Raporti paraprak për aksidentin ajror të Air India, ku muajin e kaluar humbën jetën 260 persona, ka treguar se tre sekonda pas ngritjes nga pista, çelësat për furnizimin me karburant të motorëve janë kaluar pothuajse në të njëjtën kohë nga pozicioni “i ndezur” në “i fikur”, duke ndërprerë furnizimin me karburant të motorëve.
Aeroplani Boeing 787 Dreamliner menjëherë filloi të humbiste
lartësi, thuhet në raportin e publikuar nga hetuesit indianë të aksidenteve
ajrore.
Në incizimet e kabinës së pilotëve dëgjohet njëri prej tyre
duke pyetur tjetrin pse i ka fikur motorët, ndërsa tjetri përgjigjet se nuk e
ka bërë një gjë të tillë, sipas raportit.
Nuk është sqaruar se cili prej pilotëve (komandanti apo
bashkë-piloti) dha thirrjen për ndihmë pak para aksidentit.
Në vendin e aksidentit, të dy çelësat e karburantit u gjetën
në pozicionin “i ndezur”, dhe raporti tregon se ka prova që është tentuar
ndezja e motorëve pak para përplasjes, shkruan reuters.
Të dy pilotët kishin përvojë të madhe, me rreth 19 mijë orë
fluturimi, përfshirë mbi 9000 orë në modelin 787.
Raporti preliminar nuk sqaron gjithashtu si është e mundur që
çelësat të jenë kaluar në pozicionin “i fikur” gjatë fluturimit të 12 qershorit
nga qyteti Ahmedabad në Indi për në Londër.
Eksperti amerikan i sigurisë ajrore, Anthony Brickhouse shtroi
pyetjen kryesore “Pse janë kaluar çelësat në mënyrë që nuk përputhet me
procedurat standarde? “A lëvizën vetë apo i lëvizi ndonjëri nga pilotët? Nëse i
lëvizën ata, pse?”.
Ndërkohë, një tjetër ekspert amerikan, John Cox, deklaroi se
pilotët nuk mund t’i prekin aksidentalisht çelësat e karburantit. “Nuk mund t’i
prekësh rastësisht e të lëvizin,” tha ai.
Kalimi i çelësave në pozicionin “i fikur” ndalon menjëherë
motorët. Kjo procedurë përdoret zakonisht për fikjen e motorëve pas arritjes në
portat e aeroportit ose në raste urgjente, si për shembull në rast zjarri në
motor. Raporti thekson se nuk ka pasur ndonjë ngjarje urgjente që të kërkonte
fikjen e motorëve.
Në aeroplan ndodheshin 242 persona – 230 pasagjerë dhe 12
anëtarë të ekuipazhit. Vetëm një person mbijetoi, pasagjeri 40-vjeçar Vishwash
Kumar Ramesh.
No comments:
Post a Comment