Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, ka zhvilluar këtë të enjte një takim informal jashtë kamerave me gazetarët që ndjekin çështjet e drejtësisë dhe mbulojnë institucionin e SPAK.
Gjatë bashkëbisedimit, Dumani është ndalur edhe te debati mbi
draftin e ri të Kodit Penal, i prezantuar nga Ministria e Drejtësisë.
Ai sqaroi se SPAK nuk është përfshirë në hartimin e draftit
dhe se ende nuk e ka marrë zyrtarisht dokumentin për shqyrtim.
“Është një draft. Ne nuk e kemi marrë zyrtarisht dhe nuk jemi
përfshirë në hartimin e tij. Kur të na vijë, do ta analizojmë dhe do të mbajmë
një qëndrim,” tha Dumani.
Duke iu referuar debatit të hapur publik, ai theksoi se një
nismë e tillë ka rëndësi të madhe për shtetin e së drejtës dhe është normale që
të shoqërohet me diskutime.
“Debati i parë duhej të ishte: a është i nevojshëm një Kod i
ri apo duhej të punohej mbi Kodin aktual? Unë personalisht mendoj se ka nevojë
për ndryshime. Për shembull, neni për narkotikët duhet të riformulohet, duke u
ndarë sipas llojit dhe sasisë së drogës,” u shpreh kreu i SPAK.
Dumani shtoi se SPAK do të japë opinionet e tij përfundimtare
në momentin që drafti t’i përcillet zyrtarisht për shqyrtim.
No comments:
Post a Comment