Nga Ilir Demalia
Më lidh një fije gjaku me Malësinë e Gjakovës – më saktë, me
Bytyçin, trevë krenare që ka lindur e rritur burra të dheut. Por unë vetë kam
lindur dhe jam rritur në Tiran. Edhe pse ambienti urban më ka formësuar si
qytetar, gjithmonë kam ndjerë në damarë një thirrje të heshtur që vinte nga
veriu – një zë i pashpjegueshëm, që më ftonte të kthehem aty ku ajri është aq i
pastër sa ndjen se je më afër qiellit, aty ku nderi nuk është fjalë e madhe,
por mënyrë jetese, dhe ku natyra flet me madhështinë e maleve.
Vizita ime në Malësinë e Gjakovës nuk ishte pjesë e një plani
të gjatë. Ishte një vendim i çastit, si shumë gjëra të bukura që ndodhin në
jetë. Miku im, K.B më tha pak ditë më parë: “Mos bëj plane për fundjavën, do të
shkojmë në Valbonë.” Dhe me këtë fjali nisi një nga udhëtimet më të veçanta të
jetës sime – një rrugëtim që më ktheu jo vetëm në vendlindjen e gjyshërve, por
në një botë të lashtë, të paprekur, të vërtetë.
Rruga drejt Malësisë – Në kërkim të rrënjëve
U nisëm nga Tirana me një grup shokësh: K. dhe Ardiani – lebër nga Vlora, Papi nga
fshati Shipshan në Tropojë, dhe unë – me origjinë nga Bytyçi. Rruga na çoi
përmes Rrugës së Kombit, për në Kukës, pastaj në Morinë, nëpër Kosovë e më pas
drejt Qafës së Morinës, duke hyrë sërish në Shqipëri, në zemër të Malësisë së
Gjakovës.
Kur kaluam Tropojën e vjetër dhe arritëm në Bajram Curr, më
pushtoi një ndjesi e rrallë: mall, nostalgji, ndoshta edhe një lloj borxhi të
brendshëm ndaj tokës së të parëve. Hera e parë që kisha qenë këtu ishte në
vitin 1985, për vetëm 24 orë. Tani po kthehesha me sytë e një njeriu më të
pjekur, me mendje që kërkon kuptim dhe zemër që kërkon rrënjë.
Magjia e Valbonës – Bukuria që të rrëmben dhe dhimbja që të
mbetet
Sa më shumë i afrohesh Valbonës, aq më shumë ajo të rrëmben.
Lugina shtrihet mes maleve të thepisura si në një përrallë alpine. Rruga që
ndjek lumin me ujë të pastër e të ftohtë është si një udhë hyjnore që të çon
drejt shpirtit të natyrës shqiptare.
Në këtë peizazh përrallor janë ngritur bujtina të shumta,
njëra pas tjetrës. Por më shumë sesa gëzim, ato më krijuan një lloj shqetësimi:
pjesa më e madhe e këtyre godinave janë ndërtuar me beton, tullë dhe materiale
që nuk i përkasin këtij vendi. Në një zonë ku natyra të thërret për thjeshtësi,
bujtina guri dhe dru që të shkrihen me peizazhin, ndërtime me tulla dhe
beton janë si plagë të hapura. Ato nuk
flasin për mikpritje, por për mungesë ndjeshmërie ndaj trashëgimisë.
Ajo që më tronditi më shumë ishte ajo ç’ka i ishte bërë lumit Valbonë. Në shumë
segmente, Valbona është futur në tuba betoni për hidrocentrale të vegjël. Kjo
është një ndër krimet më të rënda që i është bërë natyrës shqiptare. Uji i
akullt i burimeve, që dikur rridhte i lirë, sot është mbështjellë me beton, i
shpërthyer me dinamit, i devijuar për hidrocentrale të vegjël që nuk sjellin as
zhvillim dhe as mirëqenie – veç shkatërrim.
Jetojmë në Shqipëri, ku Lanën e Tiranës – që kalon mes përmes kryeqytetit dhe ku derdhen të gjitha ujërat e ndotura – e mbajmë të hapur, si burim infeksionesh dhe ere të rëndë. Ndërkohë, Valbonën e kristaltë, këtë burim jete, e kthejmë në Lanë, duke e futur në tuba për t’ia dhuruar masakruesve qeveritarë dhe klientelës së tyre. Dhe në këtë rast, masakruesit janë bashkëvendësit e Tropojës, ata që kanë dhënë lejet për këtë krim mjedisor dhe kanë ndërtuar vetëm për të mbajtur pushtetin përmes korrupsionit dhe shkatërrimit të Valbonës – gjithçka për pushtet dhe pasurim financiar.
Këta kanë shkatërruar me këto hidrocentrale Faunën e Valbonës.
Zhdukën troftën, lloj që gjëndej vetëm
në Valbonë në të gjithë botën për kushtet e ekosistemit që kishte.
Kur prishet një hallkë të ekosistemit shpërbehet i gjithë
sistemi.
Ç’ka ka ndodhur në Valbonë është krim.
Kjo nuk është vetëm një çështje mjedisore. Kjo është një
çështje ndërgjegjeje kombëtare. Valbona nuk është pronë personale. Ajo është
trashëgimi kombëtare. Dhe kur kombi shkatërron vetë vlerat e veta, ai humbet më
shumë sesa natyrën – humbet shpirtin.
Udhëtimi në Bjeshkën e Ujezës – Lartësia e mikpritjes
Nga Valbona, morëm rrugën për në Bjeshkën e Ujezës. Rrugës
ndaluam në Tyrben e Rexhep Belit, një vend i shenjtë për banorët e Tropojës, ku
u takuam me Bedri Hykajn – drejtor i shkollës së Shipshanit, por njëkohësisht
edhe kryeplaku i zonës, njëfarë guvernatori moral. Bedriu është njeri i lexuar
dhe i urtë. Ai na foli për historinë, për toponimet, për njerëzit që kanë
jetuar e luftuar në këto bjeshkë – dhe e bëri me aq pasion, sa dukej sikur
fjalët e tij zbrisnin vetë nga malet.
Pastaj, rruga na çoi lart në Ujezë, aty ku mbretëron qetësia,
freskia dhe gjelbërimi. Bjeshka ka marrë emrin nga ujezat e vogla që rrjedhin
në pllajat e saj. Aty takuam Shpendin, mikpritësin tonë, i cili kishte ngritur
stanin e vet. Me shpirt të bardhë dhe humor të hollë, ai na bëri të ndiheshim
si në shtëpi.
Pamjet ishin të rralla: lopë dhe dele të shëndetshme, gjinj të
mbushur me qumësht, gra malësore që mjelin bagëtinë dhe përgatisin djathin,
gjalpin dhe kosin me një kujdes që të kujton kohët e vjetra. Tregtarët vinin
nga Kosova për të marrë produktet e bjeshkës, ndërsa boronicat – të mbledhura
me dorë – kishin shijen e një dhurate që vjen nga natyra e paqëllimtë, por
bujare.
Fryma e pyllit dhe zërat e padukshëm të natyrës
Në pyjet që zbresin nga bjeshkët në luginë, ndihesh i
përhumbur. Lisat 30 deri në 50 metra të lartë krijojnë një hije të dendur ku
nuk hyn drita, përveç disa rrezeve që depërtojnë si gërsheta drite në mes të
errësirës. Është një atmosferë e magjishme. Dëgjon kërcitje degësh, ndien
lëvizje të padukshme – ndoshta sorkadhe, ndoshta ujq – dhe kupton se je në
botën e tyre, jo tënden.
Këto pyje janë pasuri që nuk mund të preken me dorë. Ato mund
të ndihen, të dëgjohen, të respektohen. Janë fole e biodiversitetit, por edhe
pasqyrë e shpirtit malësor – të egër, të lirë, të pavarur.
Kthimi në qytet dhe mall’i pashuar
Kur morëm rrugën e kthimit për në Tiranë, ndihesha i mbushur,
por edhe i malluar. Doja të kthehesha prapë. Jo për të bërë turizëm. Por për të
ndjerë sërish aromën e gjelbër të Bytyçit, për të parë majën e Shkëlzenit, për
të ndalur tek Kroi i Kumonave, për të përshëndetur nga larg Jezercën e për të
pirë ujë nga burimet e Sylbicës.
Këto janë pasuri që nuk maten me euro e me projekte, por me
kujtesë, me respekt.
Mirupafshim së shpejti Malësia e Gjakovës.
No comments:
Post a Comment