Për mbarëvajtjen e rendit dhe të sigurisë në ndeshjen e 7 qershorit Shqipëri-Serbi do të jetë numri më i lartë i uniformave të angazhuara për një ndeshje.
Mësohet se rreth 2000 forca policie do të jenë të angazhuara
për garantimin e rendit, përfshirë njësinë RENEA, FNSH, Antiterrorin dhe SHISH.
Siguria më e madhe do të jetë mbi përfaqësuesen serbe që do
të shoqërohet me forca të shumta policore dhe me masa të rrepta sigurie nga momenti
i mbërritjes në Tiranë deri në largim pas përfundimit të ndeshjes.
Antiterrori do të ketë rolin kyç. Ne mbeshtetje te tyre po
ashtu do te jete reparti special RENEA qe do te shoqerojë ekipin serb.
Do të ketë masa të rrepta në drejtim të qarkullimit rrugor,
të kontrollit të tifozëve në hyrje për në stadium, por edhe të atyre që s’do të
mund të hyjnë dot.
Antiterrori do të ketë një rol kyç në këtë operacion, me
përgjegjësi të drejtpërdrejtë për kontrollin e perimetrit të stadiumit,
monitorimin e pikave hyrëse në territorin shqiptar.
Në cdo pike kufitare prej një jave janë dërguar fotot e
personave me prirje ekstremiste të cilët nuk do lejohen të futen në territorin
shqiptar.
Federata Shqiptare e Futbollit, në bashkëpunim me Shërbimet
e Sigurisë së Shtetit, Policinë dhe agjenci të tjera kanë implementuar masa të
avancuara sigurie në stadium.
Ndërkohë është konfirmuar se do të ketë masa edhe nga ajri
për ndonjë të papritur.
Në stadiumin “Arena Kombëtare” janë instaluar sisteme
moderne sigurie që përfshijnë kamera me njohje fytyre “face recognition” dhe
kamera të lëvizshme shtesë, që do të monitorojnë çdo lëvizje në tribuna dhe
rreth stadiumit në kohë reale.
Policia ka përgatitur një plan kontrolli, që përfshin
verifikimin e imtësishëm të biletave dhe dokumenteve të identifikimit të çdo
personi që hyn në stadium.
Po ashtu mësohet se për të parandaluar çdo rrezik të
mundshëm, të gjitha rrugët që çojnë drejt stadiumit do të jenë të bllokuara
plotësisht, ndërsa zona përreth do të mbrohet me pajisje antidron, për të
shmangur mundësinë e ndonjë ndërhyrjeje të jashtme.
Bëhet me dije se në stadium do ketë prezencë të lartë të
forcave të policisë dhe njësive antiterror. Do të përdoren edhe pushkë
anti-drone, të vendosura rreth stadiumit për të shmangur çdo kërcënim ajror, i
cili mund të destabilizojë situatën.
NJOFTIMI I PLOTË I POLICISË PËR PLANIN E MASAVE
Policia e Shtetit, plan masash të posaçëm për garantimin e
rendit dhe sigurisë para, gjatë dhe pas përfundimit të ndeshjes së futbollit
“Shqipëri – Serbi”, që do të zhvillohet më datë 7 qershor 2025, në orën 20:45,
në stadiumin “Arena Kombëtare”, Tiranë.
Duke u mbështetur në përvojën pozitive për planifikimin,
organizimin dhe menaxhimin e situatës së rendit dhe sigurisë publike gjatë
aktiviteteve me përmasa ndërkombëtare, Policia e Shtetit ka hartuar një plan
masash të posaçëm me detyra konkrete për të gjitha strukturat e Policisë të
përfshira në këtë plan masash. Në planin e masave parashikohen:
-Eskortimi dhe sigurimi i futbollistëve të ekipit të
Serbisë, nga aeroporti i Rinasit, në hotel, në stadium dhe në kthim për në
Rinas;
-Eskortimi dhe sigurimi i futbollistëve të ekipit të
Shqipërisë, në stadium;
-Kryerja e kontrolleve sistematike në mjediset brenda dhe
jashtë stadiumit, për shtetas të paautorizuar, sende dhe lëndë piroteknike,
para se të futen tifozët;
-Organizimi i shërbimeve për garantimin e rendit publik
para, gjatë dhe pas përfundimit të ndeshjes së futbollit, jo vetëm pranë
stadiumit, por edhe kontrolli i territorit në të gjithë qytetin e Tiranës;
-Sigurimi i rrugëkalimeve të shërbimeve të emergjencës;
Menaxhimi i trafikut rrugor në qytetin e Tiranës, para,
gjatë dhe pas ndeshjes së futbollit.
Për të garantuar sigurinë para, gjatë dhe pas zhvillimit të
kësaj ndeshjeje ndërkombëtare, është bashkëpunuar me të gjitha institucionet që
kanë rol në mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, konkretisht me Federatën Shqiptare
të Futbollit, UEFA-n, Gardën e Republikës, Policinë Bashkiake, Shërbimin
Zjarrfikës, shoqëritë private të sigurisë (stjuartët dhe personeli i sigurisë),
spitalet, qendrat shëndetësore dhe ato të ndihmës së parë.
Gjithashtu, janë vendosur kontakte dhe po bashkëpunohet dhe
me personelin e shërbimit të sigurisë të ekipit të futbollit të Serbisë, në
funksion të rritjes së standardeve të sigurisë para, gjatë dhe pas zhvillimit
të kësaj ndeshjeje ndërkombëtare.
Për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, gjatë datës 7 qershor
2025, nga ora 15:00 deri në përfundim të ndeshjes, nga Policia e Shtetit, në
bashkëpunim me Policinë Bashkiake të Tiranës, do të aplikohen kufizime të
qarkullimit të mjeteve në disa akse rrugore në afërsi të stadiumit,
konkretisht:
Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi pranë
Presidencës drejt sheshit “Nënë Tereza”, rruga “Papa Gjon Pali i II”, rruga
“Dervish Hima”, pranë Ambasadës së SHBA-së, rruga “Asim Zeneli”, pranë
Ambasadës së SHBA-së, rruga “Themistokli Gërmenji”, rruga “Gjergj Filipi”,
rruga “Lekë Dukagjini”, pranë ish-Gardës së Republikës deri tek stadiumi, rruga
“Faik Konica” dhe rruga “Skerdilajd Llagami”.
Parkimi i autobusëve me tifozë vendas që vijnë nga Korça dhe
Elbasani, do të bëhet në parkingun e lokal “Kalvin”, ndërsa autoveturat te
terminali pranë qytetit “Studenti”.
Parkimi i autobusëve që vijnë nga veriu dhe jugu, do të
bëhet në parkimin “Terminali i përpunimit të automjeteve” pranë mbikalimit të
Kamzës, ndërsa autoveturat tek parkingu pranë pallatit të sportit “Asllan
Rusi”, në parkingun nëntokësor në sheshin “Skënderbej”, si dhe në parkingun
nëntokësor në “Bulevardin e Ri”, te ish-stacioni i trenit.
Në zbatim të planit të masave, punonjësit e Policisë së
Shtetit do të ushtrojnë kontroll të imtësishëm ndaj tifozëve, para futjes në
stadium, me qëllim parandalimin e futjes në stadium, të banderolave me
përmbajtje raciste, të fishekzjarrëve, flakadanëve, lëndëve piroteknike,
monedhave metalike, çadrave, çakmakëve, karikuesve të celularëve,
mjeteve/produkteve për përdorim kozmetik dhe sendeve të tjera të forta.
Gjithashtu, apelojmë për qytetarët që të mos ngrenë dronë në
perimetrin e sigurisë (përrreth stadiumit “Arena Kombëtare”), sepse do të
rrëzohen, pasi Policia e Shtetit do të përdorë pajisje anti-dronë.
Me këtë rast, informojmë shtetasit shqiptarë dhe të huaj, se
në bazë të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, veprimet e dhunshme në
aktivitetet sportive, si hyrja në fushën e lojës gjatë kohës së zhvillimit të
aktivitetit sportiv nga persona të paautorizuar, përbën kundërvajtje penale dhe
dënohet me gjobë nga 50 000 deri në 100 000 lekë. Kur nga kjo vepër, ka ardhur
pengimi i zhvillimit normal të aktivitetit sportiv, dënohet me gjobë ose me
burgim deri në tre muaj.
Hedhja e sendeve të forta në fushën e lojës ose mbi
njerëzit, mbajtja apo përdorimi i lëndëve piroteknike, fishekzjarrëve,
flakadanëve, gjatë zhvillimit të një aktiviteti sportiv, dënohen me burgim nga
gjashtë muaj deri në tre vjet.
Legjislacioni penal shqiptar e konsideron vepër penale,
goditjen apo çdo vepër tjetër dhune, ndaj sportistit, trajnerit, arbitrit,
ndërmjetësit sportiv, për shkak të veprimtarisë sportive, dhe i dënon me burgim
nga një deri në tre vjet. Kjo vepër, kur kryhet në ambiente sportive, më shumë
se një herë, apo nga drejtues apo anëtarë të klubeve sportive, dënohet me burgim
nga një deri në pesë vjet.
Kërkojmë mirëkuptimin e tifozëve që të paraqiten në hyrjen e
stadiumit, në orën 18:00, pasi për shkak të fluksit të tifozëve, pak para
fillimit të ndeshjes, mund të humbasin mundësinë për të hyrë në stadium.
Gjithashtu, apelojmë për tifozët dhe sportdashësit që të mos
publikojnë në rrjete sociale biletat e blera, pasi mund të dublikohen në
kundërshtim me ligjin. Çdo biletë është e pajisur me barcode, është personale
dhe duhet të mbahet vetëm nga shtetasi që e posedon, i cili sipas radhës, do të
kalojë vetëm, për t’iu kontrolluar barcode nga pajisja që regjistron
automatikisht çdo tentativë për të hyrë me biletë të falsifikuar ose të
dublikuar.
Ju informojmë se dublikimi/shumëfishimi i biletës,
konsiderohet falsifikim dhe mashtrim, vepra të cilat ndëshkohen nga Kodi Penal
i Republikës së Shqipërisë.
Në rast se gjendeni në situata të tilla paligjshmërie,
denonconi menjëherë në numrin 112.
Për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti sportiv, Policia e
Shtetit ka angazhuar qindra punonjës policie, të cilët do të garantojnë rendin
dhe sigurinë publike, si dhe do t’iu ofrojnë ndihmë dhe informacion, në rast
nevoje, në mënyrë që ky aktivitet të përmbyllet pa incidente, në interes të
imazhit të vendit.
No comments:
Post a Comment