Këto ditë dëgjoj një tufë broçkullash për rolin e medias, që nisin nga Berisha, përsëriten nga papagallët e tij dhe më pas futen në mënyrë burokratike në raportet e ODIHR-it apo të Parlamentit Europian.
Problemi më absurd që ngrihet është
“përdorimi i medias nga qeveria në fushatë elektorale”. Teknikisht, jo vetëm me
kohën televizive, por në fakt, opozita është dominuese edhe në përmbajtjen e
debateve televizive çdo mbrëmje në Shqipëri. Janë mbi 20 emisione politike çdo
ditë, në të cilat, me përjashtime pa rëndësi për shikueshmërinë, dominojnë
përfaqësuesit e opozitës dhe temat e diskutuara janë thjesht rekomandime të
saj.
Pesë ish-zëdhënës ose këshilltarë të Sali
Berishës, përfshirë dy ish-nënkryetar të PD-së, drejtojnë emisione televizive
dhe televizione. Vetë kryetari i opozitës, që çdo gjë e trajton si pronë
personale, ka një televizion në pronësi të familjes së tij.
Televizioni publik vazhdon të mbetet një
pronë private e opozitës. Aty gjen drejtues emisionesh dhe gazetarë të
rëndësishëm që janë anëtarë të Këshillit Kombëtar të PD-së. Pa përmendur faktin
që kryeredaktorë, redaktorë dhe drejtorë janë adhurues të hapur të Berishës –
nga ata që mund të rrinë pa ngrënë këto tre ditë, meqë Berisha nuk del në
konferencë për shtyp se është me virozë.
Televizioni Kombëtar Klan është pronë e një
personi që është mik familjar i Berishës dhe emisionet kryesore janë të
angazhuara në mënyrë të hapur në favor të tij. Ndërkohë, Top Channel, që ka
pasur frymë kritike ndaj Berishës, është sot më shumë një televizion
spektaklesh dhe i vetmi emision politik i tij drejtohet nga një ish-zyrtare e
lartë e PD-së, që qan në emision për burrin e saj ish-deputet të PD-së.
Nuk po flasim pastaj për televizionet pa
licencë kombëtare, që janë aq të parëndësishëm saqë fakti që nuk janë me
Berishën nuk i bën askujt përshtypje.
Nuk e di se cilave statistika u referohen
kur thonë që mediat kanë qenë në fushatë pro qeverisë. Edhe nëse e shikojmë me
fantazinë më të sëmurë, nuk mbledh dot as 20 për qind të mediave që janë në
favor të qeverisë. Madje dhe gazeta që unë drejtoj, që është një media
popullore, ka popullaritetin pikërisht pse është kundër Berishës dhe jo sepse
është pro qeverisë – por hajt, le të më fusin edhe mua aty.
Dhe kjo nuk është ndonjë kritikë për Edi
Ramën, përkundrazi, kjo është një taktikë e tij. Edi Rama ka lejuar me vetëdije
që të lulëzojë një zhurmë mediatike pro Berishës në shtyp, pa ndërhyrë, pa
shkuar nëpër debate dhe pa pasur ndonjë marrëdhënie aktive me median. Kjo ka
krijuar një mbingopje të opinionit publik me propagandën pro Berisha dhe ua ka
shpifur njerëzve atë më shumë se ç’do të mundte ta shpifte sikur t’i sulmonte
apo t’i kontrollonte.
Thjesht i ka futur në kurth mediat duke i
dhënë Berishës iluzionin e një mbështetjeje popullore dhe e ka shkatërruar më
pas në zgjedhje, shumëfish më ashpër.
Por kjo nuk është arsye për ta kritikuar
qeverinë. Kjo është vetëm pasojë e dëshirës së Berishës për të qenë udhëheqës i
ekraneve, jo i Shqipërisë. Rama ia ka dhënë këtë lodër në dorë për t’u zbavitur
si me tespije, por asgjë më shumë.
Është e paimagjinueshme që Berisha të
vendoste në RTSH adhurues të Edi Ramës, apo të lejonte që redaksitë të
drejtoheshin nga anëtarë të Asamblesë së PS-së. Por Edi Rama e ka bërë këtë me
vetëdije dhe dëshirë të plotë, kundër çdo kundërshtimi të brendshëm në PS. Ai u
ka lënë hapësirë edhe qindra delirantëve që mbështesin Berishën – që ndjehen të
famshëm sepse dalin në ekrane dhe kujtojnë se janë gazetarë, moderatorë apo
drejtues emisionesh.
Thjesht, Rama ka abuzuar me budallallëkun e
opozitës – por çdo politikan do ta bënte këtë po të kishte përballë një
mediokritet të tillë. Madje shpesh edhe i ka sponsorizuar këto media. Ministrat
e Ramës janë sponsorë të portaleve “opozitare”, që i drejtojnë fundërinat e
medias, që bëjnë sikur qajnë për Berishën në mëngjes dhe marrin zarfa nga
ministrat në darkë.
E gjithë kjo e ka banalizuar seriozitetin e
medias, dhe meqë ajo është identifikuar në shumicë me opozitën, e ka banalizuar
dhe opozitën.
Media në Shqipëri ka probleme serioze që
nuk lidhen me rreshtimin politik. Ajo ka humbur standardet raportuese, ka
humbur burimet, përdoret nga krimi dhe nga institucionet e drejtësisë për të
linçuar viktima të drejtësisë. Ajo është e parentueshme financiarisht dhe
dorëzohet para parasë së zezë apo sponsorizimeve nën dorë.
Qeveria, me apo pa vetëdije, ende nuk ka
bërë një ligj serioz për median dixhitale – veçanërisht për portalet – që të
regjistrohen, të kenë status juridik dhe të përballen me ligjin nëse shpifin
apo përdoren për shantazhe.
Këto janë problemet reale të medias në
Shqipëri, por askush nuk i përmend.
Qeveria ndjehet rehat në këto ujëra të
turbullta. I lë të lira mediat të shajnë dhe përflasin kë të duan, madje
ndonjëherë dhe i paguan për këtë. Ndërsa opozita, që ndjehet e përkëdhelur nga
përmendja në titujt e portaleve, ndjehet superiore dhe e kënaqur gjithë vitin,
por zgjohet nga gjumi vetëm në ditën e zgjedhjeve – kur kupton që është pakicë.
Por atëherë nuk e kanë fajin mediat.
Ato kanë një mijë e një mëkate, dhe mëkati
më i madh i tyre është se për katër vjet me radhë kanë zëvendësuar opozitën në
opinionin publik. Dhe kjo i ka bërë më shumë dëm opozitës sesa vetë shfaqja e
saj me Berishën në krye të saj.
Problemi real i medias në Shqipëri është se
për katër vjet me radhë sillet sikur është opozita — por nuk mund ta luajë këtë
rol ditën e zgjedhjeve, kur njerëzit duhet të zgjedhin mes qeverisë dhe “me
nder Flamurit”.
No comments:
Post a Comment