A janë SHBA pranë përfshirjes
në luftën Izrael-Iran në Lindjen e Mesme?
Si do të dukej një sulm nga
Trump ndaj mullahëve dhe si do të reagonte regjimi në Teheran?
Sipas mediave amerikane,
Presidenti i SHBA, Donald Trump, ka miratuar planet e ushtrisë për një sulm
ndaj regjimit të mullahëve në Iran dhe ushtrisë së tij. Sipas “Wall Street
Journal” dhe “New York Times”, mungon vetëm urdhri përfundimtar për sulmin.
Pyetja është: Sa shumë do të
angazhohen SHBA-të përkrah Izraelit në luftën kundër Iranit? Amos Yadlin,
ish-gjeneral i Forcave Ajrore izraelite dhe dikur shef i inteligjencës
ushtarake, përmend për BILD dy opsione të mundshme.
Skenari 1: Trump sulmon në mënyrë
të izoluar impiantin bërthamor në Fordo
I pari është një sulm i izoluar
dhe i synuar ndaj impiantit bërthamor nëntokësor në Fordo. Ky sulm, sipas
Yadlin, do ta kthente shumë prapa programin bërthamor të Iranit dhe do të
dërgonte një mesazh të qartë për regjimin në Teheran.
Fjalë për fjalë ai thotë: “Një
sulm vetëm ndaj Fordo-s do të ishte një goditje e madhe për programin bërthamor
iranian dhe do t’i bënte të qartë regjimit se SHBA do të tërhiqet, nëse Irani
nuk reagon ushtarakisht – dhe kështu do të hapej rruga për negociata”.
Për një sulm të tillë, SHBA do
të përdorte armë shkatërruese për bunkerë të tipit GBU-57. Këto mund të
depërtojnë deri në 60 metra dhe e betoni, duke shkaktuar dëme të mëdha në
thellësi të nëntokës.
Megjithatë, Irani ka gjasa të
hakmerret ndaj bazave ushtarake amerikane në Gjirin Persik, prandaj Yadlin e
sheh opsionin e dytë si më të mundshëm.
Skenari 2: Sulm i gjerë
ushtarak nga SHBA
Ky opsion i dytë, sipas Yadlin
– i cili në vitin 1981 mori pjesë si pilot lufte në sulmin ndaj reaktorit
bërthamor irakian në Osirak – do të ishte një goditje ushtarake më e gjerë. Një
ndërhyrje e tillë mund të parandalonte paraprakisht një hakmarrje të mundshme
iraniane për sulmin ndaj Fordo-s.
Sipas Yadlin, do të duhej të
shënjestroheshin edhe pozicionet raketore iraniane që mund të kërcënojnë
objektiva amerikane në Gjirin Persik, si dhe forcat që mund të përgatiten për
të bllokuar ngushticën e Hormuzit.
"Një sulm më i gjerë nga
SHBA, si një mënyrë për të parandaluar hakmarrjen iraniane, do të përfshinte
gjithashtu në shënjestër raketat që kërcënojnë interesat amerikane në Gjirin
Persik, si dhe forcat iraniane që mund të tentojnë bllokimin e ngushticës së
Hormuzit," shpjegon ai.
Nuk është e qartë nëse Donald
Trump do të japë dritën jeshile për operacionin. Arsyeja: ndryshe nga Izraeli,
që ndodhet rreth 1000 kilometra larg Iranit, Irani mund të hakmerret rëndë ndaj
bazave amerikane në rajon, të cilat ndodhen në disa raste vetëm 100 kilometra
larg territorit iranian. (BILD)
No comments:
Post a Comment