump i është bashkuar luftës së Izraelit në
Iran, duke sulmuar objektet bërthamore iraniane.
Më pas, ai ka ndërmjetësuar një marrëveshje armëpushimi mes
këtyre dy vendeve.
Paraardhësi i Trumpit gjatë mandatit të parë, Barack Obama, ka
fituar Çmimin Nobel për Paqe në vitin 2009.
Komiteti Norvegjez i Nobelit ka përmendur “përpjekjet e tij të
jashtëzakonshme për të forcuar diplomacinë ndërkombëtare dhe bashkëpunimin
midis popujve” si arsye për çmimin. /REL
No comments:
Post a Comment