Nga Ylli Pata
Në zyrat e PR-it dhe enturazhin e Sali Berishës, po prodhohen
fabula të ndryshme mbi raportet “ndërkombëtare” që sipas tyre kanë rrëzuar
zgjedhjet e 11 majit.
Synimi i këtij narracioni është i qartë, prodho një histori
për të mbyllur apo mbingjitur ndaj kërkesave dhe qëndrimeve kritike ndaj
Berishës, ku po i kërkohet dorëheqja pas humbjes së thellë në zgjedhje.
Megjithatë, për të analizuar një rast, ndihmë vjen krahasimi.
Në lidhje me fabulën e mediave pranë Berishës, panelistëve dhe politikanëve të
suitës së tij, duhen parë thjeshtë rastet e qëndrimeve ndërkombëtare mbi
zgjedhjet në vende të ndryshme, e sidomos me probleme mbi demokracinë.
Rastet më të freskëta kur zgjedhjet nuk janë njohur nga
Perëndimi dhe rrëzuar si të tilla janë Venezuela dhe Bjellorusia.
Ku në mënyrë të qartë, të gjitha qeveritë nga SHBA te të
gjithë vendet e BE-së, nuk i njohën zgjedhjet dhe konsideruan se fituesi i
zgjedhjeve në Venezuelë nuk ishte Nicolas Maduro, presidenti aktual, por lideri
i opozitës, Juan Guaidó. I cili nga Perëndimi njihet si President legjitim “de
jure”.
Ndërkaq, në Bjellorusi, Aleksandër Llukashenko, konsiderohet
si President i paligjshëm, ndërksa Sviatlana Tsikhanouskaya, konsiderohet si
fituese.
Qëndrimi për këto shtete ishte politik, pasi edhe raportet
ndërkombëtare thonë se zgjedhjet ishin të manipuluara dhe të vjedhura.
Po le t’i kthehemi në Shqipëri. Ka një tendencë që nga zgjedhjet vendore të
vitit 2015, ku prej PD-së dhe mbështetësve të tyre mediatikë, të lexohehet me
lupë raporti i OSBE-ODIHR-it.
Kjo është gjë shumë pozitive, por ndodh që i mëshohet vetëm për të parë anën kur kritikohen masat ose vendimet e qeverisë. Ndërkaq, nga ana tjetër, opozita, përkatësisht PD nuk ka marrë asnjëherë nismën në lidhje me zbatimin e rekomandimeve të raporteve të OSBE/ODIHR-it. Të cilat kërkojnë një adminnistratë zgjedhore jo partiake, përdorimin e teknologjisë, dhe uljen e polarizimit. E të tjera e të tjera.Armikja e Sali Berishës në zgjedhjet e 1996 dhe 2009, diplomatja britanike, Audrey Glover, u kthye në e dashur dhe e mirë nga opozita, për raportin e zgjedhjeve vendore 2015.
Raportet e ODIHR-it, përgatiten nga profesionistë me një
eksperiencë të madhe të vëzhgimit të zgjedhjeve në të gjithë botën, madje edhe
në SHBA. Ku në raportet përkatëse ka kritika mjaft të hidhura.
Gjithsesi, të rikthehemi tek ne. Në zgjedhjet e vitit 2009,
kur Sali Berisha fitoi për pak vota dhe nuk mori shumicën për të formuar
qeverinë, raporti OSBE-ODIHR theksonte e
bardha në të zezë: “Në mbi 1/3 e Vendeve të Numërimit, votat u numëruan keq dhe
shumë keq. Po ashtu në zgjedhjet vendore të 2011 raporti i ODIHR, që drejtohej
nga një amerikan, theksoi se vendimi i Arben Ristanit për të rinumëruar “votat
në kutitë e gabuara” nuk ishte bërë sipas Kodit Zgjedhor.
Megjtithatë, edhe pse kronika e këtyre raporteve është bërë
nga gazetarët kronikanë të kohës, ato janë lexuar gjithmonë sipas midesë
politike, ku njëra palë shikonte të mirat e tjetra të këqijat.
Por, lakmusi shqiptar për të lexuar qëndrimin ndërkombëtar për
zgjedhjet në vend, janë zgjedhjet e 26 majit 1996.
Në ato zgjedhje, kreu i misionit ishte Madam Audrey Glover,
“Zonja e Hekurt” e vëzhgimeve zgjedhore në vendet ish-komuniste, një njohëse
par-exellanxe e mënyrës së hileve të vendeve anti apo quasi demokratike.
Edhe pse zgjedhjet e 1996, pra të 26 majit u braktisën nga
opozita shqiptaret në 11 të paradites, pra 4 orë pasi kishte nisur procesi,
vëzhguesit e ODIHR qëndruan sipas planit të tyre në ata zona ku ishin ndarë.
Dhe bënë raportin e tyre, ku thuhej se zgjedhjet ishin një maskaradë nga
përgatitja në administrim. Rezultati thuhej se u deformua nga komisionerët e
PD-së që ishin të eksituar nga ikja e opozitës.
Por ç’ndodhi? Pikërisht në kohën kur mbahej konferenca e
shtypit e misionit vëzhgues të OSBE/ODIHR, dy ditë më pas më 28 maj, opozita
tentoi të mbajë një manifestim në Sheshin “Skënderbej”, pikërisht poshtë
dritareve të Hotel Tirana, ku zhvillohej edhe konferenca e shtypit.
Sali Berisha, atëherë President i vendit urdhëroi policinë dhe
forcave speciale t’i hyjë në dru politikanëve opozitarë. Imazhet e asaj dite
bënë xhiron e botës dhe i kemi parë të gjithë. Profesor Servet Pëllumbi i
rrahur së bashku me një gazetar spanjoll të gjakosur, Blendi Gonxhe që tërhiqej
zvarrë në pllakat e sheshit, Arben Imami që goditej me egërsi, Gaqo Apostoli që
goditej me shkop gome në kokë dhe shkulej nga flokët etj etj, etj.
Dhuna e Berishës, edhe pse me një operacion kaotik dhe të
organizuar keq nga drejtuesit dhe zbatuesit e hurit si “gomari në duhan”, nuk
ishte aq spontane dhe e pamenduar. Ishte e menduar, pasi kërkonte të jepte një
sinjal ndaj ndërkombëtarëve, se nuk ka ndërmend të tërhiqet.
Për të parë një model i rrëzimit të zgjedhjeve duhet lexuar
raporti i ODIHR, në pjesën “Konkluzione”, ku thuhet “Kodi Zgjedhor është
shkelur në mënyrë flagrante. Zgjedhjet janë kompromentuar, janë shkelur 32 nga
79 nene të Kodit Zgjedhor”.
Megjithatë, SHBA dhe BE ofruan një zgjidhje të mesme: duke i
njohur fitoren dhe të drejtën qeverisëse Partisë Demokratike, por duheshin
përsëritur votimet në 40 zona zgjedhore, që nxirrnin 40 deputetë.
Sali Berisha, i cili po kërkonte një mandat të dytë
presidencial, i frikësuar se kemi të bëjmë me një puç perëndimor. Puç që
konsistonte në atë që në 40 zonat fitonte opozita, dhe Berisha humbte shumicën
për tu rizgjedhur, e për të ndryshuar Kushtetutën.
Sipas shifrave të KQZ, PD kishte 122 deputetë, e nëse i
hiqeshin 40, PD mbetej me 82 parlamentarë. Përkatësisht kishte numrin e duhur
për të qeverisur, por jo shumicën e duhur për të zgjdhur kreun e shtetit.
Siç dihet, Berisha i përplasi derën në fytyrë të dërguarit të
Presidentit Clinton dhe ndodhi ajo që ndodhi. Por në thelb, edhe në 1996, kur
raporti i OSBE- ODIHR theksonte se zgjedhjet ishin një masakër.
Edhe në vitin 2001, kur ndodhi “Dushku”, pra u përsëritën në
një raund të tretë, zgjedhjet vetëm në një zonë, nga ku përveç deputetit në
mazhoritar dolën edhe 7 nga lista proporcionale, raporti i OSBE/ODIHR e nxorri
si shkelje këtë rast.
SHBA e BE, edhe pse njohën fitoren e PS-së në zgjedhje, nuk
njohën shumicën për të zgjedhur kreun e Shtetit vetëm, ndaj kërkuan konsensus
gjë që ndodhi me konsensusin për të zgjedhur Presidentin Alfred Moisiu.
Aktualisht, në zgjedhjet e 11 majit, Edi Rama është uruar për
fitoren nga thuajse të gjithë qeveritë e BE-së, madje nominalisht nga
kryeministrat e këyre vendeve, ndërsa ambasada e SHBA shpërndau një deklaratë
ku uronte popullin shqiptar për zgjedhjet e 11 majit. Çfarë nënkuptonte një
qëndrim neutral, por njohje politike e zgjedhjeve parlamentare.
Natyrisht që kori do të vijojë t’i bjerë daulleve të “masakrës
elektorale”, por nëse do të ishin të tilla, atëherë Sali Berisha, lideri i
opozitës, do të ishte në azil në Perëndim, siç ndodhen liderët e opozitës të
Venezuelës apo Bjellorusisë.
Përkundrazi lideri ynë i opozitës, jo vetëm që nuk strehohet
nga Perëndimi që njeh kolegët e tij si udhëheqësa legjitimë e i ruan të mos i
ndodhë ndonjë gjë e keqe, por është shpallur Non Grata nga SHBA e Britania e
Madhe.
No comments:
Post a Comment