Nga Ben Andoni
Shqipëria është vendi ku pabarazia të godet në çdo moment dhe
të prek ngado. Goditjet e viteve të fundit të SPAK-ut dhe sekuestrimet e
shumave të mëdha të parave janë vetëm një dritare, ku ne shohim të
materializuar pabarazinë skajore në vend. Pasuri të frikshme të krimit (pjesa
më e madhe ardhur nga hiçi) dhe të zyrtarëve, të cilat nuk justifikohen dot as
me moshën, rrogat, përfitimet e as me tagrin shtetëror dhe as me punët e
nivelin intelektual, na përplasen para syve për çdo ditë. Të kërkosh barazinë e
mundësive në Shqipëri është po kaq paradoksale saç ndodhi me pak individë nga
klasat e të pasurve që kërkonin mirëkuptim nga regjimi komunist i pas Luftës së
Dytë Botërore. Drejtorokracia që e goditi kryeministri me një hyrje alla Ramë
ishte një aspekt se ku arrin sot papërgjegjshmëria por edhe të shtang
papërgjegjshmëria dhe pasuria e ofiqarëve të administratës. Kësaj i shtohet
luksi fals i vajzave dhe njerëzve të show dhe i çdo lloj turboje tjetër që na e
përshfaq pabarazinë në një aspekt tjetër, ku krimi jeton me hilen, shfaqjen
kallpe në media dhe kinse pasurinë e vajzave që na presin rrugën çdo ditë në
kryeqytet me super makinat. Kjo e fundit është modeli më i ndyrë (fryrë dhe nga
kolegë), kur mendon përkorja e shoqërisë shqiptare dhe sakrificën e madhe të
brezave të tërë shqiptarësh për një lloj barazie dhe demokracie. Në fakt,
studiuesi Piketty e pranon se është rrugë e gjatë për vendosjen e barazisë, por
ndërsa në vende ku kapitali është zot kërkon aksione të mëdha emancipuese nga
pushteti dhe përpjekje të vazhdueshme nga poshtë prej popullit, tek ne po
triumfon anarkia dhe mungesa e çdo lloj morali dhe mungesa e angazhimeve.
Padrejtësia është kudo. Barazia pakkund.
“Kërkimi i demokracisë ideale, që nuk është gjë tjetër veçse
prirje drejt barazisë politike, prirje drejt barazisë në të gjithë format e saj
(sociale, ekonomike, arsimore, kulturore, politike) është një proces ende në
vazhdim dhe i papërfunduar”, shkruan tek “Histori e shkurtër e Barazisë”,
Thomas Piketty.
Shqetësimi për vendin, ku po jetojmë, lidhet me mënyrën sesi
po ndahet pasuria por edhe pse jeta e njerëzve të thjeshtë dhe e klasës së
mesme po bëhet kaq e vështirë. Ndaj largimi në masë është vetëm një aspekt,
kurse apatia e përgjithshme dhe humbja e shpresës e bëjnë një nga kombet më
vitalë dhe ish-rinorë si Shqipëria tashmë të kërruset krejt nga dhimbja.
Ekonomistët e vendosin thelbin te sistemi fiskal, politikanët te reformat ndaj
informalitetit dhe ndihmës për turizmin dhe infrastrukturën, që çdo vit po
zhgënjejnë. Për këtë të fundit të mjafton realiteti i shkuarjes në Shkodër të
kuptosh paradokset, por Rama dhe të tijët vazhdojnë me ëndrrën evropiane të
vitit 2030, kurse opozita është dorëzuar tashmë edhe në narrativë. Cinizmin e
dorëzimit e gjen tek deputetët e saj në parlamentin e ri që e shprehin hapur,
madje edhe me një sintaksë të mjerë rrugësh.
Paradoksalisht, ekonomia rritet ndërsa pabarazia po ashtu.
Statisticienët e dinë mirë se PBB-ja s’është tregues absolut për zhvillimin. Të
dhënat e fundit nga Eurostat e ngrenë edhe më shumë alarmin: Shqipëria
rreshtohet në vendin e parë në Evropë për përqindjen e popullsisë në rrezik
varfërie dhe përjashtimin e thellë social. Rreth 42% e popullsisë shqiptare
(referim i vitit 2023), “pothuaj mbi 1 milion qytetarë jetojnë në kushte të
varfërisë së rëndë, të paaftë për të përballuar të paktën 7 nga 13 tregues të
privimit ekonomik dhe social, si pagesat e qirasë apo kredive, pushimet
minimale vjetore, ushqimi bazë, ngrohja, ose ndërrimi i mobilieve të vjetra”,
referon Altax.al. Në të njëjtin vlerësim, situata është tejet e vështirë për ne
krahasuar me vendet e tjera në Ballkan: Mali i Zi (34.1%), Maqedonia e Veriut
(32.6%), Serbia (30%) – shifra që tregojnë se Shqipëria e ka imediate
rikonceptimin rrënjësor të politikave ekonomike dhe fiskale. Po ashtu, vendi ka
nevojë për zhvillim të qëndrueshëm dhe jo si më sot me pa barazi të theksuar,
me mungesë reformash dhe me një sistem fiskal që shpërndan jo drejt, mendojnë
specialistët. Këta të fundit theksojnë se: vendi ynë mbetet një shembull
domethënës i një sistemi fiskal që, në vend t’i zbusë pabarazitë, shpesh i përforcon.
Referuar raportit “Barra Tatimore në Shqipëri dhe Ballkanin Perëndimor 2024”,
vendi ynë ka një nga strukturat më regresive të taksimit në rajon, me një
ndikim modest në uljen e pabarazisë dhe varfërisë. Kësaj i shtohet
informaliteti në çdo gjë dhe pasiguria në tregun e punës. Të mendosh se edhe në
institucione shtetërore, punonjësi nuk merr pagesat siç duhet (Referimet për
Air Albania mes të tjerave) konform kontratave, atëherë kupton se pabarazia në
Shqipëri është tashmë një normalitet. Dhe, kësaj i bashkohet kaosi sesi po
menaxhohet vendi ynë ose mungesa e prioriteteve: Nuk merr fund problemi i ujit
të pijshëm në vend që me ngrohjen globale do përcjellë edhe më shumë vështirësi
për popullatën, veçanërisht atë të varfrën. Betonizimi i madh i kryeqytetit dhe
i disa qyteteve kryesore po zhduk çdo individualitet të Tiranës & Co; kurse
zvogëlimi i hapësirave të gjelbra po manifestohet në shëndetin e jetës së
përditshme; kanalizimet dhe përpunimi biologjik i ujërave të zeza mbeten më
shumë se shqetësim; ndotja e ajrit në Tiranë dhe qytetet kryesore ka kuota
alarmante; kurse ndotja akustike në Tiranë ka kapur nivele të paimagjinueshme,
madje edhe në orët e shenjta të prehjes biologjike (natën se dreka nuk
llogaritet më); shtojmë mbrojtjen e lumenjve nga inertet dhe derdhjen e tyre në
Adriatik; e shtuar edhe akset kryesore të vendit të amortizuara frikshëm…Të
gjitha (ka edhe më) si faktorë peshojnë në këtë pabarazi të madhe.
Pabarazia e të ardhurave në vendet e Evropës Lindore është
kudo e dukshme, por ndryshon me vende si Shqipëria dhe Kosova që e përjetojnë
këtë në nivele më të larta se të tjerat. Starti demokratik pas komunizmit nuk
ishte i njëllojtë, kurse kudo u pa një rritje e pabarazisë së të ardhurave
ndërsa ekonomitë e tregut u zhvilluan. Qeverisja e atëhershme e PD-së ka lënë
ende pasoja që qeverisjet socialiste i shumëfishuan. Ndërkohë është e habitshme
se vende me elita politike shoqërore, që kanë treguar probleme, siç është rasti
i Bullgarisë dhe Rumanisë kanë pabarazi më të lartë, krahasuar me vende të
tjera më të kujdesshme si Sllovakia dhe Çekia, të cilat ruajnë nivele
relativisht më të ulëta pabarazie. Literatura rreshton një sërë faktorësh të
tillë si: zhvillimi ekonomik, globalizimi dhe forca e shteteve të mirëqenies
sociale që ndikojnë në këto trende.
Në të gjithë qerthullin shqetësuese mbetet mënyra sesi po
sillet elita jonë politiko-sociale, ku për 35 vite u soll shumë keq me
rishpërndarjen e pronës, një proces kompleks i ndikuar dhe nga momenti
historik, manovrimet politike, të cilat kanë lënë me gisht në gojë shumë nga
pronarët realë. Pasojat mijëra të vrarë. Ndërkohë që një sërë nga kinse elitat
tona shfrytëzuan paqartësitë dhe boshllëqet ligjore për të mbrojtur asetet e
tyre ekzistuese ose për të fituar të reja gjatë privatizimit, shpesh në kurriz të
përfitimeve më të gjera shoqërore. I kemi pasur para syve sesi, manovra
strategjike dhe ndikimi politik shpesh çuan në korrupsion dhe nepotizëm, ku
shumë nga “elitat” përfituan dukshëm në kurriz të publikut. Ndërkohë, Shqipëria
vazhdon ende deri me problemet me regjistrimin e pronës, pretendimet e
mbivendosjes të tokës dhe mospërputhjet midis bazave të të dhënave të tokës.
Por zgjidhja shpesh komplikohet, kurse trashëgimia e kësaj rezistence të elitës
së sotme vazhdon ta formësojë peizazhin socio-ekonomik të rajonit, në një trend
që e gjen në literaturë edhe për vende të tjera të Ballkanit.
Shqipëria politike (dhe prej më pak se 20 vitesh dhe Kosova)
duhet ta lerë argumentimin bosh të politikanëve dhe të rrugëtojnë drejt
barazisë, po për këtë i duhet shteti social dhe taksimi progresiv, bash gjëra
që klasa politike “bën sikur nuk i di”. Ndërkohë, duhet të jetë pak më e
kujdesshme me kinse pasunarët, të cilët po përfundojnë në SPAK dhe sidomos
indiferencën ndaj barazisë. Atë që na shfaq një klasë të pamëshirë ndaj dy
klasave të tjera dhe rezistencën e një kinse elite që ka mbërthyer gjithçka në
vend. (Homo Albanicus)
No comments:
Post a Comment