Gjatë një fjalimi para anëtarëve të parlamentit britanik, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, vuri në pah natyrën e ndërlikuar të marrëdhënieve midis Francës dhe Mbretërisë së Bashkuar, si dhe sfidat globale që përballen sot, përfshirë luftën në Ukrainë dhe krizën humanitare në Gaza.
Duke folur në pallatin historik të Westminsterit, në ditën e
parë të vizitës së tij shtetërore në Mbretërinë e Bashkuar, Macron theksoi se
kthimi i luftës në kontinentin evropian ka vënë në rrezik rendin paqësor dhe
stabilitetin ndërkombëtar.
“Çdo avancim i Rusisë së Vladimir Putinit në Ukrainë
përfaqëson një kërcënim për të gjithë ne”, deklaroi ai, duke shtuar se Evropa
nuk do ta braktisë kurrë Ukrainën. Ai u bëri thirrje aleatëve që të
bashkëpunojnë në mbrojtje të rendit ndërkombëtar dhe vlerave të përbashkëta,
raporton bloomberg.
Duke iu referuar situatës në Gaza, Macron përmendi përpjekjet
për një armëpushim, duke thënë se kjo krizë kërkon një reagim të përbashkët dhe
të qëndrueshëm.
“Thirrja për një armëpushim pa kushte në Gaza është një mënyrë
për të treguar se Evropa nuk përdor standarde të dyfishta. Ne jemi të angazhuar
për mbrojtjen e jetës njerëzore dhe për respektimin e integritetit
territorial”, theksoi presidenti francez.
Ai gjithashtu deklaroi se njohja e shtetit të Palestinës dhe
përkushtimi ndaj një zgjidhjeje politike është rruga e vetme për të arritur
paqe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme.
Në përmbyllje, Macron paralajmëroi se një konflikt i pafund në
rajon përbën një rrezik serioz për sigurinë kolektive dhe stabilitetin
afatgjatë.
No comments:
Post a Comment