Në një reagim të fortë dhe të drejtpërdrejtë, avokatët mbrojtës të Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, kanë denoncuar publikisht atë që e cilësojnë si një “gjyq spektakolar publik” të ngritur mbi rrjedhje të paligjshme informacioni dhe artikuj të porositur mediatikë.
Sipas tyre, përdorimi i mediave të lidhura me strukturat e hetimit dhe publikimi i detajeve konfidenciale nga dosja hetimore, përpara se çështja të shkojë në gjykatë, përbën një shkelje të rëndë të ligjit dhe një rrezik serioz për standardet demokratike të drejtësisë në vend.
“Ne, avokatët mbrojtës të z.
Erion Veliaj, shprehim shqetësimin tonë të thellë për përpjekjet e përsëritura,
për të shndërruar një procedim penal në një gjyq publik spektakolar përmes
përdorimit të mediave të lidhura me SPAK dhe shkeljeve flagrante të ligjit, siç
është zbulimi i paligjshëm i sekretit hetimor. Artikujt me porosi, të paraqitur
si “zbulime ekskluzive”, nuk synojnë zbardhjen e së vërtetës, por ndërtimin e
një narrative të gatshme publike përpara se çështja të provohet me fakte në një
sallë gjyqi.
Këto ditë, detaje të tjera u
nxorën në media, përfshirë edhe lidhur me dëshmitë e dëshmitarëve.
Në një shtet demokratik dhe
evropian, drejtësia zhvillohet brenda institucioneve të drejtësisë, jo në tituj
gazetash, rrjete sociale apo “seriale kriminale” të prodhuara nga media të
kontrolluara përmes rrjedhjeve anonime dhe të paligjshme. Edhe më shqetësuese
është fakti që këto rrjedhje ndodhin gjatë fazës së hetimeve paraprake, e cila
është nën mbrojtjen e detyrueshme të organit që e administron, prokurorisë.
Pikërisht këtu dështimi është i pakundërshtueshëm: jo vetëm që nuk është
mbrojtur integriteti i procedurës, por është shkelur rëndë parimi i sekretit
hetimor, duke e kthyer procesin në një farsë publike.
Ne po dokumentojmë çdo akt që
jo vetëm shtrembëron këtë procedim penal, por që gjithashtu cenon rëndë rendin
kushtetues dhe standardet evropiane të drejtësisë mbi të cilat mbështetet rruga
e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Kjo çështje përfaqëson
një regres të dallueshëm dhe të dëshpëruar drejt një epoke parademokratike.
Z. Veliaj është Kryetari
legjitim dhe i zgjedhur në mënyrë demokratike i Bashkisë së Tiranës, i votuar
nga mbi 160,000 qytetarë. Megjithëse të drejtat e tij, si edhe ato të
qytetarëve që ai përfaqëson, mbrohen nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë,
ai vijon të mbahet në izolim total, nën kushte të ashpra dhe të pajustifikuara
kufizuese, që e pengojnë të ushtrojë detyrën e tij si Kryetar Bashkie. Ne jemi
të bindur se kur kjo ndjekje penale të vihet përballë një organi të paanshëm
gjykimi, ajo do të shembet dhe do të zbulohet për çfarë është në të vërtetë, një
ndjekje penale që ka kthyer mbrapsht në mënyrë thelbësore përparimin e
Shqipërisë drejt përputhjes me standardet evropiane të drejtësisë dhe shtetit
të së drejtës, duke u mohuar njëkohësisht qytetarëve të Tiranës shërbimin e
Kryetarit të tyre dhe duke shkaktuar dëm të madh për Tiranën dhe qytetarët e
saj.”
No comments:
Post a Comment