Kompania lobuese e kontraktuar nga Sali Berisha përpara zgjedhjeve të 11 Majit, i ka kërkuar Departamentit Amerikan të Shtetit heqjen e “non gratës” për kreun e PD-së.
Continental Strategy thotë se heqja e këtij përcaktimi për
liderin e opozitës duhet bërë edhe për faktin se Berisha tani nuk është më një
politikan aktiv.
“Shpallja sipas nenit 7031(c) e ish-Presidentit dhe
ish-Kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, duhet të hiqet menjëherë. Kjo
shpallje ishte e motivuar politikisht, pa bazë faktike, dëmtoi interesat e
politikës së jashtme të SHBA-së dhe kontribuoi në përkeqësimin e situatës në
Shqipëri, që sot kritikët e përshkruajnë si një “shtet-narkotik”. Ndërsa
demokracia në Shqipëri është nën kërcënim serioz dhe Berisha nuk është më një
figurë aktive politike, heqja e shpalljes do të rikthente neutralitetin dhe besueshmërinë
amerikane në rajon”, thuhet në materialin e hartuar nga kompania lobuese
amerikane.
Continental Strategy është një kompani amerikane konsulence
dhe lobimi që ka lidhje të ngushta me figura nga rrjeti politik i Partisë
Republikane dhe ekipi i Donald Trump. Për Partinë Demokratike të Shqipërisë
(PD), marrëdhënia zyrtare me këtë firmë konsiston në një kontratë lobimi
afatgjatë, me vlerë deri në 6 milionë dollarë, dhe shërbime të strategjisë
politike për të përmirësuar imazhin ndërkombëtar dhe për të lobuar në
Uashington në favor të PD-së./TCH
No comments:
Post a Comment