Nga: Ilir Demalia
Ngjarjet e ditëve të fundit në Departamentin Amerikan të
Shtetit kanë sjellë një stuhi të vërtetash të hidhura, por edhe një dallgë
dezinformatash, sidomos në Shqipëri. Në një veprim të paprecedentë, Sekretari i
Shtetit në administratën Trump, Mark Rubio, shkarkoi rreth 1400 punonjës të
këtij institucioni kritik të politikës së jashtme amerikane. Kjo ndodhi pa
paralajmërim, në mënyrë të paprecedentë, dhe është cilësuar nga shumë analistë
si një shenjë e qartë e politizimit agresiv dhe hakmarrës të diplomacisë
amerikane nga një administratë që më shumë po imiton autokracitë sesa po ruan
balancën tradicionale institucionale të SHBA-së.
Mes protestuesve kundër këtij vendimi ishte edhe Ambasadorja e
njohur, Yuri Kim – një diplomate me përvojë dhe integritet, e cila për
shqiptarët nuk është thjesht një emër, por një figurë që ka përfaqësuar
fuqishëm vlerat e aleancës SHBA-Shqipëri, posaçërisht në luftën kundër
korrupsionit dhe për forcimin e shtetit ligjor.
Por si u pasqyrua kjo ngjarje në mediat shqiptare?
Provinca mediatike dhe folklori politik
Në vend që të pasqyronin faktet – protestën, solidaritetin,
dhe shqetësimin që solli ky vendim arbitrar në Washington – disa media
shqiptare, me në krye portale si Syri.net dhe të ashtuquajtur “analistë” të
djathtë, zgjodhën rrugën e spekulimit vulgar dhe të gëzimit provincial. U
përhap me shpejtësi një lajm i rremë se Yuri Kim ishte shkarkuar. Në të
vërtetë, ajo jo vetëm që nuk ishte shkarkuar, por po protestonte krah kolegëve
të saj për vendimin absurd të Rubio-s.
Një histeri e papërmbajtur shpërtheu në rrjetet sociale dhe në
ekranet opozitare: një triumfalizëm i rremë, i një kategorie njerëzish që
ngatërrojnë dëshirën me realitetin, lajmin me dëshirën për lajm. U shtua edhe
një figurë tjetër tragjikomike: një “ekspert” i vetëshpallur nga New York-u, i
cili pretendon se ka lidhje të drejtpërdrejta me Rubio-n dhe që ushqen
opinionin shqiptar me narrativa konspirative, të cilat s’do t’i botonte asnjë
media serioze jashtë kufijve të vendit.
Një opozitë që feston mbi gënjeshtra
Kjo sjellje nuk është e rastësishme. Është pasqyrë e një
mënyre mendimi ku çfarëdo që bie ndesh me interesin politik të momentit, duhet
diskredituar, përçudnuar apo shpifur. Opozita shqiptare, përmes figurave të
konsumuara dhe të paafta për të ndërtuar një alternativë të besueshme, nuk po
bën më as përpjekje për të maskuar gëzimin e saj kur rrënohen institucionet.
Edhe kur një diplomate si Yuri Kim ngrihet në mbrojtje të vlerave demokratike,
ajo bëhet shënjestër e një sulmi të ulët, thjesht sepse ka qenë kritike ndaj
korrupsionit të rrënjosur që opozita nuk ka arritur ta dënojë as me fjalë, e
lëre më me vepra.
Nëse nesër Yuri Kim do të largohet nga Departamenti i Shtetit
– siç ndodh natyrshëm në rrotacionet diplomatike – çfarë do të ndryshojë për
opozitën shqiptare? A do të rritet besueshmëria e saj? A do të sjellë ky fakt
më shumë mbështetje ndërkombëtare? Jo. Sepse problemi nuk është Yuri Kim.
Problemi është mënyra si opozita reagon ndaj çdo simboli që i përkujton asaj
dështimet dhe hipokrizinë.
Rreziku i Trump-izmit global
Ajo që ndodhi në SHBA me shkarkimet në Departamentin e Shtetit
është një këmbanë alarmi. Ajo tregon qartë se “Trump-izmi” nuk është thjesht
një stil qeverisjeje; është një filozofi hakmarrjeje, një përpjekje për të
shkatërruar institucionet që i qëndrojnë kundër pushtetit personal. Në këtë
kontekst, solidariteti i Yuri Kim dhe qindra diplomatë të tjerë nuk është
thjesht një akt proteste – është një qëndrim moral dhe institucional që vlen të
merret si shembull.
Ndërkohë në Shqipëri, një pjesë e mediave dhe politikës, në
vend që të mbështesin vlerat që përfaqësojnë njerëz si Yuri Kim, zgjedhin
rrugën më të lehtë: baltën, trillimin dhe gënjeshtrën.
Ky nuk është thjesht degradim mediatik. Është një krizë
morale.yu
No comments:
Post a Comment